Home KRYESORE “Përsetë” e vendit tim “të ngratë” Shqipëri! Nga Kasem Seferi

“Përsetë” e vendit tim “të ngratë” Shqipëri! Nga Kasem Seferi

Për ta njohur vendin tim Shqipërinë që e kuptoj brenda kufijve të panjohur ndërkombëtarisht, kam pasqyruar, jo plotësisht, por mundësisht për të nxjerrë mësime politike, edhe pse unë jam,thjesht, një ekonomist dhe jurist tatimor (pa diplomë, por me shumë çertifikata, që vlejnë më shumë se një ose disa diploma fakultetesh juridikë), po ju bëj të njohur atë që unë dua ta shohin dh eta vlerësojnë të gjithë në shënimet e mëposhtme, për të kuptuar ku kemi qenë, ku jemi dhe ku po shkojmë, duke analizuar shënimet e mëposhtme dhe duke i ballfaquar ato me ngjarjet dhe problemet e sotme dhe një … hamendësim për të ardhmen.

Ismail Qemal Bej Vlora – Kujtime (Libër)

Nëse ka pasur ndonjëherë burrë shteti, vlerat dhe karakteri i të cilit të mos jenë vlerësuar e çmuar siç e ka merituar, ky ishte i gjori Mid’hat Pasha, i cili qe Liberal, në kuptimin e plotë të fjalës.

Liberalët e Europës Perëndimore më ngjajnë si ata trashëgimtarë pasurish të mëdha, që e kanë mendjen vetëm si e si t’i shijojnë ato pasuri të fituara me mundin dhe sakrificat e paraardhësve të tyre. Në këto vende, Liberalizmi është vetëm etiketë partie ose mjet për të ardhur në pushtet. Kurse në vendet e sunduar në mënyrë autokratike në Lindje, ku edhe vetëm mendimi për ide Liberale shkakton konflikte dhe ngjall lloj – lloj rreziqesh. Liberalizmi e sheh veten të mbërthyer andrallash e kërcënimesh. Ai kurrë nuk të vjen në ndihmë për të marrë pushtetin; përkundrazi, ata që përqafojnë mendime të tilla, marrin mbi vete rrezikun e humbjes së punës e madje të jetës. Këto qenë rreziqet që Mid’hat Pasha i kishte marrë në sy me vullnet të plotë. Ai pati guximin e kurajën më të lartë për të shpallur Liberalizmin e tij në një çast, kur cilido tjetër, pasi të kishte kapur majën e ambicieve të veta të pushtetit, për të ruajtur kokën do të shfaqte njëfarë ngurrimi, sepse, ndonëse shtetari mund ta përqafojë Liberalizmin në fillim të karrierës si mjet për të kapur pushtetin, rrallë qëllon që ai të shfaqë frymë Liberale pasi të ketë fituar pushtet dhe rrallë qëllon që atë frymë Liberale ta shpjerë deri në atë pikë, sa të rrezikojë t’i humbë të gjitha.

Rrallë, gjithashtu, hasen ndër politikanët burra që, si Mid’hat Pasha, duke mos e kundërshtuar aspak opozitën, ndiejnë njëfarë kënaqësie nga opozita e madje e nxisin atë. Sa herë që ngjizte ndonjë plan politik të ri, ai shpejtonte t’ua njoftonte dhe shpjegonte miqve bashkëpunëtorëve, jo për të ngjallur admirim, por për të ndezur realisht e me gjithë mend kritikën e tyre. … ai kishte talent të njëmendët për administrim e qeverisje, ishte i vetëdijshëm edhe për të metat e veta dhe ia dilte të zbulonte ndër kolegët dhe vartësit aftësi e veti të veçanta të atilla, që e plotësonin punën e tij. Kundërshtimi i kritikëve të tij, në vend që ta mërziste, ia shtonte zellin për punë. …, Mid’hat Pasha i tha: “Qenke fort i habitur pse të ftova në pritje? Po ju them se jam shumë i kënaqur që m’u dha mundësia t’ju takoj dhe shumë i gëzuar që kemi arritur deri aty sa një Guvernator i Përgjithshëm të mos mundë ta trajtojë keq dikë pse e ka kundërshtar.”.

Sulltani mendonte vetëm të lidhte pas vetes elementë të të gjitha degëve të administratës, duke shkelur të gjitha traditat dhe duke prishur të gjitha rregullat, që kishin qenë në fuqi deri atëhere. Funksionarë dhe nëpunës shtetërorë të të gjitha shtresave dhe rangjeve ishin të lirë të bënin ç’të donin, mjafton t’i jepnin prova besnikërie e përkushtimi Sovranit. Kudo kishte lloj – lloj shpërdorimesh, kudo korrupsion dhe çorganizim, në dëm të vendit e të banorëve.

Fuqitë Qendrore, përfaqësues të të cilave ishin Kaula dhe Deutsche Bank, nuk ishin për një hekurudhë, që do ta bënte qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve të Ballkanit të derdhej në Adriatik. Gjithashtu, Sulltani, i cili ishte zot i një prone të madhe në Selanik si dhe i vetë portit, nuk ishte pro një hekurudhe, që do të konkurronte me Selanikun.

Mirëpo dashamirësia e shfaqur për mua në misionin tim mbeti i vetmi ngushëllim për zemrën e thyer të Shqipërisë, kur mora vesh vendimin që kishte marrë Konferenca e Londrës. Më se gjysma e trojeve të vendit u kishte kaluar Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Qytetet më të lulëzuara dhe viset më pjellore të vendit i qenë shkëputur. Shqipëria ishte katandisur të mbetej pothuaj krejt me toka të thata e shkëmbore.

Në kohën e sotme, më tha (Sulltani K.S.), vetëm duke lejuar korrupsionin mund t’i mbash ministrat nën kapistër.

Ngrehina e Ballkanit mund të jetë e qendrueshme vetëm po të forcohet Shqipëria, e cila përbën shtyllën e katërt mbajtëse të saj.

 

Eqrem bej Vlora “Kujtime 1885 – 1925 (Libër – parathënia dhe vlerësimi nga Pirro Misha)

… pasojë e papjekurisë shpirtërore, shoqërore, ekonomike dhe politike të popullit, por në radhë të parë i zvetënimit moral të shtresave të larta dhe të mesme, që me kërkesat dhe mëtimet e tyre të pathemelta ia rënduan aq shumë jetën shtetit të ri, sa vështirë që ai të rritej e të zhvillohej i shëndetshëm.

Shtresa e mesme, pra ajo borgjezi mjerisht e pakët, e cila me ndikimin e saj të kufizuar, me mjetet e saj financiare jo aq të mëdha, me dijet më se modeste dhe organizimin tejet mangësor, kurrë nuk do të kishte shpresuar të merrte pushtetin … Shtresat e mesme dhe gjysmë të arsimuarit në gjirin e saj, e ndjenin veten të lënë pas dore.

Nga radhët e saj kishin dalë pothuajse të gjithë nëpunësit shtetërorë, të gjithë mësuesit dhe oficerët po ashtu i përkisnin kësaj shtrese.

Në periudhën 1925 – 1939, shtresa e mesme, ziliqare për pronat dhe ndikimin që bejlerët zotëronin ende, u verbua aq shumë nga urrejtja, sa jo vetëm nuk e pikasi rrezikun komunist që po vinte, por, pa vetëdijë, edhe ndihmoi në suksesin e tij.

Nëpër qytete nuk ka pasur hotele për “zotërinjtë”. Disa bujtina mjerane (hane) ishin vetëm për popullin e thjeshtë

Dëshira për të vënë në dyshim faktin, që çdo popull arrin të kuptojë e të miratojë vetëm ato ndjenja dhe veprime që qëndrojnë afër idealeve të tij, do të kishte qenë e marrë dhe alogjike.

… mund të ndryshosh vërtet shumë gjëra, por vetëm nëse u flet me “gjuhën” që ata kuptojnë dhe vepron me “mjete” që ata njohin.

Në Shqipëri udhëheqja kishte shkarë nga duart e familjeve të mëdha, të vjetra dhe, ndonëse gëzonin ende peshë të madhe morale, tani ata e kishin të pamundur t’i shpërfillnin, apo ca më tepër t’u impononin vullnetin e tyre krerëve dhe pasanikëve të rinj të qyteteve e fshatrave.

Shtresa e mesme dhe e lartë e Shqipërisë, me pak përjashtime, që nga mesi i shekullit të 19 – të e sot kanë qenë shpirtërisht, shpesh, në lartësi, por moralisht të padenjë për të udhëhequr këta njerëz të mrekullueshëm. Mesa duket kontakti me botët e huaja, jo vetëm i vyshk, por edhe i kalb fare lulet në kohën e pjekurisë dhe frutet e vjetra e të reja të natyrës shqiptare.

Për shekuj me radhë të gjithë shqiptarët ambiciozë e kanë parë Perandorinë e pafund Osmane si një fushë veprimi në të cilën mund të fitoje ose të turpëroheshe. Pas 1912, kjo fushë veprimi për shqiptarët kokënxehtë u ngushtua së tepërmi dhe ai që dëshironte të bënte përpara duhej, detyrimisht, të zhvendoste shtresën e mëparshme drejtuese. Por meqenëse këta njerëz nuk kishin as rëndësi, as përkrahës dhe, të vetëm, vështirë se mund të afirmoheshin, ata u bënë bashkë dhe formuan së pari, një opozitë ndaj rendit të vendosur prej kohësh, më vonë një parti duke mëtuar tashmë për ndarjen e pushtetit me shtresën e lartë, apo edhe më tej, për sundim të plotë. A ishte ky mëtim i përligjur?.

(Ahmet Zogu) “Mos u shqetësoni për këto vogëlsira, Eqrem bej! Edukata që kanë marrë këta njerëz në shekuj, mungesa e shkollimit dhe e ndjenjës personale të nderit, ka bërë që në marrëdhëniet me zyrtarët ata të përpunojnë një qëndrim të veçantë. Ne nuk mund t’i ndryshojmë ata me sot e nesër. Dhe meqenëse nëpër qytete ata janë të shumtë, ne duhet t’i marrim ata parasysh në llogaritë tona.”.

Ajo që ndeshej në shoqërinë shqiptare pas 1912 – tës, ishte trashëgim i reformës administrative osmane të Tanzimatit (1839). Kjo reformë solli me vete jo vetëm ndryshimin e sistemit administrativ, por edhe të gjithë shoqërisë shqiptare dhe të mënyrës së saj të jetesës.

Vetëm më 1850 përfundoi zbatimi me dhunë i reformës (së Tanzimatit – shënim i KS). Një varfëri tronditëse mbuloi tani gjithë atë popullsi që pati jetuar në sajë të mercenarizmit (kryesisht në viset si Çamëria, Labëria, Mallakastra, Skrapari, Dangëllia, Kolonja, Bilishti, Dibër – Mati, Mirdita, Luma, Metohia dhe Kosova). Asaj iu hoq mundësia e vetme e ekzistencës; nga bujqësia ose tregtia nuk merrte vesh askush dhe kështu njerëzit vegjetonin në një gjendje të mjerueshme.

Edhe në 1900 – tën askush në Labëri nuk punonte arën. Për luftëtarin puna në bujqësi ishte poshtëruese. Vetëm gratë e gërvishtnin ashtu si mundnin tokën e atij kopshti të vogël perimesh pranë shtëpisë, ku mbillnin capak qepë dhe hudhra. Sepse të tjerat, perimet jeshile, labi nuk i hante. “Unë nuk jam dele të ha bar jeshil”

At Zef Pllumi – Rrno vetëm për me tregue (Libër)

… : ai kishte nji tolerancë aq të madhe sa edhe shumkush e mbante si liberal. Edhe me të vërtetë ishte liberal në vështrimin ma të mirë: kishte nji shpirt aq të gjanë që sado ta kundërshtoje, ose edhe ta shajshe, ai rrinte i qetë, bile dashamirës. Kishte urrejtje për të gjitha diktaturat, por sidomos për komunizmin.

Indro Montanelli

“Shqipëria një dhe një mijë”

Të këqijat, këtij populli plot plagë, i kanë ardhur të gjitha nga kjo përçarje jo vetëm krahinore, por dhe shoqërore, psikologjike. Shumë e rrezikshme edhe sot. Dhe më e vështirë nga ç’pandehet për t’u luftuar, më e vështirë se moçali dhe se malaria: me pasuri të ndara keq, me ca çifligarë bjerraditë shaluar mbi kurrizin e duruar (por deri kur?) të një vegjëlie të dërrmuar, pa një klasë të mesme që t’i zbusë përplasjet mes të parëve dhe të dytëve.

Brenda Mbretërisë, kundërvenie krahinash, brenda krahinës kundërvenie fis me fis, brenda fisit dhe brenda qytetit, kundërvenie familje me familje. Duke u vërtitur nëpër Shqipëri, kudo që ndodhesha, kjo “ndarje” më ka bërë gjithnjë përshtypje njëlloj. Shenja e qëndrueshme e Shqipërisë është dallimi.

Sot këta arumunë jetojnë të shpërndarë, por kjo është vetëm një shpërndarje gjeografike dhe e jashtme. Në fakt, ata mbeten kompaktë dhe të lidhur thellësisht me gjuhën dhe zakonet e tyre. Nga të gjithë, ata pak që jetojnë në Shqipëri kanë qenë më fatlumët: në fakt, ata kanë katër shkolla dhe shtatë kisha të veçanta. Kështu që nuk është e pamundur që, me kalimin e kohës dhe me përmirësimin e kushteve bujqësore të Shqipërisë, drejt tyre të fillojnë pak nga pak të konvergojnë emigrantë arumunë nga Epiri, nga Maqedonia, nga Jugosllavia. Sepse në të gjithë Ballkanin, shqiptarët janë, pa asnjë dyshim, më të afërtit me këtë botë latine dhe më humanët.

Ashtu siç ndodh në të gjitha vendet politkisht të vështira, edhe në Shqipëri qeverisja i konsumon politikanët duke ua bjerrë popullaritetin. Zogu shpresonte të bëhej gjithnjë më i madh, falë disi lojës së tij shumë dinake, por mbi të gjitha, falë shkërmoqjes së personaliteteve të tjera.

Për të kaluar në shifra, siç do të tregojmë pak më tutje, është Italia ajo që jep e merr me tregjet shqiptare, është Italia vendi më i interesuar për integritetin territorial të një Shqipërie të fortë dhe paqësore. E ky interesi i saj nuk është aspak rastësor, por përkundrazi, historik, i diktuar nga kushte gjeografike kategorike e përfundimtare. Fakti që tregtia dhe kultura janë të orientuara për nga Italia dhe Adriatiku, pra për nga perëndimi, nuk është i sajuar: rrugët e natyrshme të komunikimit të Shqipërisë me botën e jashtme, nyja kërthizore e saj është ai rripi ujor që e ndan nga Gadishulli ynë.

Aspektin politko – juridik mund ta shprehim në shifra: në Shqipëri, sipas përllogaritjesh të besueshme e që përputhen, toka bujqësore, e mbjellë apo e mbjellshme, zë një sipërfaqe prej 300 000 ha; prej kësaj, prona e madhe, e ndarë midis 165 familjesh pronare, zë rreth 213 000 ha; pjesa tjetër ndahet prej masës së gjërë të fshatarëve. Mjaft i qartë, apo jo?

Shënim:

Shqipëria, sot, disponon 436 617 693 ton naftë dhe 13.2 miliard Nm3 gaz shoqërues;

Nga këto janë shfrytëzuar 5.2 milion ton naftë dhe 10.5 miliard Nm3 gaz

Tallje: Lexoni o shejtanë, që nuk e lini Zotin të depëtojë në shpirtin e shqiptarëve!

Kasem Seferi – një ekonomist që e ndjen veten “fajtor”

Share: