Home KRYESORE Shperthen gazetari: Qytetarët e Durrësit “shpallin” në kërkim deputetët e tyre!

Shperthen gazetari: Qytetarët e Durrësit “shpallin” në kërkim deputetët e tyre!

Nga Elkier Bushkolaj

Ditë më parë, në shumë televizione e portale gjeti hapësirë lajmi ku Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, i kërkonte llogari aktorit, Robert Ndrenika, së përse në kohën ku kishte qenë deputet, në fillim të viteve 1990, nuk i kishte kërkuar Sali Berishës ndërtimin e një teatri të ri.

Prej 1 viti, Fidel Ylli, përfaqëson në Parlamentin e Shqipërisë qytetarët e Durrësit, ku ai ishte i treti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste, ndërkohë unë nuk kam rastisur ta dëgjoj atë në parlament, apo komisione të shprehë ndonjë shqetësim lidhur më problemet që kanë mbërthyer Durrësin, e aq më pak të bëjë ndonjë denoncim në media, a thua se në Durrës jetohet më mirë se në vendet skandinave.

Deputetët që vijnë përpara tij në listën e deputetëve të Durrësit, shumë pak gjëra i lidhin me këtë qytet.

Kryesuesja e listës së deputetëve socialistë në qarkun e Durrësit, Eglantina Gjermeni, përfaqëson Krujën, ndërsa pas saj vjen Milva Ekonomi, e cila është nga një familje durrsake, por gjithë aktivitetin e saj profesional dhe politik e ka zhvilluar kryesisht në Tiranë.

Këta tre emra që përmenda, me Durrësin i lidh logoja e Partisë Socialiste, e me siguri restorantet në zonën e Vollgës; pasi ndaj bindjen se po t’i pyesësh për rrugët që përmbyten sa herë bie shi në këtë qytet, se kanë idenë ku i bien.

Ti pyesësh, gjithashtu, për problemet që shqetësojnë qytetarët e zonave të ndryshme të këtij rrethi me siguri do të ngrenë supet.

Ky importim deputetësh ndodh pikërisht në qytetin që edhe diktatori Enver Hoxha nuk kishte dëshirë ta vizitonte shpesh, sepse kurrë nuk mbusheshin rrugët me qytetarët që e prisnin me këngë, duartrokitje e me valle.

Në radhë pas Yllit vjen Ilir Ndraxhi, përfaqësues i Shijakut. I pesti në listë është Roland Xhelili, përfaqësues i gardës vjetër të socialistëve dhe qytetarëve durrsake, por siç duket partia nuk e ka fort për zemër ta promovojë.

Pas tij vijnë deputetët Jurgins Çyrbja, Rrahman Rraja, Klodiana Spahiu, deputetë që përfaqësojnë banorët e zonave të ndryshme të Durrësit e Krujës.

Jo më shumë korrekte me banorët e Durrësit u soll edhe Partia Demokratike, e cila këtë herë mori vetëm 4 deputetë, e për ironi të fatit Agron Duka që ishte i 5-ti në listë dhe gëzonte mbështetjen më të madhe në elektorat mbeti jashtë parlamentit.

Lista kryesohet nga Oerd Bylykbashi, i cili është një ndër ekspertët më të mirë të çështjeve ligjore, por e njeh pak terrenin politik në një rreth si Durrësi, ku votuesi është shumë kërkues.

Konfliktet e Bylykbashit me drejtuesit e degës së Partisë Demokratike, i kushtuan shumë kësaj force politike. Pas tij vjen Fatbardha Kadiu, pedagoge përfaqësuese e qytetarisë durrsake, por një figurë politike jo shumë e njohur nga demokratët durrsakë.

Edi Paloka është i 3-ti në listën e demokratëve e pas tij vjen, Florion Mima, që më Durrësin e lidh vetëm origjina e familjes tij.

Këto prurje nga Tirana nuk rezultuan të suksesshme për Partinë Demokratike, e këtë e treguan edhe votat e marra në 2017, që ishin pak a shumë në një linjë me dështimin e 2015, kur Grida Duma humbi me mbi 14 mijë vota diferencë përballë Vangjush Dakos.

Ky i fundit është përfituesi më i madh i kësaj panorame me përfaqësuesit e Durrësit në Kuvendin e Shqipërisë.

Qytetaret e Durrësit mesa duket i ka marrë malli për beteja elektorale si ajo e 2005-s, kur një politikan i ri, si Sokol Olldashi, sfidonte në bastionin e tij Agron Dukën, i cili mbante edhe postin e Ministrit të Bujqësisë, kur Gazmend Oketa mposhtte Gjergj Kojën, Ministër Shëndetësie asokohe, apo kur Vangjush Dako e fitonte garën për kryebashkiak kundër Armand Telitit, me 320 vota diferencë.

Share: