Home KRYESORE Vrau nënën e babain në Dibër, i riu në polici: Më rrahën,...

Vrau nënën e babain në Dibër, i riu në polici: Më rrahën, kokën ma futën në kazan

Emigranti i sapokthyer nga Anglia vret me armë zjarri nënën dhe babanë e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në orët e mesditës në zonën e njohur si Llixhat në Peshkopi. Sipas Policisë, 26- vjeçari Qemal Sela ka qëlluar me armë automatike prindërit e tij, shtetasit Flamur Sela, 55 vjeç, dhe Zeqimete Sela, 50 vjeçe, të cilët gjetën vdekjen e menjëhershme.

Nisur nga gjendja e paraqitur pas krimit nga ana e të riut, ka dyshime se ai ka probleme me shëndetin mendor. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se, bazuar edhe në dëshminë e të afërmve të tij, dyshohet se ai ka pësuar tronditje të fortë psikologjike pasi është kapur nga Policia në Angli. Ai jetonte dhe punonte prej rreth 8 vitesh në këtë shtet, por mungesa e dokumenteve e ka penalizuar atë për ta kthyer deportiv.

Familja Sela jetonte në katin e parë të një godine katërkatëshe në lagjen “Llixha” në Peshkopi. Dje rreth orës 12:30, banorët, por edhe disa efektivë që janë ndodhur afër, kanë dëgjuar të shtënat e armës. Dyshohet se në familjen Sela ka pasur një sherr të mëparshëm në lidhje me godinën ku ata edhe banonin. Sipas të dhënave, familja jetonte në një pjesë të katit të parë, ndërsa pjesën tjetër bashkëshortët Sela e menaxhonin si hotel për qytetarët që vinin për t’u kuruar në llixhat e Peshkopisë. Ata trajtonin afro 70 pushues në muaj në hotelin e tyre.

Dyshimet e para ishin se ata u grindën për hotelin që shërbente për llixha. Policia bëri të ditur dyshimet se një natë para krimit brenda familjes Qemal Sela ka debatuar me prindërit, vëllain e motrën në lidhje me pronësinë e hotelit.

Emigranti u ka kërkuar llogari familjarëve të tij për paratë e dërguara gjatë tetë viteve, duke dyshuar se ato nuk janë menaxhuar si duhet ose mbahen të fshehura nga prindërit. Disa banorë janë shprehur në Polici se nata në familjen Sela nuk ka qenë aspak e qetë, por e tensionuar, e zhurmshme dhe e shoqëruar me sherre. Një tjetër pistë, e cila konsiderohet më e besueshme për hetimorët, është se i riu e ka kryer krimin e rëndë në kushtet e një tronditjeje të fortë psikike. Ai nuk e ka përballuar dot shkëputjen nga Anglia, ku kishte shkuar tetë vite më parë dhe punonte atje pa dokumente.

Në kushtet e kësaj tronditjeje, dyshohet se Sela nuk ka kursyer as prindërit e tij, me të cilët ka pasur edhe debat. Sakaq, edhe burime zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë Peshkopi pohojnë se gjendja e shëndetit mendor të Qemal Selës nuk është e mirë. Specialistët dhe drejtuesit dyshojnë se ai e ka kryer krimin e dyfishtë në kushtet e depresionit. Po sipas Policisë, i arrestuari për krimin e rëndë nuk ka dhënë sqarime rreth motiveve të vrasjes së prindërve.

“Na tha se e kanë burgosur në Angli, se ia kanë futur kokën në kazan me ujë, se e kanë rrahur, madje se nuk ka as prindër”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit, teksa konfirmuan se ka dyshime të forta në lidhje me shëndetin mendor të të riut./Lapsi.al

Share: