Home KRYESORE “Shqiptarët do ta mësojnë shumë shpejt…”, Rama flet për konspiracion për rrëzimin...

“Shqiptarët do ta mësojnë shumë shpejt…”, Rama flet për konspiracion për rrëzimin e qeverisë. Përgjigjet Basha “Flet si Enveri”

Për kryeministrin Rama, audio-përgjimi që pretendon se implikon në trafik droge vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është një konspiracion. Të jeni të bindur që shqiptarët do ta mësojnë nga A të ZH, kush është përfshirë në këtë konspiracion për rrëzimin e qeverisë, se i tillë është, u shpreh kreu i qeverisë paraditen e kësaj të hëne. Ndërkohë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u përgjigj duke thënë se, Rama po përdor të njëjtën taktikë si në kohën e Enverit. “Sa herë kishte skandal ose problem zbulohej konspiracion, shikoni ku ka degjeneruar mendja e tij, nuk pjell diçka fine, ka kaluar në të njëjtën fjalor si në kohën e Enverit”, tha Basha.

Gjatë konferencës me gazetarët, Rama u pyet nëse do ketë akuzë penale ndaj ndonjë deputeti lidhur me “çështjen Babale”.

Në përgjigjen e tij, Rama u shpreh: “Ua kam lënë juve të bëni gazetari dhe mos tundni dybekun në kazan. Po të bëni gazetari i jepni përgjigje shumë thjesht shpejt këtyre pyetjeve dhe ja kishit dhënë përgjigjen shumë më parë se sa prokuroria të arrinte në gjysmë-konkluzionet që ka arritur deri tani. Unë s’dëshiroj të them më tepër, i di të gjitha nga fillimi deri në fund, sepse kam angazhuar një grup të posaçëm që është marrë nga fillimi deri në fund për të mësuar unë të vërtetën. Dhe pres që e vërteta të dalë e plotë. Nuk kam për të ta lënë pa e nxjerrë edhe sikur për një mijë e një arsye të mosarsyes të mbulohet apo të zbutet. Natyrisht që unë nuk jap vendime as bëj pretenca. Për fat të mirë jemi në një sistem ku detyrat janë të ndara, pushtete janë të ndara, por të jeni të bindur që shqiptarët do ta mësojnë nga A të ZH, jo me institucione, me emra me emra dhe me mbiemra kush është përfshirë në këtë konspiracion për rrëzimin e qeverisë, se i tillë është”.

Në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia blu më vonë gjatë ditës së sotme, Basha u pyet lidhur me deklaratën e Ramës, i cili foli për dekonspirim.

Në përgjigjen e tij, Basha u shpreh: “Kjo ishte mënyrë enveriste. Sa herë kishte skandal ose problem zbulohej konspiracion, shikoni ku ka degjeneruar mendja e tij, nuk pjell diçka fine, ka kaluar në të njëjtën fjalor si në kohën e Enverit. Vetëm një mendje e sëmurë mund të ketë imagjinatë të tillë banale që të paraqesë situatën kriminale dhe lidhjet kriminale të pushtetarëve si në kohën e Enver hoxhës”.

“Edi Rama, sot po përdoret nga krimi për të kërcënuar këdo, denoncuesit, median, opozitën, që të mbrojë politikanët e përfshirë në krim nga hetimi dhe ka degjeneruar në një propagandë bajate të para 40 vjetëve. Rama nuk ka denoncuar asnjë kriminel, një të vetëm, por ka mbrojtur shumë prej tyre publikisht dhe politikisht. Thënë kjo, faktet e njohura botërisht tregojnë se ky është degradimi i një qeverie, dhe Balla, Xhafaj, Tahiri janë kufoma politike dhe së shpejti do të shkojnë aty ku e meritojnë nuk ka asnjë dyshim, është faza e fundit e degradimit të shtetit”, shtoi ai.

Rama do të mundet me votë, mjafton kjo që Rama dhe kupola të shkojnë aty ku e kanë vendin, politikisht dhe pastaj para drejtësisë, theksoi kryeopozitari./Panorama

Share: