Home KRYESORE Stërvitja “provokuese”, Veriu kërcënon SHBA me fatet e samitit të qershorit

Stërvitja “provokuese”, Veriu kërcënon SHBA me fatet e samitit të qershorit

Kthesa e papritur e Kim Jong-un-it me gatishmërinë për të biseduar qoftë me fqinjin jugor, ashtu dhe me Shtetet e Bashkuara, duket se ka ardhur pranë një fundi të beftë e të padëshiruar.

Koreja e Veriut ka anuluar këtë të martë bisedimet e nivelit të lartë që do të zhvillonte me Korenë e Jugut, për shkak të asaj që media shtetërore e vendit komunist e konsideron si zemërim në lidhje me stërvitjet ushtarake.

Agjencia e lajmeve koreano-veriore, “KCNA” njofton se stërvitjet e përbashkëta mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, në këtë moment, janë thjesht një “provokim”. Ajo paralajmëron gjithashtu Shtetet e Bashkuara për fatin e samitit historik mes Kim Jong-unit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, që është programuar të mbahet më 12 qershor.

Në mars, Trump befasoi mbarë botën kur pranoi ftesën për t’u takuar me udhëheqësin e vendit të izoluar komunist.

“Të dy ne do të përpiqemi ta bëjmë atë një moment shumë special për paqen në botë”, shkruante asokohe shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Rreth 100 avionë luftarakë, përfshi edhe një numër të paspecifikuar bombarduesish “B-52” dhe avionësh “F-15K” nisën stërvitjet e pagëzuara me emrin “Max Thunder” ditën e premte.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut këmbëngulin se të tilla stërvitje janë tërësisht me qëllime mbrojtëse, e zhvillohen bazuar mbi marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes, që kanë nënshkruar që prej vitit 1953. Ata thonë gjithashtu se stërvitjet janë të nevojshme për të forcuar gatishmërinë e tyre në rast të ndonjë sulmi të jashtëm.

l.h/ dita

Share: