Home KRYESORE Shembja e urës ne Genova, një tragjedi e paralajmëruar!

Shembja e urës ne Genova, një tragjedi e paralajmëruar!

45 metra e lartë dhe e gjatë 1,182 metra. Mbështetej në tre shtylla betoni të armuar që arrinin 90 metra lartësi. Që nga inaugurimi në 1967, ura Morandi ka shkaktuar gjithmonë polemika. Në fillim ishte kostoja e lartë e ndërtimit, më pas mirëmbajtja e kushtueshme.

Hipoteza e parë për shkakun e rënies së urës xhenoveze që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe të plagosur, flet për një strukturë të shembur për shkak të peshës së automjeteve, por janë të shumtë ata që flasin për “një tragjedi të paralajmëruar”.

Mbi urë qarkullonin çdo vit 25.5 milionë automjete dhe trafiku ishte rritur me 40% në 30 vitet e fundit dhe parashikohej një rritje me 30% në 30 vitet e ardhshme sipas La Repubblica, shkruan Dita.

E quanin Ura Morandi në nder të inxhinierit që e projektoi, Riccardo Morandi dhe ndërtimi i saj zgjati katër vjet. Njihej edhe si Ura e Bruklinit, për shkak të ngjashmërisë së saj me të.

I njëjti inxhinier ndërtoi Urën Gjeneral Rafael Urdaneta, që kalon Liqenin Maracaibo në Venezuelë dhe që u fundos dy vjet pasi u inaugurua pas përplasjes me të, të një anijeje nafte. “Mundësia e një ngjarjeje të këtij lloji gjatë ndërtimit të saj nuk është marrë parasysh”, argumenton faqja e specializuar në inxhinieri Ingegneri.info.

I njëjti forum i referohet analizës kritike të shembjes së urës në Xhenova, inxhinierit Antonio Brencich, profesor në Universitetin e Xhenovës i cili në vitin 2016 e cilësoi urën si “dështim të inxhinierisë”. “Kjo urë është bërë keq dhe herët ose vonë duhet zëvendësuar. Nuk e di kur, por do të vijë koha kur kostoja e mirëmbajtjes do të jetë më e lartë se ndërtimi i një të reje”.

Eksperti flet për “aspekte të ndryshme problematike”,  mes tyre edhe një plan jo horizontal i rrugës.

“Që në fillim të viteve ’80, ai që përshkruante urën ishte i detyruar të kalonte nëpër ulje-ngritje të planit për shkak të zhvendosjes së strukturave”,  shpjegon profesori.  “Vetëm me korrigjime të përsëritura të nivelimit është arritur një plan i sheshtë i pranueshëm gjysmë-horizontal”.

Në fakt ura mbi lumin Polcevera i është nënshtruar rehabilitimit shpesh herë. Janë zëvendësuar kabllot e mbajtjes të cilët ishin shumë të hollë për një strukturë aq të madhe dhe janë korrigjuar çarjet e betonit, shumë i degraduar për një ndërtim që mendohej të kishte një jetëgjatësi një shekullore.

Sipas Ingegneri.info, nuk është marrë në konsideratë as gjatë ndërtimit dhe as gjatë rikonstruktimit, impakti i një tërmeti me një intensitet të caktuar.

Në vitin 2009 ura Morandi u bë subjekt i një debati pas publikimit të një raporti mbi unazën e re që “Autostrade”, koncesionarja më e madhe e autostradave në Itali do të ndërtonte. Mes alternativave përfshihej edhe prishja e urës, por pjesëtarët e partisë sot në qeverisje, 5 Yjet, e kundërshtuan, duke e cilësuar si një vepër historike.

Rrëzimi ndodhi gjatë një stuhie të tmerrshme, ku pati edhe gjëmime dhe rrufe të fuqishme.

Në rrjet kanë nisur – siç ndodh shpesh në historitë e tilla – shkaku të kërkohet dhe në qiell – pasi edhe atmosfera e rrëzimit ishte apokaliptike.

Prokuroria ka nisur menjëherë hetimet, ndërkohë që partitë fajësojnë njëra-tjetrën.

o.j/dita

Share: