Home KRYESORE Parlamentet paralele: Basha flet nga Elbasani, Ahmetaj nga Tirana

Parlamentet paralele: Basha flet nga Elbasani, Ahmetaj nga Tirana

Ka nisur e enjta parlamentare. Opozita ashtu siç kishte njoftuar është mbledhur sot në qytetin e Elbasanit për të folur për problematikën e këtij qyteti, sidomos për elementet kriminalë. Sakaq në Tiranë, mazhoranca vazhdon e vetme seancën plenare dhe në këto momente po flet ministri i Financave Arben Ahmetaj.

Lideri demokrat Lulzim Basha ka qenë tejet i ashpër me qerinë dhe kryeministrin Edi Rama. Duke folur nga Elbasani ai tha se vendi po destabilzohet pikërisht për shkak të lidhjes së pushtetarëve me kriminelët. Ai nuk hezitoi të përmende edhe emra.

Pjesë nga fjalimi i Bashës në Elbasan, aty ku po mbahet sot mbledhja e dy grupeve parlamentare të opozitës, PD dhe LSI:

Ndodhemi në qytetin simbol të bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, jo pak analistë e quajtën Elbasanin kryeqytet të krimit.

Qazim Sejdini, Taulant Balla dhe bandat e krimit nga Çelët te Sanxhaktarët me shokë që vitin e kaluar treguan se kush sundon në këtë qytete, në këtë vend, kur goditën policinë e shtetit pa asnjë pasojë ligjore.

Disa orë pas mesazheve tona nga Shkodra ditën e hënë kanë zbarkuar atje forcat policore si i instruktuan qeveritarët e falimentuar të dorëzuar para krimit, por rezultati është zero, e gjithë është shfaqje propagandistike. Kështu ishte në Elbasan, asnjë nga banditët që goditën shefat e policisë nuk është arrestuar, ndjekur penalisht, asnjë nuk është në burg.

Sot kjo peshore është zhvendosur në anën e krimit, është krimi që dikton, ja pse vendi po destabilizohet, Rama i dorëzon territorin krimin dhe po destabilizon vendin. Në më pak se 24 orë dy të rinj, 27 dhe 14 vjeç kanë humbur jetën në një nga qytetet më të vogla në Mamurras.

Elbasani ka dhe një simbolikë tjetër, se këtu është edhe gjeneza e bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, Xibraka, fabrika e kokainës e çmontuar vetëm pas ndërhyrjes së partnerëve është çengeli që mban të varur Ramën përmes pjesëmarrjes direkte të Olsi Ramës vëllait të tij në një ndërmarrje të shtrirë nga Kolumbia për përpunimin e kokainës.

Përfshirja e tij u fsheh nga Tahiri dhe mbeten të fshehura për shkak të Fatmir Xhafës dhe shokut të Agron Xhafës, Ard Veliut, ja pse e sabotojnë komisionin hetimor.

Nuk ka qytet më të përshtatshëm për t’u treguar shqiptarëve se pse pa u çliruar nga krimi nuk do të ketë asnjë përparim domethënës dhe kjo ka të bëjë me çdo familje dhe fatin e shqiptarëve.

‘5 vjet më parë u inaugurua tuneli i kërrabës, një vepër e madhe infrastrukturore, nga qeverisja e PD. 5 vjet më vonë kjo rrugë nuk ka përfunduar ndërsa ka gëlltitur për shumë pak kilometra, miliona euro.

Nënkontraktor është Edmod Bego, anëtar i bandës së Lushnjës, mik i Ballës i cili ka marr plot 10 mln euro.

Marrëdhënia e Ballës me Begon është një hesap që rëndon në xhepin e shqiptarëve. Janë zhdukur miliona euro dhe nuk përfundon rruga e Elbasanit.

Kur ne drejtuam, ndërtuam autostrada, hoqëm kufijtë, futëm investime të huaja.

Bëmë edhe gabime për të cilat u ndëshkuam me votë dhe dolëm në opozitë për t’u përgatitur më mirë, të vijmë në pushtet për ta çuar vendin përpara

5 vjet që harxhojmë gjithë energjitë tona për të hequr kriminelët vrasësit, nga zyrat e shtetit’, deklaroi kreu i PD-së.

Share: