Home KRYESORE Gjenerali i Ramës kundër kampit për luftëtarët e ISIS: Çmenduri!

Gjenerali i Ramës kundër kampit për luftëtarët e ISIS: Çmenduri!

Nësë Bashkimi Europian do të kërkonte ndërtimin e një kampi për refugjatët apo për ushtarët e ISIS në Shqipëri me kusht hapjen e negociatave, kjo do të ishtë një çmenduri. Sandër Lleshi, këshilltar i kryeministrit Edi Rama për fushën e Sigurisë, mohon kategorikisht mundësinë që vendi ynë mund të kthehet në një kamp pritës për refugjatët që aspirojnë vendet e BE.

Për Sandër Lleshin kjo është vetëm një jehonë politike e disa qarqeve të huaja.

Sandër Lleshi: Po alarmohemi sot nga ca media të cilat i bëjnë jehonë axhendave politike të disa vendeve të caktuara të BE. Por vendimet për Shqipërinë nuk i merr kryeministri austriak, i marrin autoritetet e Shqipërisë dhe autoritetet e Shqipërisë nuk kanë asnjë artikulim që shkon në favor të ngritjes të ndonjë kampi refugjatësh në Shqipëri.

Ndërsa përsa i përket debateve rreth ndërtimit të kampit për luftëtarët e ISIS, këshilltari për Sigurinë i Ramës i quan spekulime “Made in Albania”.

Sipas tij deklaratat e kryeministrit bullgar janë keqkuptuar pasi Borisov e kishte fjalën për të sjellë ekspertë për Qendrën e Kordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe jo terroristë.

Sandër Lleshi: Do të ishte çmenduri që BE të na mbajë derën mbyllur ne sot dhe nesër kur të bëhemi vatër terroristësh të na e hapë. Ky është “Made in Albania” plotësisht si lajm, këtë e kanë krijuar vetëm shqiptarë të cilët janë mjaft të informuar si është e vërteta. Kryeministri Borisov tha është ide shumë e mirë dhe propozimin e Shqipërisë tha ne si Bullgari e mbështesim. Pra ne do të sjellim njerëzit tanë, për ekspertët e vet jo për terroristët.

Gjatë intervistës për Ora News, Lleshi sqaron edhe objektin e veprimtarisë së Qendres së Kordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm e cila është ngritur në Tiranë.

Sandër Lleshi: Misioni i saj është të kordinojë punën e institucioneve tona për të zbatuar një strategji kombëtare kundër ekstremizmit dhe kjo ishte ideja që këtë qendrën tonë ta bëjmë rajonale, të ftojmë ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të medias, klerit nga këto vende që të bashkojmë përpjekjet në kuadër të qendrës sonë.

Nga janari deri më sot përllogaritet se në vendin tonë kanë hyrë ilegalisht rreth 2500 refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme që destinacion fundor kanë vendet perendimore.

Edhe pse në mediat ndërkombëtare përflitet se Shqipëria tashmë është korridori i ri për refugjatët që duan të hyjnë në vendet e BE, për këshilltarin e sigurisë vendi ynë nuk është në gjendje alarmi, edhe pse sipas tij e ardhmja është e paparashikueshme.

Sandër Lleshi: Shqipëria nuk është vend tranzit por nuk ka asnjë nevojë për këtë çështje sepse Shqipëria nuk është përballur me ndonjë fluks ekstrem refugjatësh për të cilët duhen ngritur kampet dhe menaxhuar.Shqipëria i ka kapacitet pritëse për ata shtetas të huaj, refugjatë, apo të tjerë që kalojnë apo kapen që kalojnë në mënyrë ilegale në territorin shqiptar dhe këto qendra pritje e plotësojnë misionin që janë ngritur. E ardhmja nuk duhet se çfarë mund të sjellë por ne nuk presim flukse të mëdha.

Gratë dhe fëmijët e luftëtarëve shqiptarëve të ISIS kanë nisur të rikthehen dhe po i nënshtrohen procedurave. Mbi 100 luftëtarë shqiptarë së bashku me familjen e tyre janë larguar nga Shqipëria për të luftuar për llogari të ISIS.

Të githë mercenarët, siç dëshiron t’i quajë Sandër Lleshi, në rast se do të ktheheshin në Shqipëri do të përballen me ligjin, ndërsa për gratë dhe fëmijët e tyre qeveria ka një plan për rehabilitimin e tyre.

Ndërkaq Lleshi thotë se nuk do të pranohen familjarë të luftëtarëve nga Kosova dhe Maqedonia.

Qeveria dhe disa zyrtarë të vendeve të BE, siç është ai i Austrisë dhe i Danimarkës ndajnë qëndrime të ndryshme në lidhje me kampin e refugjatëve.

E tashmja është kontradiktore, ndërsa e ardhmja e pasigurt nëse Shqipëria do të ngrejë mure apo kampe për refugjatët.


360grade.al

Share: