Home KRYESORE Dikush t’i thotë mbretit se është lakuriq! Nga Desada Metaj

Dikush t’i thotë mbretit se është lakuriq! Nga Desada Metaj

Nuk kam asnjë provë që Policia e Shtetit po përdoret si polici private për llogari të Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës për të përgjuar Kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe familjen e tij. Nuk kam asnjë provë që urdhri është dhënë në një rast të paprecedentë dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës. Por a më duhet mua të kem prova të tilla? Mendoj se jo! Gjatë 5 vjetëve në krye të qeverisë, Edi Rama ka mohuar edhe provat më kokëforta.

Kur opozita deklaroi se nga administrata po hiqen nga puna profesionistët dhe po zëvendësohen me kriminelët, Edi Rama i mohoi listat e gjata të publikuara nga opozita. Por pastaj u provua se emblema e akuzave, drejtori i Transportit në Sarandë, Kelment Balili, ishte Eskobari i Ballkanit dhe, sipas fjalëve të ambasadorit amerikan, ai vazhdon të jetë i lirë në Sarandë, edhe pse në kërkim ndërkombëtar.

Kur opozita deklaroi se në parlament ka 19 deputetë me të shkuar kriminale, Edi Rama e mohoi, përqeshi dhe pastaj urdhëroi goditjen e deputetit të opozitës brenda Parlamentit. Pastaj, u provua se Interpoli shqiptar (pjesë e policisë) kishte fshehur për 1 vit urdhrin e ndalimit për deputetin e qeverisë Mark Frroku, i akuzuar për vrasje. Edi Rama e mohoi të kaluarën kriminale të disa deputetevë të tjerë të tij dhe të kryebashkiakëve, por e vërteta është se ata i kapi ligji i dekriminalizimit.

Kur opozita deklaroi se në Shqipëri repartet ushtarake po përdoren për transport droge me avionë dhe se kanabisi po transportohej me avionë të vegjël, Edi Rama e mohoi, i quajti mushkonja dhe u tall me opozitën. Pastaj, avioni ngeci në rërën e Divjakës dhe, bashkë me të, u konfirmua mbulimi që Rama po i bënte të vërtetës së transportit të drogës.

Kur opozita akuzoi se Shqipëria ishte kanabizuar nga Veriu në Jug, se Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit ishin implikuar në trafikun e drogës, Edi Rama e mohoi dhe tha se Saimir Tahiri ishte modeli që duhej ndjekur, ministri më i suksesshëm i qeverisë së tij. Antimafia italiane konfirmoi se çdo akuzë ishte e vërtetë dhe se, për hir të pushtetit të tij, Edi Rama po mbulonte sërish të vërtetën.

Ka me dhjetëra raste të tjera që mund të nisja fjalinë me “kur opozita akuzoi” dhe ta mbyllja me “Edi Rama e mohoi”, por po kaloj direkt tek tre javët e fundit për të dhënë një argument tjetër se nuk më duhet provë me shkrim, as me zë dhe figurë për të besuar që Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj po e përdorin Policinë e Shtetit si polici private për të përgjuar Lulzim Bashën.

Kur opozita publikoi përgjimin me vëllain e Fatmir Xhafës me shpjegimin se ai vazhdon të drejtojë trafikun e drogës, Edi Rama, përpara Fatmir Xhafës, e mohoi si të pavërtetë dhe u tha shqiptarëve se këtë konkluzion e mbështeste tek ekspertiza e zërit, e kryer nga një agjenci e specializuar. Ai vazhdon të refuzojë të thotë emrin e agjencisë, por, siç i ndodh gjithmonë Ramës, më vonë u mësua se ekspertizën nuk e kishte bërë Rama, por vetë Agron Xhafaj me të vëllain Ministër të Brendshëm.

Me rastin “Xhafaj”, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm përdorën Policinë e Shtetit si polici private për të shoqëruar të sigurtë jashtë Shqipërisë dhe jo për ta marrë në pyetje vëllain e akuzuar të Ministrit të Brendshëm.

Përdorën si polici private policinë gjyqësore për të rregjistruar në Prokurori, natën, akuzën kundër PD-së, por jo për të kërkuar hetimin penal të Agron Xhafës si çdo shtetas tjetër i dyshuar tjetër për trafik droge.

Përdorën si polici private policinë gjyqësore për të çuar në prokurori të gatshme mostrat e zërit të Agron Xhafës, të rregjistruar jashtë zyrave të prokurorisë.

Përdorën strukturën operacionale të policisë si polici private për të ndjekur Dëshmitarin X përpara se identiteti I tij të bëhej publik.

Atëherë, përse të mos e besojmë se këta po e përdorin sërish Policinë e Shtetit si polici private për të përgjuar edhe Kryetarin e opozitës?!

Ne e dimë se Edi Rama do të vazhdojë me mohimin derisa diçka më e madhe ta detyrojë të pranojë të vërtetën.

/Opinion.al

Share: