Home KRYESORE Trump mbron zgjedhjen e tij per CIA-n: Haspel, dil fitimtare!

Trump mbron zgjedhjen e tij per CIA-n: Haspel, dil fitimtare!

Presidenti Donald Trump thotë se e zgjedhura prej tij për postin e Drejtoreshës së Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Gina Haspel, është shndërruar në target sulmesh sepse ka qenë shumë e ashpër me terroristët.

Pas njoftimit në media se Haspel kishte dhënë dorëheqjen javën e kaluar nga kandidatura e saj, presidenti vendosi të komunikojë qëndrimin e tij përmes një postimi në Twitter në mëngjesin e së hënës.

“Mendoni që në këto kohë shumë të rrezikshme, ne kemi njeriun më të kualifikuar, një grua që demokratët nuk e duan, sepse është shumë e ashpër ndaj terroristëve. Dil fitimtare Gina!”, shkruan Trump.

Gazeta “The Washington Post” shkruan se Gina Haspel kishte dyshime se mund të zhvillohej një seancë konfirmimi në Senat me pyetje të ashpra, të cilat mund të rezultonin të dëmshme jo vetëm për CIA-n por edhe për reputacionin e saj.

Duke qëndruar sërish tek mediat amerikane, thuhet se zyrtarë të lartë të administratës Trump janë takuar me zonjën Haspel në zyrën e saj në CIA për të diskutuar shqetësimet e saj.

“Emërimi i saj nuk ka për t’u përmbysur nga kritikë partiakë, të cilët mbajnë anën e Unionit Amerikan për të Drejta Civile lidhur me mënyrat se si CIA ruan sigurinë e popullit amerikan”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah.

Seancat e konfirmimit të zonjës Haspel fillojnë të mërkurën, ndërkohë, Gina Haspel vazhdon të jetë drejtoreshë në detyrë e CIA-s dhe veterane që prej 33 vjetësh e agjencisë së zbulimit.

Organizata libertariane “Unioni Amerikan për të Drejtat Civile” dhe një numër demokratësh shprehen se Haspel nuk duhet kualifikuar për këtë post, pasi dy të dyshuar si terroristë islamikë u janë nënshtruar metodave të saj të rënda të marrjes në pyetje, më konkretisht, praktikës që simulon ndjesinë e mbytjes.

Agjencia “Associated Press” njoftoi se në takimet e saj me senatorët në prag të seancave të konfirmimit, Haspel i siguroi ata se si drejtoreshë e CIA-s, ajo do t’i kundërshtonte teknika të tilla brutale, dhe mundet që ajo t’i përsërisë këto garanci gjatë seancave dëgjimore të së mërkurës.

Ndërkohë, një zëdhënës i CIA-s u shpreh se ligjvënësit dhe publiku do të kenë mundësi të njohin “Gina Haspelin e vërtetë” të mërkurën, dhe do të shohin se kanë të bëjnë me një shefe zbulimi të shkëlqyer.

s.a/dita

Share: