Home KRYESORE Rita Petro i shkruan hapur edhe prindërve: …hera e parë që s’do...

Rita Petro i shkruan hapur edhe prindërve: …hera e parë që s’do grindeni pse u vonova.

Nga Rita Petro

Prindërit e mi të dashur, mbase na kanë munguar çastet për të ndarë bashkë fjalë dashurie dhe mirënjohjeje. Ju na i shprehnit ato me mënyra të tjera, ndonëse unë dhe motra ime sot sillemi më hapur me fëmijët tanë. Por ajo pse e shkruaj këtë letër është falenderimi i hapur për ju, që jam e bindur se do ta lexoni këtë letër, pavarësisht në cilën pikë të hapësirës qiellore ndodheni.

Jetuat në një kohë të vështirë kur vlerat njerëzore zor se ruheshin në kohën e diktaturës.

Ndaj…

Ju falenderoj hapur të dashur prindër

që na mësuat se dashuria është gjëja më e rëndësishme në jetë, por jo kur shndërrohet në varësi; se familja është e shenjtë, por jo duke humbur vetveten; se rrethet miqësore janë të çmuara, por sfidat duhet t’i kapërcesh me shpatullat e tua; se liria është lumturi, por pa shkelur mbi njerëzit dhe ligjin; se ambicia profesionale është më e rëndësishme se ambicia në karrierë, se biblioteka në shtëpi duhet mbushur me libra të mirë dhe jo për luks; se ushqimin duhet ta shijosh në një pjatë servirur me art, e jo të mbushësh barkun, se duhet shijuar jeta me miqësi e verë të vërtetë.

Ju nuk ishit të përsosur, por ja që te Rruga e Kavajës ju quanin “çifti i lumtur”, se përsosmëria juaj qëndronte te origjinaliteti juaj.
Ju kemi çdo ditë afër fare me vendbanimin tuaj të ri dhe me kujtimet që na vërtiten duam apo s’duam “nëpër këmbë”. Hahaha e di që s’do t’ju mbetet hatri, prandaj jeni prindër të përsosur.
Me shumë dashuri
Ritushka juaj

P.S. Vetëm se nuk dua t’ju takoj me padurim… ju duhet të prisni goxha kohë, dhe jam e bindur që do të jetë hera e parë që s’do grindeni pse u vonova.

Share: