Home KRYESORE Bujar Nishani: Përse nuk ndalet trafiku i drogës nga Shqipëria ?!

Bujar Nishani: Përse nuk ndalet trafiku i drogës nga Shqipëria ?!

Vetëm gjatë kësaj fundjave u arrit të sekuestrohet në territorin e dy vendeve tona fqinje përsëri sasi e e madhe droge e trafikuar nga Shqipëria.

Në Itali gjysëm toni drogë, në Greqi 125 kg.

Impotenca e forcës së ligjit për të goditur krimin e organizuar që lëviz lirshëm nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendeve të tjera evropiane tashmë nuk është më as lajm e as një “alarm”.
Pajtimi me modelin e qeverisjes me krimin dhe për krimin nuk ka më maskë e mbulesë.

Sigurisht që përgjigja standarde e qeverisë shqiptare edhe në këtë rast do ishte : “Çar problemi ka, po të kishin ndonjë shqetësim me drogën dhe krimin që ju dërgojmë, do flisnin të parët qeveritë evropiane, do fliste Brukseli, ku është problemi këtu ?!!”

Në fakt ne shqiptarët kemi më së shumti e më parë hallin dhe problemin tonë, jo atë të miqve ndërkombëtar të qeverisë së Tiranës.

Neve na shqetëson dhe po na fundos gjithmonë e më shumë arsyeja e parë e kësaj mos ndalje.

Lidhja krim-pushtet !

Ndërsa ne provuam në dekada të tëra izolimin, varfërinë, prapambetjen, atrofizimin shoqëror, deformimin human nga një rregjim që në filozofi, praktikë dhe synim kishte pikërisht mbajtjen e pushtetit dhe sundimin e qytetarëve përmes, varfërimit dhe dhunës.

Mashtrimit dhe krimit shtetëror, pasurimit të bllokmenëve dhe rrjepjes së popullit.

Sot, pas një ëndërre që zgjati fare pak, rilindi përsëri i njëjti model monstër.

Nuk kemi më Sigurimin e Shtetit dhe çizmet e dhunës proletare por grupet e krimit të organizuar të rrjeshtuar po nga pushteti politik, në shërbim të pushtetit politik dhe të sponsorizuar e shpërblyer majmërisht po nga pushteti politik.

Nuk kemi më Byronë Politike dhe oborrin e Bllokut por kapobandë dhe oligarkë që shkëlyejnë çdo copë e lëkurë që shohin cep më cep këtij vendi.

Ushtria e dajakut paraelektoral dhe farsës elektorale duhet ushqyer.

Ndaj droga dhe trafiku i saj nuk ndalet e s’do të ndalet deri kur vetë modeli monstër të ndalet.

Kapja dhe përdorimi i policisë është arsyeja tjetër që ne shqiptarëve na shqetëson e preokupon !

Mund të rendisësh arsye e fakte pa fund për këtë dhimbje.
Por të mbetemi veç tek çka është publike dhe e ditur masivisht.
Rasti i vetëm i zbulimit të varësisë së drejtuesve të policisë nga krimi erdhi nga Italia.

Hetimi i grupit kriminal e politik të Habilajve denoncoi edhe drejtues të lartë të policisë si anëtarë aktiv të këtij grupi kriminal e politik.

Cironkat u kapën (edhe ata veç në Itali), shefat policë u larguan në drejtim të paditur.
Asnjë rast tjetër i zbuluar nga policia shqiptare !

A ka raste të tjera ?
Nëse rasti i bandës së Habilajve nuk do ishte ndjekur e zbuluar nga policia italiane, policët e inkriminuar do ishin sot ende në detyrë, do vijonin aktivitetin e tyre e do na bënin edhe moral ne të tjerëve për sukseset e tyre në luftën kundër krimit dhe në shpëtimin e refugjatëve që enden si viktima të babëzisë politike ndër dete.

Krimi dhe politika e inkriminuar, politika e inkrimimuar dhe krimi i organizuar si simbiozë fondamentale e modeleve autokrate nuk mund të ndihen të qetë e të garantuar pa kontrollin mbi sistemin e drejtësisë.

Kapja e drejtësise nuk është veçse një objektiv dhe komardare për politikanët e korruptuar që i tmerrohen të nesërmes por edhe e miqve të tyre kriminel.

Të ty këta ortakë, duke kapur drejtësinë kanë garancitë absolute për pandëshkueshmëri e vijimësi.

Kapja e drejtësisë i shërben korrupsionit qeveritar dhe krimit bashkëudhëtar.

Këta të dy janë të vetmit fitimtar nga drejtësia e kapur.
E për këtë ja vlen të shpenzohen disa miliona nga makineria që lan papushim, madje me energji falas.

Padyshim dimensioni social ka ndikimin e vet.

Varfërimi i mëtejshëm i qytetarëve i bën ata vunerabël ndaj varësisë tek aktiviteti kriminal i grupeve të trafikut ose të përfshirjes drejtpërdrejt vetë tek kultivimi dhe trafiku i drogave.
Kjo si alternativa e vetme për mbijetesë.

Jo pa qëllim fermeri dhe agrobujqësia janë çuar në agoni.
Dajaku ndaj tufës së vyshkur të majdanozit mbi trotuarët me beton miliona eurosh është zgërdheshja më cinike e modelit të rilindur.

Sepse ne harruam shumë shpejt !

Siamezët krim-pushtet, ligji në këllëfin e njëjtë me koburen e kapos, prokurori e gjyqtari si çentralisti në kabinën e acartë mes stepave me ujqër nuk do ta lejojnë dot kurrë trafikun e drogës të ndalet.

E ky trafik nuk do lejojë të ndalet vuajtja, varfëria, tallja e ikja me shqiptarët e për shqiptarët.

E si përthyerje të fundshpinës ndaj ikjes së tyre, vihet në skenën e shqyer të teatrit dramatik, komedia me strehim refugjatësh prej Italisë së madhe drejt Linzës së shpirtmadhësisë së kapos.
Ndaj droga drejt Italisë nuk ndalet.

Se ne mund të bëhemi fare pa problem edhe lolo në komedinë e mjeranëve refugjatë që enden si lodra të politikës mes detesh.

Share: