Home KRYESORE Zbulohet kodi i fshehtë i Ramës, si po “shantazhon” Lulzim Bashën me...

Zbulohet kodi i fshehtë i Ramës, si po “shantazhon” Lulzim Bashën me dosjen amerikane

“Vizita” e Lulzim Bashës në Prokurori dhe zhvillimet e tjera rreth ‘Babales’ dhe Xhisielës’ kanë qenë në fokus të pjesës së parë në emisionin “JAVA në RTSH”. Me Preç Zogajn dhe Lorenc Vangjelin, gazetari investigativ Artan Hoxha tha se dëshmia e kreut të opozitës nuk pritet të zbardhet shpejt, pasi ajo është pjesë e sekretit hetimor.

Për deputetin tjetër të PD-së që u thirr të premten në prokurori, Hoxha tha se Salianji ka dëshmuar se videon e ka siguruar nga një zyrtar tjetër i rëndësishëm në Partinë Demokratike. “Ish-shefi i Policisë Ndërtimore, Florenc Hoxha, sipas dëshmisë së zotit Salianji, ia ka lënë materialin tek recepsioni” – tha gazetari Artan Hoxha.

Hoxha shpjegoi hollësisht detaje të reja nga dosja hetimore dhe tregoi të rejat më të fundit për fatin e “Babales” në Kosovë dhe të Alizotit në Tiranë. Sipas Hoxhës, në dosje po hyjnë dhe planifikohen të hyjnë në mënyrë të vazhdueshme detaje të reja për të zgjatur pafund hetimet.

Analisti Preç Zogaj nënvizoi se duhet shpresuar që ky të jetë fillimi i një raporti të ri mes Prokurorisë dhe politikës. Sipas Zogajt, paraqitja e Bashës pranë organit të akuzës eshte një ngjarje normale, por që bën përshtypje për shkak të kontrastin me traditen e shpërfilljes politike të organit të akuzës. “Urojmë që Prokururia të vazhdojë të guxojë për të thirrur drejtues politikë. Ka plot padi atje. Urojmë që Basha të këtë hequr këmbën zvarrë për të tjerët. Politika duhet të jape shembullin se askush nuk është mbi ligjin. Nëse i krijon pengesa, të gjitha fjalët e tjera janë të pavlera”, tha Zogaj.

Në emisionin “Java në RTSH” u zbulua për herë të parë dhe një detaj domethënës në gjuhën e koduar të Twitter-ave me të cilat Rama i është drejtuar ditët e fundit kryetarit të PD-së Lulzim Basha. “Fli… deri… kur të kem disa të reja për ty…”; “E di sa thellë je futur, por nuk të ndihmoj dot!”; “…mos shpreso kot se do të rrijë mbuluar ajo pjesa që dimë të dy!”, ka shkruar rresht Rama në 6, 8 dhe 10 tetor.

Sipas Vangjelit, kryeministri i është referuar vazhdimisht dosjes sekrete të mbërritur nga SHBA për llogari të hetimit që prokuroria shqiptare po bën për paratë e lobimit të vitit të shkuar të PD-së. “Rama ka dijeni për ekzistencën e kësaj dosjeje amerikane që heton burimin e 675 mijë dollarëve të pretenduar se janë paguar nga PD për lobimin në Uashington. Ky është “shantazhi” dhe shpjegimi i gjuhës në kod me të cilën Rama i drejtohet Bashës dhe që gabimisht në Tiranë e lidhin me të fshehtat e tyre të përbashkëta në natën e marëveshjes së 17 majit. Kjo shpjegon dhe histerinë e opozitës kundër prokurorisë në këto ditë të fundit”, tha Lorenc Vangjeli.

Analisti Preç Zogaj e quajti tërësisht të papranueshme dhe të papërshtatshme këtë mënyrë komunikimi të kryeministrit.

360grade.al

Share: