Home KRYESORE E vrau shokun e ngushtë me një plumb në gjoks, çfarë thotë...

E vrau shokun e ngushtë me një plumb në gjoks, çfarë thotë autori, familjarët dhe policia

Trupi i pajetë i Fatlind Arifit, 22-vjeç ishte gjetur 100 metra larg shtëpisë së tij. Ai mbrëmë u qëllua me një plumb në vendin e quajtur ‘Te Lapidari’, në fshatin Bresalc të Gjilanit. Dyshohet se vrasësi i Fatlindit ishte Liridoni, 26-vjeç, i arrestuar nga Policia. Familjarët e viktimës thonë se nuk i dinë motivet e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, familjarët e të dyshuarit thonë se vrasja ka ndodhur aksidentalisht.

Gazeta Express ju sjellë rrëfimin nga fshati Bresalc

Si çdo natë tjetër, Fatlindi, 22-vjecar, djali i vetëm i Gani Arifit, pas punës dilte me shokët për të qëndruar disa orë në vendin e quajtur ‘Te Lapidari’, në fshatin e tij të lindjes, në Bresalc të Gjilanit.

Por ndryshe nga netët e tjera, mbrëmë Fatlindi, nuk arriti që të kthehet i gjallë në shtëpi. Ai u vra nga shoku i tij, Liridon Uruqi me një plumb në gjoks. 22-vjeçari ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Gjilanit.

Gazeta Express gjatë ditës së sotme ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Familjarët janë të tronditur nga kjo ngjarje dhe thonë se nuk i dinë arsyet që çuan deri tek kjo vrasje.

Familja e viktimës: Nuk e dimë se si ndodhi ngjarja

“Nuk e dimë se çka ndodhë. Fatlindi doli si çdo natë tjetër. E sot na u kthye në arkivol. Nuk dimë asgjë nuk dimë”, thonë nga familja e të ndjerit.

Një kushëri tjetër i viktimës e përshkruan Fatlindin si djalë të qetë dhe jo problematik.

“Ka qenë i urtë. Kurrë sherr nuk ka pas me askënd. Njihet si djalë punëtor. Janë mundu shumë ai bashkë më babën e tij për me ba punë të mira’, thotë kushëriri i të ndjerit.

Fatlindi bashkë me babanë e tij Ganiun, kishin kohë qe punonin bashkë në një vend të njëjtë të punës. Ganiu, punonte si rojë e Fatlindi si zhytës në pishinën e Bresalcit.

Por sipas shokëve të viktimës dhe dorasit e gjithë ngjarja ka ndodhur aksidentalisht.

“Jemi kanë tu ndejtë. Liridoni veç ka dashtë me ja kallxu armën’, thonë disa fshatarë të Bresalcit të cilët tregojnë se ishin në vendin e ngjarjes.

Familja e të dyshuarit: Fatlindi ka qenë si vëlla për Liridonin tonë. Djali jonë është i penduar për këtë rast

Familja e 26-vjeçarit, Liridon Uruqi, i cili sipas policisë dyshohet për vrasje të rëndë, thonë se e gjithë kjo ngjarje ka ndodhur aksidentalisht. Nëna e Liridonit, tregon se djali i saj është penduar për këtë vrasje. Ajo thotë se Liridoni i tha asaj sot në mëngjes se aksidentalisht kishte gjuajtur me armë në drejtim të shokut të tij, Fatlindit.

“Liridoni sot ka ardh në shpi. Kemi fol me to. Fatlindin e ka pas shokë për shpirt. Ka ardhë te na ka ngrënë bukë në tavolinë me ne. Ama që i ndodhi kjo na jem të mërzitmë sa për ata sa për neve. Liridoni sot ka ardh ne shpi’, thotë nëna e të dyshuarit, Liridonit, i cili tashmë gjendet në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

Ajo tregoi se si Liridoni ia ka shpjeguar të gjithë ngjarjen.

“Na tha që i ka ra arma në tokë. Tu u kaqamitë më ta e ka marrë armën e ka gjujtë, kur e ka pa Fatlindin e kish rrokë. Tha më tha Fatlindi o Liridon me rroke. Prej aty tha e ka marrë Fatlindin me makinë e ka çu në spital. Tha më vdiq në duar të mija. Liridoni veç ka qajtë. Tha nuk po më dhimet vetja që hi në burg po më dhimbset djali i hasretit që e mora në qafë”, thotë ajo.

Babai i Liridonit, tregon se ditët në vijim do të shkojnë në familjen e viktimës per t’u kërkuar atyre falje për gjitbë këtë rast.

“Ne nuk kemi shku të familja e Fatlindit ende. Po presim edhe disa edhe të shkojmë’, thotë babai i Liridonit të dyshuar për vrasje.”

Policia: Liridoni dyshohet se e vrau Fatlindin pas një zënke

Por ndryshe nga familja e të dyshuarit për vrasjen e Fatlindit, mendon policia e shtetit. Këta të fundit në një deklaratë për Gazetën Exprss kanë deklaruar se e gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 pas një zënke qe Fatlindi kishte pasur me Liridonin, ku ky i fundit edhe e vrau 22-vjeçarin.

” Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orëve të mesnatës, pas orës 23:00. Nga hetimet e para është mësuar se ngjarja ka ndodhur pas një zënke që ka  kanë pas mes vete,  njëri nga të dyshuarit me inicialet L.U ka shtënë me armë zjarri në drejtim të F.A.  Viktima është dërguar në qendrën Emergjente këtu në Gjilan por mjekët aty vetëm e kanë konstatuar vdekjen. I dyshuari kryesor është arrestuar sot në orët e paradrekes. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari bashkë me vëllanë e tij të dërgohen për në paraburgim”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i policisë në rajonin e Gjilanit.

Sipas policisë për këtë rast janë intervistuar së paku gjashtë persona.

Trupi i pajetë i Fatlindi Arifit, 22-vjeçar, pas obduksionit do të varroset sot në varrezat e fshatit Bresalc të komunës së Gjilanit. Ky rast, sipas fshatarëve të asaj zone, është rasti i parë i vrasjes./GazetaExpress/

Share: