Home KRYESORE Skenarët për trazira/ Haradinaj me deklaratë të fortë pas Këshillit të Sigurisë

Skenarët për trazira/ Haradinaj me deklaratë të fortë pas Këshillit të Sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit urgjent me Këshillin e Sigurisë së Kosovës ka vlerësuar se situata e sigurisë në vend është e qetë. I pyetur për paralajmërimet për shpallje të autonomisë në veri të vendit, Haradinaj ka thënë se kjo është një retorikë nga Beogradi.

“Nesër grupi punues mund ta dorëzoj raportin për draft statutin e asociacionit. Ne nuk kemi dal nga obligimet tona të marra në Bruksel, sepse ne kur e marrim raportin duhet të sigurohemi që është në përputhje me ligjet tona. Askush nuk e ka të drejtën të ndërmarr veprime të njëanshme”, ka thënë Haradinaj.

Ai në një konferencë pas takimit me Këshillin e Sigurisë ka thënë se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile por se kanë kërkuar  rritje të numrit të forcave në rast të ndonjë ngjarje.

I pyetur për paralajmërimet për shpallje të autonomisë në veri të vendit, Haradinaj ka thënë se kjo është një retorikë nga Beogradi.

Sipas tij, nëse dikush del nga marrëveshja ndërkombëtare, do të marr përgjigje nga organet e rendit dhe ligjit.

“Nëse dikush del nga ligjet e Kosovës dhe marrëveshja, ligji do të veproj, nuk ka dilema, do të marr përgjigjen e vet. Sa i përket veriut, ne çdo herë kemi mirëpritur ardhjen e çdo qytetari të botës tek ne dhe po pritet mirë në çdo pjesë të Kosovës, e kushdo që hyn në territorin e Kosovës me qëllim të prishjes së rendit dhe ligjit, do të marr përgjigje nga ligji ynë. Jemi në gjendje gatishmërie nëse ka prishje të rendit dhe ligjit”, ka përfunduar Haradinaj.

Skenaret per trazira, Haradinaj mbledh Keshillin e Sigurise 

Një ditë pasi u përmendën skenarët për trazira të mundshme në veri, ku u tha se serbët mund ta shpallin autonominë e veriut si përgjigje që pala kosovare nuk po e formon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kryeministri Ramush Haradinaj ka thirrur sot një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës “për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend”.

Gazeta Express ka siguruar një ftesë që Haradinaj ua ka dërguar përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës që përfaqësohen në këtë Këshill, për të marrë pjesë në këtë mbledhje.

Dje u bë e ditur se krerët e Policisë së Kosovës kanë marrë vendim për t’ua pezulluar pushimet pjesëtarëve të Policisë pa dhënë më shumë shpjegime.

E në skenarin që e publikoi Prifti Sava Janjic për situatën në veri të Kosovës thuhet se Policia e Kosovës do të intervenonte menjëherë pasi serbët të shpallnin autonominë.

Ndërkohë, përfaqësues të Listës Srpska këto deklarata i kanë quajtur spekulime dhe dezinformata./Ekpsress

Share: