Home KRYESORE A je? “Skllav i mirë”…!? Nga Dritan Shano

A je? “Skllav i mirë”…!? Nga Dritan Shano

A je?

“”Skllav i mirë” është ai, të cilit i ke mundësuar një të ardhur/pozicion të mirë – shpesh më të mirë sesa e meriton, i cili e di këtë gjë, dhe që është i terrorizuar nga ideja se mund ta humbasë këtë pozicion”.

Ky është parimi kryesor me të cilin zgjidhen njerëzit për të ndërtuar grupet parlamentare dhe qeveritë në Shqipëri. Dhe çdo strukturë tjetër politike, ekonomike apo shoqërore, ku është e mundur një vertikale hierarkike e pushtetit. Prandaj i kemi punët fjollë në çdo gjë e në çdo drejtim.

Një parim mesjetar, despotik, aspak formal, por dominues në kulturën tonë – që nga qumështi i gjirit e deri në mbylljen e syve për atëbotë – të cilin nuk bëjmë asgjë ta shkulim, përkundrazi e forcojmë edhe aty ky nuk duhet. Sapo vertikalja e pushtetit pjerret sadopak për shkak të rrethanave rendim ta drejtojmë dhe ta rivendosim në këndin 90 gradë, me shpresën se do jemi ne që do përfitojmë të parët prej saj. Në fakt kjo sjellje na bën të gjithëve “skllevër të lirë” por jo domosdoshmërisht “skllevër të mirë”. Këta të fundit, shquhen nga të tjerët, pasi përmbushin më mirë ato karakteristikat që përkufizuam më lart.

Kështu që në shumicën dërrmuese të rasteve, suksesi ose jo, që ke patur ose ke në nivel personal, në politikë apo fusha të tjera, së sotmi, është në fakt përgjigjja e sinqertë ndaj pyetjes: A je skllav i mirë?

Share: