Home KRYESORE Letër mbi Humanizmin. Nga Martin Heidegger

Letër mbi Humanizmin. Nga Martin Heidegger

Përktheu Elvis Zaimi

Jemi ende shumë larg pikës kur gjykimi ynë të mund të peshojë rëndësinë e thelbit të veprimit njerëzor me rëndësinë vendimtare që i takon. Ne e shohim veprimin thjesht si shkakun e një pasoje.

Realiteti i pasojës vlerësohet në përputhje me dobishmërinë e saj. Por thelbi i veprimit është kryerja ose përmbushja.Të përmbushësh do të thotë ta shfaqësh diçka në plotësinë e thelbit të saj, ta shpiesh atë përpara drejt plotësimit-producere. Në këtë mënyrë, vetëm ajo që tashmë është, mund edhe të përmbushet. Por ajo që është përmbi të gjitha është Qënia.

Të menduarit përmbush marrëdhënien e Qënies me thelbin e njeriut. Ai nuk bën ose shkakton marrrëdhënie. Të menduarit e sjell këtë marrëdhënie te të qenurit, vetëm si diçka të dorëzuar nga Qenia, dhe që i kthehet Qenies. Një blatim I tillë konsiston në faktin se në të menduarin Qenia vjen tek gjuha. Gjuha është shtëpia e Qënies. Në shtëpinë e saj neriu zhytet dhe përhumbet. Ata që mendojnë dhe ata që krijojnë me fjalë, janë rojtarët e kësaj shtëpie.

Shërbimi si rojtarë I ofruar nga këtë mendimtarë dhe krijues me fjalë përmbush manifestimin e Qënies, përsa ata arrijnë ta sjellin këtë manifestim tek gjuha, dhe e mbajnë po tek gjuha gjatë ligjërimit të tyre.Të menduarit nuk shndërrohet në veprim vetëm sepse disa pasoja rrjedhin prej tij, apo vetëm sepse vihet në zbatim. Të menduarit është në veprim përsa kohë ai mendon.

Një veprim I tillë është, me sa duket, më i thjeshti, dhe ka të ngjarë, të jetë njëkohësisht më sipërani, sepse ai ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qënies dhe njeriut. Por çdo punë dhe pasojë nga të vepruarit shtrihet tek Qënia, dhe është e drejtuar për nga qëniet.

Në kundërshtim me këtë, të menduarit e lë vetveten të kërkohet nga Qënia, në mënyrë që ai të mund të pohojë të vërtetën mbi qënien.Të menduarit e përmbush këtë pretendim, ai është angazhimi nga Qënia për Qënien (engagement par l’Etre pour l’Etre).

Të menduarit nuk është thjesht angazhimi në veprim dhe nga të vepruarit (l’engagement dans action), në sensin e fakticitetit të kushteve reale të një situate të tanishme përballë njeriut. Të menduarit është l’engagement nga dhe për të vërtetën e Qënies.. Historia e Qënies nuk i përket kurrë të shkuarës, ajo qëndron gjithmonë përpara; ajo mbështet dhe përkufizon çdo condition et situation humaine.

Në mënyrë që ta mësojmë sesi ta përjetojmë të pastër thelbin e lartpërmendur të kësaj përvoje të menduari, dhe kjo nënkupton njëkohësisht ta tejkalojmë duke kaluar përmes saj, ne duhet ta çlirojmë vetveten nga interpretimi teknik mbi të menduarin. Fillimet e këtij interpretimi i gjejmë pas, tek Platoni dhe Aristoteli. Ata e marrin mendimin si të jetë një techne, një proces reflektimi në shërbim të të vepruarit dhe të bërit.

Por këtu të menduarit tashmë shihet nga këndvështrimi i praxis dhe poiesis.Për këtë arsye, të menduarit, i marrë në vetvete, nuk është “praktik”…Qënia, si element i të menduarit, gjendet e braktisur dhe mungon nga interpretimi “teknik” i të menduarit. “Logjika”, duke filluar nga Sofistët dhe Platoni, e sanksionon këtë shpjegim.Të menduarit gjykohet me një standart i cili nuk mund të matet me të.

Ky gjykim është i krahasueshëm me gjykimin që bën dikush për të matur fuqinë e një peshku, duke u nisur nga fakti sesa gjatë mund të mbijetojë ai në tokë të thatë. Prej një kohe të gjatë tashmë, tepër të gjatë, mendimi njerëzor ka ngecur në një breg të thatë. A mundet, pra, përpjekja për ta kthyer mendimin tek elementi i tij, Qenia, të quhet “irracionalizëm’?

Share: