Home KRYESORE Nuk kaloi vettingun, reagon gjyqtari: KPK si komisarët e Kryeministrit

Nuk kaloi vettingun, reagon gjyqtari: KPK si komisarët e Kryeministrit

KPK ka vendosur të shkarkojë nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë Artan Broci, bazuar në kriterin e pasurisë.

Ndonëse nuk ka qenë i pranishëm në sallë gjatë dhënies së vendimit, Broci ka reaguar lidhur me këtë vendim, duke lënë të kuptojë se ai do ta ankimojë atë, me argumentin se pasuria e tij është e ligjshme dhe se ai i ka kaluar tre testet, te pasurise, profesional dhe ate te figures, por nuk ka kaluar ate qe ai e ka quajtur testin e nenshtrimit per çeshtje te ndryshme.

Reagimi

“K.P.K si komisaret politik te kryeministrit nuk dolen dot nga urdherat politik. U provova se te ardhurat e mija jane te ligjeshme te konfirmuara nga Tatimet, kalova ne pikepamjen time te tre testet Pasuror, Profesional dhe Figuren por nuk kalova dot testin e nenshtrimit per ceshtje te caktuara dhe ate te Kryetarit te Keshillit te Emerimeve ne Drejtesi. Beteja ime ligjore do vazhdoje deri ne fund. flm!” u shpreh ai.

Ne seancen degjimore ILDKPKI e konsideroi pa probleme pasurinë e gjykatësit, por KPK deklaroi në seancë se nga hetimi administrativ i tyre, janë konstatuar mospërputhje të deklarimeve nga ana e subjektit.

Komisioni relatoi më tej, se subjekti i është shmangur pagesës së taksave për qiranë e një ambienti në kryeqytet.

Njeriu që ushtron detyrën e gjykatësit prej 22 vitesh, dhe është ngritur në majën e sistemit, i rrëzoi gjetjet e Komisionit.

Broci i kujtoi Komisionit se me rezultatet e hetimit nuk është njohur për një kohë të gjatë.

“Materialet mu vunë në dispozicion vetëm pas kërkesës time, duke mos më dhënë mundësinë për një mbrojtje efektive”, theksoi ai.

Broci deklaroi se pretendimet nuk qëndrojnë, dhe se ka paraqitur 250 prova të reja të renditura në 58 faqe material.

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi u shpreh se ka paguar detyrimet tatimore, por drejtoria përkatëse nuk disponon dokumentit ndër vite.

Ndërkaq, ai këmbënguli se çdo qindarkë e pasurisë së tij është e justifikuar me burime të ligjshme, dhe për këtë shkak paraqiti kontratat origjinale noteriale.

Në shtyllën e vlerësimit profesional, Gjykatësi mori vlerësime pozitive, madje, Komisioni tha se është njohës shumë i mirë i legjislacionit italian, të cilit i referohet edhe në vendime.

Në përfundim Broci u shpreh shpresëplotë se do të marrë drejtësi.

“Si gjyqtar unë besoj tek ligji dhe provat, nuk besoj në fat. Besoj se Komisionit i provova së të gjitha pasuritë e mia janë të ligjshme, dhe sigurisht shpresoj që Komisioni në vendimmarrjen e tij të jetë i pavarur dhe i paanshëm”, tha Broci. / Panorama

Share: