Home KRYESORE Rovena Gashi: Nuk jemi njohur me faktin e marrjes si të pandehur

Rovena Gashi: Nuk jemi njohur me faktin e marrjes si të pandehur

Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku ka pezulluar nga detyra sot prokuroren Rovena Gashi dhe bashkëshortin e saj, prokurorin Dritan Gina me argumentin se ata janë marrë si të pandehur nga prokuroria e Durrësit. Sipas njoftimit zyrtar, Gashi dhe Gina akuzohen për fshehje pasurie. Opinion.al kontaktoi me znj. Gashi, e cila “konfirmoi se nuk janë njohur me faktin e marrjes së pandehur nga prokuroria e Durrësit, ajo dhe as bashkëshorti”.

Znj. Gashi ka qenë drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë dhe drejtuese e Njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Me ardhjen në krye të akuzës së Arta Markut, ajo u zbrit në detyrë, duke punuar si prokurore e thjeshtë në njësinë e Dekriminalizimit deri ditën e sotme kur u njoftua pezullimi i saj nga puna. Sakaq bashkëshorti i saj, Dritan Gina ka qenë drejtues i prokurorisë Elbasanit, por edhe atë Arta Marku e zbriti në detyrë duke e sjell prokuror në Tiranë, deri më sot kur e pezulloi nga puna.
Po sipas Prokurorisë së Përgjithshme ndaj çiftit të prokurorëve ka nisur hetime nga prokuroria e Durrësit, për të cilat, znj. Gashi tha se nuk kishte dijeni.

I PLOTE NJOFTIMI I PROKURORISË SË PËRGJITHSHME PËR PEZULLIMIN E GASHIT DHE GINËS

Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku me vendimin nr.140, dt. 11-05-2018, bazuar në nenet 148/d pika 4, gërma “b” dhe 179 pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; në nenet 151, pika 1, gërma “b” dhe pika 2 gërma “b”; 155 dhe 160, pika 2, gërma “c”, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi: Pezullimin nga detyra të prokurores pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, znj. Rovena Gashi.

Pezullimi i znj.Gashi u vendos pasi Kryeprokurorja u njoh me informacionin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës në lidhje me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të shtetases

Rovena Gashi për veprën penale:

“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal.

Prokurorja Gashi do të jetë e pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.

Pezullimi z.Dritan Gina

Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku me vendimin nr.141, dt. 11-05-2018, bazuar në nenet 148/d pika 4, gërma “b” dhe 179 pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; në nenet 151, pika 1, gërma “b” dhe pika 2 gërma “b”; 155 dhe 160, pika 2, gërma “c”, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:

Pezullimin nga detyra të prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, z.Dritan Gina.

Pezullimi i z.Gina u vendos pasi Kryeprokurorja u njoh me informacionin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës në lidhje me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të shtetasit Dritan Gina për veprën penale:

“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal.

Prokurori Gina do të jetë i pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.

Share: