Home KRYESORE Detaje/Konflikti i përgjakur mes të dashurit të Elvanës dhe Ervis Martinit

Detaje/Konflikti i përgjakur mes të dashurit të Elvanës dhe Ervis Martinit

Policia ka identifikuar autorët e ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmë në një lokal në zonën e Bllokut në Tiranë, ku një person mbeti i vrarë, ndërsa dy te tjerë janë plagosur. Policia bën të ditur në njoftimin zyrtar të shpërndarë sot për ngjarjen e mbrëmshme, se ka shpallur në kërkim shtetasit Ervin Mata, 31 vjeç, Fabiol Alushi, 42 vjeç dhe Merviol Bilo, 41 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Policia njoftoi gjithashtu se ka arrestuar në flagrance dy personat e plagosur, që ndodhen në spital; Ervis Martinaj 36 vjeç, banues në Tiranë dhe Eljon Hato, 28 vjeç banues në Shkodër.

Sipas policisë, këta shtetas mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ibrahim Rugova” janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri – tjetrit. Si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi Fabiol Gaxha dhe u plagosen Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar armë zjarri tip “Glock”, 11 gëzhoja, 10 mije euro, tre automjete, aparate celulare.

Mësohet se grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi vrasja, por edhe të zonës përreth tij, për të zbardhur rrethanat. Në polici janë shoqëruar mbi 20 persona për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e krimit, apo autorët e mundshëm.

Prania e Elvana Gjatës
Mes të shoqëruarve ka qenë edhe këngëtarja Elvana Gjata, e cila është marrë në pyetje dhe më pas është lënë e lirë. Dyshohet se këngëtarja ka qenë shkak i një konflikti mes dy palëve disa ditë më pare, ndërsa mbrëmë ata kanë pasur si qëllim sqarimin për këtë konflikt. Por debati është agravuar deri në përdorimin e armëve.

Burimet thanë për ABC News se dyshohet edhe për një person të tretë të plagosur mbrëmë në këtë ngjarje, i cili ka shkuar për t’u mjekuar në një spital privat.

Grupi hetimor, i ngritur mbrëmë menjëherë pas ngjarjes së rëndë në një lokal në ish-bllok, drejtohet nga prokurorja Elisabeta Imeraj dhe ka në përbërje edhe prokurorët Kreshnik Ajazi dhe Artan Lulo.

Një motor, që është gjetur pranë kopshtit botanik në Tiranë, u dyshua për lidhje me ngjarjen. Por më pas u bë e ditur se pronari i motorit është një banor i zonës, ku u gjet motori, i cili gjithsesi është sekuestruar nga policia. /Abcnews.al

Share: