Home KRYESORE DY FJALË RRETH ROMANIT ‘‘JETË E STUHISHME’’

DY FJALË RRETH ROMANIT ‘‘JETË E STUHISHME’’

Nga Robert Martiko*

Pasi ke lexuar romanin ‘‘Jetë e Stuhishme’’ me autore shkrimtaren e talentuar Margarita Stoja, përmes ngjarjesh të ndodhura në gadishullin Apenin, ende ndien flladin e ëmbël të një bote evropiane, ku konflikti edhe pse jo i shfaqur në trajtë dramatike, apo të dhunshme, vijon të preokupojë me endje mendjen e lexuesit.

Është e vërtetë që nuk mund të ekzistojë një prozë narrative pa intrigë, por në rastin e këtij shkrimi tërheqës bëhet fjalë për një lloj konflikti që është i paevitueshëm në jetën shoqërore. Madje edhe në një vend si Italia që është vendi i parë në Kontinentin e Vjetër, ku filloi Rilindja Evropiane. Me fjalë të tjera, për të shkruar një prozë tërheqëse nuk është nevoja në mënyrë të domosdoshme të përpiqesh të gjesh medoemos tema epike, subjekte me thika të lara me gjak, që kanë në qendër përplasjen e përjetshme dostojevskiane, midis të Mirës dhe të Keqes. Parë në këtë prizëm e duke pasqyruar në roman një shoqëri relativisht të civilizuar ‘‘Jetë e Stuhishme’’ është një vepër e kompletuar e me vlerë për tu lexuar.

Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se në libër bëhet fjalë për natyrën shpirtngushtë e meskine të anëtarëve të një familjeje italiane ndaj heroinës kryesore, Roza Budinës. Është një qëndrim negativ që ndryshon jo në thelb por në pamje të jashtme, vetëm kur Roza gjendet në prag të vdekjes. Dhe kjo për shkak të interesit, përfitimit material nga akti juridik i testamentit të saj pasuror. Është një fenomen i tillë njerëzor nga i cili nuk mund të shpëtojnë jo vetëm italianët por edhe shoqëri të tjera, akoma më të civilizuara si vendet e Evropës Veriore. Sigurisht pa të famshmen ‘‘vendétta’’, hakmarrjen me gjak, si karakteristikë tragjike vendesh të pa emancipuara.

Më ka rastisur të kem dëgjuar në fëmijërinë time rreth kthimit të Marko Polos në Itali, pas një udhëtimi të gjatë shumëvjeçar nga Kina e largët. Pas vitesh të tëra mungese në Venedik, tregtari dhe zbuluesi i famshëm italian, thonë se u shfaq para farefisit të tij i veshur me rroba leckamani. Kur e panë në atë gjendje, askush nga të pranishmit nuk deshi ti jepte të njohur. Iu leverdiste më mirë të konsiderohej i vdekur, se sa t’iu futej në ndarjen e pasurisë. Ashtu i refuzuar, dyshuar, përgojuar e i akuzuar keq si mashtrues, Marko Polua preu me thikë një xhep të brendshëm të rrobave të tij. Ranë në dysheme florinjtë e parë. Të pranishmit u ndien të befasuar. Paskëtaj Marko Pollua preu një tjetër xhep, nga ku filluan të binin në tokë xhevahire të shumta. Nuk arriti të priste xhepin e tretë kur gjithë anëtarët e sojit e sorollopit të tij, të ekzaltuar, filluan të bërtisnin me të madhe: ‘‘Ti je me të vërtetë Markua ynë i dashur dhe i paharruar!’’

Libri ‘‘Jetë e Stuhishme’’ zhvillohet në një ambient të përshkruar me kujdes nga Margarita Stoja. Zgjuarsia e Klarisës me origjinë shqiptare e cila në vetën e parë trajton gjithë zhvillimin e ngjarjes, tregon se ka ditur ti adaptohet mrekullisht shoqërisë italiane. Madje shpirtërisht ajo qëndron më lart nga fisi egoist i Roza Budinës. Është gjë e rrallë dhe po aq e admirueshme kur njeriu di ti adaptohet një kulture të re, duke ruajtur në themel të paprekura parimet morale, njerëzore, të zgjedhura, falë edukatës së marrë në familjen e vet. Kur është në gjendje ti ballafaqojë e filtrojë principet etike, për të ndërtuar një vetvete akoma më të mirë. Shumica e emigrantëve të ardhur nga gjithë bota shkon në vendet e Civilizimit Evropian pa pasur aftësinë vetëndriçuese, për të ndryshuar. Për fat të keq mbetet e njëjtë e me sy përjetësisht të mbyllura. Është diçka fatale që pa e kuptuar kalon edhe te brezat pasardhës.

Si konkluzion antropologjik rreth romanit ‘‘Jetë e Stuhishme’’, mund të thuhet se midis gjithë personazheve të romanit dallon Klarisa e cila i ka shërbyer me besnikëri, dashuri e mirësi të veçantë Rozës. Është diçka që e ka bërë pa interes. Do të isha i fundit në këtë botë të pohoja se mirësia gjendet në shtresat e varfra, siç nuk do të mbështesja mendimin për skajin tjetër: shtresat e pasura. Shkrimet e para filozofike në botë me origjinë nga Greqia e Lashtë, që qëndrojnë edhe sot e kësaj dite në themel të Civilizimit Perëndimor, historikisht duke u bërë shkak për zhvillimin e tij, patën dy avantazhe të mëdha. E para sepse u shkruan nga individë me të vërtetë gjenialë dhe e dyta sepse analiza filozofike nuk i drejtohej athinasit, spartanasit, mirmidonasit, kretanit, banorit të Azisë së Vogël apo tebanit, por Njeriut në përgjithësi. Teoritë false dhe të fantaksura rreth racave të zgjedhura e me yll në ballë përkrahen vetëm nga propagandat vëllavrasëse apo njerëzit fare të cekët e të sipërfaqshëm të kësaj Bote. Njeriu është ai që është: me origjinë nga xhungla dhe me prejardhje prej asnjë lloj Parajse Tokësore. Ndryshimi i tij, në rrugën e gjatë mijëvjeçare, nga kopeja primitive në shoqërinë e individualizmit të përgjegjshëm evropian, vjen vetëm nga një lloj retine e bukur në sy, cilësi e individëve të veçantë, që dinë me mençuri të ndajnë të mirën nga e keqja.

Këtë linjë ndjek edhe shkrimtarja Margarita Stoja, duke i lejuar vetes vetëm në fund, me një rresht të vetëm, të ngrejë lart heroinën me tipare të bukura njerëzore, Klarisën e veçantë, me origjinë nga Shqipëria.

*Robert Martiko, shkrimtar

Share: