Home Gjeo-Ekonomia Revolta e aristokratëve të rinj për taksën e rrugës

Revolta e aristokratëve të rinj për taksën e rrugës

Nga Lis Bukuroca

Vizitorët e shpeshtë, d.m.th. ata që gati çdo javë apo çdo muaj shkojnë në Shqipëri, janë tmerruar me taksën rrugore. Krahasojnë rrogat me Austrinë, me Italinë, me Zvicrën dhe nxjerrin përqindje tmerruese. Ky popull është popull i halitur deri në palcë. Është e barabartë si kur një njeriu i tregon rrugën që dëshiron ta dijë, por të thotë: më merr në shpinë. Ose, i falë një pjatë me mishoriz, por proteston, pse nuk i jep edhe tamëloriz! Ai që nuk ka para, nuk shkon në Shqipëri çdo javë, e as një herë në vit! Ai që ka, duhet të paguajë dhe Shqipëria nuk duhet të pyes banorët e Kosovës, a dëshirojnë të paguajnë, e sa dëshirojnë. Shqipëria ka një Kuvend dhe një Qeveri, që merr vendime dhe ju thotë: Kjo është tarifa! Ju mund të vini, ose të shfrytëzoni rrugë tjetër falas! Pikë!

Ne që jetojmë jashtë, kur një çmim ndryshon, sa nuk mund ta paguajmë, thjesht heqim dorë, por nuk kërkojmë falas apo zbritje çmimi në një shtet tjetër! Është shumë arrogante apo megalomane të kritikohet shteti tjetër, pse cakton një çmim pa marrë në konsiderim rrogat e shtetit tjetër!

Deri vitin e kaluar, banorët e Luginës, që kanë hyrë me vetura në Kosovë, për shtatë ditë qëndrimi, paguanin 20 Euro. Para vitit 2013 ishte 60 euro! Kjo tarifë vlente për gjithë qytetarët e Serbisë. Serbia nuk ndëshkonte kurrë serbet, ajo u jepte vazhdimisht, por Qeveria e Thaçit, shqiptarëve të Luginës u merrte vazhdimisht!

Banorët e Kosovës që jetojnë në Perëndim paguajnë kartonë të gjelbër, derisa qëndrojnë në shtëpi të vet. Këta banorë, nëse shkojnë në Itali, nuk paguajnë kartonë, por nëse shkojnë në vendin, që e mbajnë gjallë me gati një miliard euro në vit, keqtrajtohen dhe u merren haraç në kufi, pse kanë ardhur, se ato para të harxhuara rrugës, më mirë t’i dërgonin Kosovës dhe ta trusnin bythën dhe të rrinin aty ku jetojnë.

Shqiptarët që jetojnë në Perëndim, nuk bëjnë për pikë qejfi mbi 70 km në fund të javës. Ne lodhemi dhe mezi presim fundjavën për të pushuar! E dini pse? Sepse ne kthehemi nga puna të lodhur. Ne kthehemi nga puna të lodhur! Ju po revoltoheni se qenka e shtrenjtë për rrogën e një punëtori në Kosovë. Ne habitemi se si njeriu me një rrogë të Kosovës bën çdo vit pushime apo çdo javë shkon në Shqipëri! Ne fitojmë disa herë më shumë, por gati askush nuk ulet në makinë të kalojë fundjavën në një qytet tjetër 70 kilometra larg? E pse? Sepse nëse udhëtojmë, gati gjithmonë, marrim me vete edhe gratë, edhe fëmijët dhe nuk shkojmë vet, si të pamartuar për t’u lazdruar dhe krekosur në qytetin tjetër! Thjeshtë ne nuk i kemi ato para javore për argëtim!

Nuk revoltoheni për haraçin ndaj diasporës, që u merret në kufi. Nuk jeni revoltuar, kur u merrej haraç banorëve të Luginës. Nuk revoltoheni, kur paguani në Serbi, në Maqedoni, në Kroaci dhe vendet tjera të Europës, por e përjetoni si padrejtësi katastrofale, nëse duhet të paguani në Shqipëri. Jemi duke humbur edhe Veriun, por nuk alarmoheni! Vuçiqi premtoi investime në Trepçë. Ai nuk investon në Trepçën, që i mbetet Kosovës, por në atë që ai din se do t’i takojë Serbisë. Nuk pezmatoheni! Nuk alarmoheni! As nuk dilni në rrugë për të protestuar copëtimin e vendit, por ja që trishtoheni, pse nuk duhet të udhëtoni falas! Vërtetë llastimi është i pafund! Vërtet jeni halitur dhe çdo psikolog thotë: Nëse një njeriu i jepni vazhdimisht, atëherë ai pasivizohet dhe pret gjithmonë, pra prishet! Mbetet pa sedër!

Kjo revoltë e madhe nëpër media i ngjan një gazmoreje, që rrëfehet shpesh në Gjermani për protesta të tilla në mbrojtje të luksit. Në Gjermani çdo udhëtim konsiderohet luks!

Një nëpunës, kur kthehej nga puna në shtëpi, sa herë takonte rrugës një lypës, i dhuronte ndonjë euro. Pas disa muajve, nëpunësi nisë me ndërtimin e shtëpisë dhe kalon pranë tij, pa u ndalur. Herën e tretë lypësi i zhgënjyer, bërtet: „Zotëri, ju po më shpërfillni…!„

„Ah, më falni ju lutem“, ia kthen zotëria. “Jam duke ndërtuar një shtëpi dhe më duhet të kursejë çdo cent!”

„Domethënë ju po ndërtoni shtëpi në llogarinë time„ bërtet lypësi i dëshpëruar duke tundur kokën.

Por këshilla vështirë të jepen sot, megjithatë, për ata që duan të ruajnë luksin, ka lënë Voltaire pas vete këtë anekdotë: Sedra ekziston thotë Voltaire, ashtu siç ekziston fytyra dhe nuk ka nevojë të dëshmohet. Si ilustrim shqyrton këtë anekdotë:

Një lypës nga rrethina e Madridit i pacenuar në ndërgjegje, me një qëndrim prej fisniku, kërkonte lëmoshë në rrugë. Atij i afrohet një kalimtar dhe i thotë: “Zotëri, nuk keni turp të bëni këtë punë të poshtër, kur mund të punoni?”

“Zotëri„ përgjigjet lypësi, “ unë po ju kërkoj para, e jo këshilla“, pastaj lypësi kishte kthyer shpinën duke ruajtur krejt krenarinë dhe dinjitetin kastilian. As ata që dëshirojnë të anulojnë ose të caktojnë shumën e tarifës, nuk duan këshilla, prandaj po e përfundoj me një lutje të teologut dhe filozofit amerikan Reinhold Niebuhr: “Perëndi, më jep gjakftohtësinë t’i pranojë gjërat, që unë nuk mund t’i ndryshojë, guximin për të ndryshuar gjërat, që unë mund të ndryshojë dhe urtësinë për të dalluar njërën nga tjetra.”

Share: