Home KRYESORE Tregu rajonal pritet te rrit efikasitetin e përdorimit të burimeve të energjisë

Tregu rajonal pritet te rrit efikasitetin e përdorimit të burimeve të energjisë

Nga Dr. Lorenc Gordani

Iniciativa e tregut të energjisë elektrike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimore siç referohet nga takimet e realizuara nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në 24-26 Shtator në Vjenë, ka hyrë në fazat përfundimtare të përgatitjes. Projektet e diskutuara deri tani pritet të transformohen në korniza konkrete kontraktuale dhe qeverisëse direkt të zbatueshme nga aktorët.

Mes planeve, interes të veçantë paraqesin bashkimi i tregut të Shqipërisë, Italisë, Malit të Zi dhe Serbisë (AIMS). Takimi i Sekretariatit nisi Platformën e Koordinimit të Rregullatorit AIMS. Platformë që synon të forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit midis enteve zbatuese të projektit dhe rregullatorëve.

Por, çdo të thotë kjo në veçanti për vendin tonë dhe çfarë skenarësh ofron për të ardhmen? Siç dihet Shqipëria përbën një rast unike duke u mbështetur pothuajse ekskluzivisht në prodhimin hidrik (dhe importin). Megjithëse, burimet hidroenergjetike luajnë një rol të rëndësishëm në tërë Ballkanin Perëndimor, pasi pothuajse të gjitha vendet e rajonit kanë kapacitete hidrike të larta.

Kjo është arsyeja pse shumica e vendeve të rajonin janë të interesuar për të arritur hapjen, pasi mundësojnë të amortizojnë ekspozimin ndaj kushteve meteorologjike (për sasinë dhe sezonalitetin e reshjeve). Kjo paraqet një mundësi të mirë nga ana tjetër, pasi çmimet e energjisë janë shumë të favorshme për hidrot në tregjet spot. Kështu, optimizmi prek njëkohësisht investimet në kompanitë publike duke adresuar çështjet që lidhen me sigurinë e furnizimit për vendin me çmime më të përshtatshme.

Ne këtë kuadër, për vendin tonë korniza e re strategjike mbështetet në dy shtylla kryesore: zhvillimi i reformave dhe hapjes se sektorit për të nxitur integrimin rajonal dhe forcimin e qëndrueshmërisë se sektorit energjikë, të udhëhequr nga pjesëmarrja në iniciativën e Komunitetit të Energjisë, dhe në nivel ndërkombëtar nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike.

Lidhur me qëndrueshmërinë deri këtu vëmendja është përqendruar në burimet hidrike varësisht nga kostot më të ulëta të prodhimit (pa llogaritur efektet negative). Nga ana tjetër, një ndërrim tendence ka filluar të verifikohet me formulën e përdorur në Akerni, duke bërë që mbështetja të “rëndojë” më pak për konsumatorin, pasi stimujt për PV-të në këtë rast, vijnë nga tregu, dhe kanë një rendiment më të madh duke bërë parqet e mëdha fotovoltaike edhe më ekonomike se HEC-t.

Me ardhjen e TAP-it një pjesë e rëndësishme e prodhimit mund të vijë nga gazi natyror. Gjithsesi, sipas një raporti të 2015, në skenarin bazë, prodhimi i energjisë nga gazi është me një normë pak më të lartë shfrytëzimi (1000 orë në vit për impiantet CCGT), ende nën nivelin e operacionit ekonomik.

Kapacitetet ndërkufitare janë të mjaftueshme për të siguruar fuqinë e kërkuar në afat të gjatë. Megjithatë, ky konstatim mban vetëm nëse merret thjesht në një vit normal. Nëse zbatohet një pamje më rajonale, për shkak të ndërlidhjes së ulët të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në vitet e thatë verifikohet një mungesë e kapaciteteve të shoqëruar me rritje të rëndësishme të kostove, në përmbushjen e kërkesës së përgjithshme rajonale.

Kështu, për të maksimizuar sa më sipër, duke vënë në praktikë detyrimet që rrjedhin nga Paketa e Tretë e Energjisë së BE-së nga viti 2015, po punohet paralelisht me avancimin e platformës së shkëmbimit të energjisë elektrike (APEX), atë të tregut brenda ditës dhe balancimit.

Deri në fillim të vitit 2019, tregu shqiptar pritet të jetë homologuar (market coupling) me atë të Kosovës ose drejtpërdrejti në lidhjen më të gjerë me Italinë, Malin e Zi dhe Serbinë (projekti AIMS ka hyrë tashme në praktikë në janar 2018). Një proces që po kontribuon në përshpejtimin e hapjes së tregut të energjisë në Shqipëri, i cili nga ana e tij prek hapjen e vendeve e tjera në Evropën Juglindore.

Këto modele do të kufizonin ndërtimin e kapaciteteve të tepërt, duke ulur shpenzime shtesë për konsumatorët dhe gjithashtu do të reduktonin shqetësimet e sigurisë së furnizimit. Rritja e interkoneksionit në rajon do të lejojë që vendet të angazhohen në një situatë të favorshme midis tyre. Në këtë rast, vendi do të rriste qëndrueshmërinë e tij nga fenomenet klimatike me një mirëmenaxhim të burimeve energjetike.

Share: