Home KRYESORE I përjashtuar menjëherë nga kopshti i Edenit Stephen Catanzarite

I përjashtuar menjëherë nga kopshti i Edenit Stephen Catanzarite

Ose meditime mbi dashurinë në albumin “Achtung Baby” të U2

Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi

Shumë shumë kohë më parë, diçka shumë e keqe erdhi nga qiejt në tokë, e cila mori gjithçka dhe këdo me vete. Edhe njeriu i rregulluar më së miri në këtë botë, I mbushur plot e përplot me optimizmin që të jep drita e diellit, i pajisur me predispozitën për ta parë vetveten të çmuar më së larti, e pranon se bota është shpesh një vend I errët dhe I rrezikshëm, dhe se njerëzit, ndonëse të aftë të të çudisin me mirësinë dhe ëmbëlsinë e mirësjelljes së tyre, shpesh kryejnë akte të një ligësie të parrëfyeshme. Gjërat në marrëdhënie me ne dhe me botën thjesht nuk janë të drejta. ”Jeta-tha Buda-është vuajtje”. ”Çfarëdo që ne jemi-tha Agustini_-ne nuk jemi ata që duhet të jemi”. Fulton Sheen e përshkruan njeriun si një “vend konflikti”, dhe në librin e tij klasik “Paqja e Shpirtit”, ofron një shpjegim mbi origjinën e këtij konflikti nëpërmjet një analogjie muzikore:

“Pikturo një orkestër mbi një skenë, me një dirigjent të famshëm I cili drejton një simfoni të bukur që e ka kompozuar vetë. Çdo pjesëtar I orkestrës është I lirë të ndjekë dirgjentin, dhe në këtë mënyrë të japë harmoninë. Por secili pjesëtar I orkestrës është gjithashtu i lirë të mos I bindet dirigjentit. Le të supozojmë se një nga muzikantët me paramendim luan një note false, dhe kjo shërben si shkak që edhe nje violinist tjetër pranë tij të bëjë të njëjtën gjë. Pasi e dëgjon disonancën e shkaktuar, dirigjenti mund të bëjë një nga këto dy veprime. Ai ose mund të trokasë shkopin e tij duke urdhëruar që masa muzikore të riluhet, ose mund ta injorojë disonancën. Nuk do të kishte asnjë lloj ndryshimi se cilin veprim do të zgjidhte të kryente dirigjenti, sepse disonanca e krijuar tashmë ndodhet në hapësirë…mbetet atje dhe vazhdon më tej të përsëritet pafundësisht …, duke ndikuar edhe rrezatimin më të vogël të universit. Si një gur I hedhur në një përrua që shkakton valëzime të cilat ndikojnë edhe bregun më të largët, kështu kjo disonancë ndikon madje edhe mbi yjet.Deri në fund të kohës, diku në Universin e krijuar nga Zoti, do të ketë një disharmoni të vënë në lëvizje nga vullneti I lirë I njerëzimit”.

Kjo analogji muzikore, natyrisht, është sipas historisë së njohur si Rënia e Njerëzimit. Siç rrëfehet në librin e Gjenezës, perëndia e krijoi burrin dhe gruan e parë sipas imazhit të tij, dhe I vendosi në një kopsht prrallor dhe të mrekullueshëm, të mbushur me bukuri dhe hijeshi. Kopshti do të qeverisej nga ndjenja e dashurisë, dhe Zoti e shqiptoi qartë se çfarë nënkuptonte kjo; se burri dhe gruaja do të jetonin në harmoni me Perëndinë, me njëri-tjetrin, dhe me çdo krijesë tjetër të krijuar prej zotit. Zoti u dha atyre gjithashtu lirinë-domethënë vullnetin e lirë-thënë ndryshe mundësinë dhe aftësinë që-të shtyrë prej dashurisë- të bënin vetë krijime të bukura. Duke qenë të lirë, burri dhe gruaja mund të zgjidhnin t’i bindeshin ose jo zotit, por kjo nuk u kishtë shkuar kurrë ndërmend deri ditën kur djalli ju afrua rrëshqanthi. Duke i bindur se Zoti ishte duke luajtur me ta, dhe po i mbante gjërat më të mira për veten e tij, ai u sugjeroi që t’i merrnin vetë punët në dorë. Duke ushtruar lirinë e dhënë prej Zotit, fillimisht gruaja dhe pas saj burri, tejkaluan mundësitë dhe shkelën kufijtë e tyre, duke ngrënë nga frytet e pemës që Zoti e kishte rezervuar për veten e tij, duke shkaktuar fillimin e një katastrofe ekologjike me dimensione të amëshueshme.Pasi e ndotën kopshtin me njollën e egoizmit të tyre, Adami dhe Eva fituan për veten e tyre, por edhe për ne-bijtë e tyre shpirtërorë-, një biletë me sens të vetëm-daljen jashtë nga Eden.Koston për të hyrë serish në të, as ata dhe as ne nuk do ta kemi kurrë mundësinë për ta përballuar, ndaj mbetemi në ekzil jashtë Edenit edhe sot e kësaj dite, ende të prekur nga aromat dhe të magjepsur nga jehona e tingujve që notojnë në ajër dhe vijnë prej tij, por gjithashtu ende duke vallëzuar majë plehut të neveritshëm të shkaktuar nga melodia e çakorduar e Djallit.

Secila nga këngët e “Achtung baby” ofron një variacion mbi këtë vijë melodike. Të marra sëbashku, të gjitha këngët e albumit ofrojnë një meditim të brendshëm mbi Rënien dhe pasojat e rënies tonë. Gjejmë në to gjithçka, potencialin tonë që nuk njeh kufij për të ëndërruar, zbuluar, dhe ndërtuar, si dhe telashin që shkakton konfondimi I lirisë me ndërgjegjen e të ndjerit të lejuar për gjithçka, endjet dhe bredhjet në rrugët me emra dhe pa emra, në kërkim të paqes dhe arratisjes nga realiteti, ndriçimin dhe faljen, dashurinë ose dominimin, etjen dhe dëshirën e zemrave tona për unitet ndërmjet njeriut dhe zotit, burrit dhe gruas, vëllait dhe motrës, prindit dhe fëmijës, ashtu si dhe frikën, vjedhjen, dhe krenarinë në mëndjet tona që shqetëson dhe familjet më të lumtura; zbulesën e faktit se ne në të vërtetë jemi sajuar jo vetëm të mrekulueshëm por edhe të frikshëm, pranimin e trishtë të thyeshmërisë tonë, shkëlqimin e besnikërisë dhe apelin e joshjes, vezullimin e shndritshëm që shkakton magjepsjen dhe joshjen tonë pas të ligës, dhe efektin shkatërrimtar të mëkatit. Në krye të saj qëndron paradoksi I rrënjosur në kohë, por I destinuar të zgjasë deri në amëshim-e çara me formën e Zotit që ndodhet në qendër të qeines tonë, dhe përpjekjet tona të kota për ta mbushur atë me gjithëçka, diçka, ose çfarëdo tjetër të ndryshme, përveç Zotit.

Këto paradokse, kontradikta, inkonsistenca, dhe hipokrizi që përkshkojnë ekzistencën tonë, shprehin diçka shumë të rendësishme rreth thelbit të rënies tonë.Ne nuk jemi, siç dikush na ka konsideruar, krejtësisht të shthurur dhe të shkapërdredhur. Pa dyshim diku thellë brenda vetvetes, me raste më shumë dhe me raste më pak, ne ende e dimë ndryshimin ndërmjet të mirës dhe të keqes, ndërmjet të drejtës dhe të gabuarës, dhe ndërmjet të bukurës dhe të shëmtuarës. Dhe secili prej nesh, kush më pak dhe kush më shumë, ndjehemi të tërhequr të bëjmë atë që është e drejtë, ndonëse njëkohësisht kemi prirjen e dallueshme për të bërë aktin a gabuar. Në librin e tij “Hakmarrja e Ndërgjegjes”, filozofi politik J.Budziszeëski, argumenton se rënia në vetvete është një paradoks. ”Ne nuk jemi as thjesht të mirë, dhe as thjesht të këqinj- thotë Budziszeëski- por të krijuar të mirë dhe më pas “të thyer”, thyrje që na ka shkaktuar një vuajtje emocionale kaq të fortë, sa na ndryshuar mënyrën e jetesës.Ne nuk jemi pra, një shëmti e plotë dhe e pastër, por një bukuri e rrënuar”. Ka diçka sadopak të mirë në më të keqin midis nesh, dhe diçka sadopak të keqe tek më i miri.”

Si meloditë ashtu edhe lirikat e këngëve të albumit Achtung Baby, e kapin këtë Zeitgeist-in të botës sonë të rënë.Të gjitha meloditë e albumit të shtangin, dhe të shtangin me thjeshtësinë e tyre-por të hedhura përkundër, përreth dhe në krye të arranzhimeve komplekse, që rrjedhin dhe derdhen me tepri nëpërmjet piskamave të tingujve grykorë, tingëllimave rrapëllitëse dhe acaruese, të rrahurave fshikulluese, dhe tendosjeve të zërave dekadentë. Improvizimet me kitarë, të shtresëzuara dhe të dhëna mjeshtërisht, janë gjithashtu të rregullta dhe plot hir, jokonvencionale dhe ekscentrike.Linjat e basit janë solide por të elektrizuara, të cilat I bën akoma më angazhuese ekscentrizimi I tyre i çuditshëm I stilit anglez.Të rrahurat diku aty janë të drejtpërdrejta dhe të ashpra, dhe diku tjetër janë plot shije dhe të përmbajtura; thjesht të natyrshme por njëkohësisht të përmbytura me ndërlikime të përpunuara, ato shpesh me guxim artistik ngrenë dhe mbajnë pezull gjithçka tjetër në nivelin më të lartë të vëmendjes artistike, falë këtyre miksimeve të shkëlqyera dhe mjeshtërore. Miksimet në vetvete, ndonëse të paketuara dendur me një gamë të gjerë modelesh dhe elementësh zanorë, shpesh shpërbëhen dhe shkatërrohen në melodi dytësore, të mbushura me hapësira boshe, kaq të brishta dhe të përthyeshme, sa të krijohet frika se një këngë do të copëtohet nëpër fragmente, dhe do të humbasë.

Dhe pas tyre janë zërat.Pasioni dhe eleganca, bukuria dhe hiri, dëshpërimi dhe etja e dëshirueshme, epshi dhe vrasja e ndërgjegjes, e vërteta dhe konfuzioni, të komunikuara në çdo note muzikore të vokalizuar tek Achtung Baby, provojnë dy gjëra të rëndësishme mbi muzikën. Së pari, asnjë instrument nuk është më I fuqishëm dhe I zhdërvjelltë sesa zëri njerëzor.Së dyti, nuk duhet gjithmonë të këndosh në kordën qëndrore për të nxjerrë muzikë me bukuri që zgjat dhe mbetet në kohë. Ashtu si kitarat, zërat njerëzore janë me shtresëzime të pasura, duke krijuar një “sixhade” me dritëhije të ndryshme, që fillojnë nga e zeza e errët, tek bluja e thellë, dhe e kuqja e ndezur.Hungërimat e ftohta, ariet fluturuese dhe të paarritshme, psalmet fantazmagorike, si dhe falsetot komike, shkrihen dhe përplasen tek njëri-tjetri pa kurrfarë kufizimi.

Lirikat janë poetika e rënies. Përsëritje deri në mërzi të frustrimit dhe keqardhjes, vetëmburrje që u ngjajnë slloganeve, thirrje për apel si ato të psalmeve, shtysa për rrëfime të pashenjta, nxitje, të cilat shtrijnë në maksimumin e tyre kufijtë e asaj çfarë është e mundshme dhe e pranueshme në një këngë rock.Këngët ne vetvete gjithashtu nxisin kundër mbështjellës së pritshmërive, duke marrë strukturën tradicionale të të shkruarit të vargjeve dhe korin e një kënge pop, duke kaluar si urë më pas mbi të, dhe në fund duke e përmbysur. Achtung Baby është në vetvete një paradoks, një album I errët dhe trazues mbi rrënimin, I cili ka një bukuri të habitshme, dhe është njëkohësisht së tepërmi frymëzues.Ndemjet që hapin “Zooropa” rikrijojnë rënien tonë të parë nga hiri. Disa momente të fundit të Parajsës dëgjohen dobët për t’u larguar dhe zhdukur, përpara se një kitarë me nam e grin copë e çikë kubenë qiellore.

Share: