Home KRYESORE Alarmi/ Nëse toka ngrohet me 2 gradë, klima dhe oqeanet …

Alarmi/ Nëse toka ngrohet me 2 gradë, klima dhe oqeanet …

Mund të ngjasojë si skenari i një filmi fantastiko-shkencor me buxhet të ulët, por për shkencëtarët, Toka-serrë është një koncept shumë serioz.

Kërkuesit besojnë se shumë shpejt mund të kapërcehet kufiri që do të çojë në temperatura përvëluese dhe rritje të niveleve të detit për shekujt që do të vijnë.

“Edhe nëse vendet e botës ia dalin të plotësojnë objektivat e tyre për emetimin e dioksidit të karbonit, ne ende mund të vijojmë të ecim në këtë rrugë pa krye”, thonë ata.

Studimi i tyre tregon se çfarë mund të ndodhë nëse temperaturat globale rriten me 2 gradë Celsius. Një ekip ndërkombëtar kërkuesish për klimën thonë se, ngrohja e pritshme në dekadat e ardhshme mund t’i kthejë disa nga forcat natyrore të tokës, që aktualisht na mbrojnë, në armiqtë tanë.

Çdo vit, pyjet, oqeanet dhe toka thithin rreth 4.5 miliardë tonë karbon, që përndryshe do të përfundonte në atmosferë duke rritur temperaturat. Por, ndërsa bota po përjeton nxehjen, kjo hinkë karboni mund të shndërrohet në burim karboni dhe t’i përkeqësojë edhe më shumë ndryshimet e klimës.

Frika është se, sa më shumë i afrohemi rritjes me 2 gradë të temperaturave krahasuar me nivelet paraindustriale, aq më të mëdha janë mundësitë që aleatët natyrorë të nxjerrin më shumë karbon nga sa thithin tani.

Në vitin 2015, qeveritë e botës u angazhuan t’i mbanin temperaturat nën 2 gradë Celsius, por sipas autorëve, planet aktuale për reduktimin e karbonit mund të mos jenë të mjaftueshme.

Aktualisht, temperaturat janë rritur me 1 gradë krahasuar me nivelet paraindustriale, e po rriten me rreth 0.17 gradë për çdo dekadë. Siç shkruan Top Channel, kalimi në periudhën e Tokës-serrë do të shoqërohej me temperatura më të larta se në 1.2 milionë vitet e shkuara.

Falë shkrirjes së akullnajave, niveli i detit do të rritej me 10-60 metra, e në thelb, disa pjesë të tokës do të ishin të pabanueshme. Pasojat në këtë mënyrë do të ishin të rënda./Lapsi.al

Share: