Home KRYESORE Zhvendosja e Përgjegjësisë.. Nga Elona Caslli

Zhvendosja e Përgjegjësisë.. Nga Elona Caslli


Psikologu social Bibb Latané, do të udhëhiqte me disa kolegë, një studim shkencor në Universitetin e Kolumbias, për të vëzhguar sjelljen e njerëzve kur përballeshin me një një situatë, në të cilën, një njeri tjetër është rrëzuar dhe ka nevojë për ndihmë.

Studimi i mësipërm dëshmoi qartazi se një njeri priret të ndihmojë një njeri tjetër që është rrëzuar dhe ka nevojë për ndihmë, vetëm kur gjendet krejt i vetëm përballë këtij të fundit.

Kur gjendet i rrethuar nga njerëz të tjerë, nuk priret ta ndihmojë njeriun që është rrëzuar, sepse mendon se dikush që është pranë tij duhet ta bëjë.

Në psikologji kjo quhet Zhvendosje e Përgjegjësisë.

Gjithmonë priremi t’i zhvendosim përgjegjësitë tona në prehrin e dikujt tjetër. Kjo ndodh rëndom në situtata të zakonshme në jetën e përditshme, qoftë në punën tonë dhe qoftë në jetën tonë.
– E bën ai tjetri në vendin tim ; Flet ai tjetri ai në vendin tim ; Shkruan ai tjetri në vendin tim ; Ngre zërin ai tjetri në vendin tim ; Proteston ai tjetri në vendin tim.

Veprimin, fjalën, shkrimin dhe protestën e varim gjithmonë në qafën e tjetrit duke harruar se zhvendosja e përgjegjësisë nuk nënkupton detyrimisht edhe zhvendosjen e pasojave të saj.

Dikush mund t’i zhvendosë përgjegjësitë në prehrin e dikujt tjetër, por kjo nuk do të thotë se nuk do t’i vuajë pasojat e dëmshme që do të sjellë kjo zhvendosje.

Zhvendosja e përgjegjësisë është akt individual, ndërsa dëmi që shkakton kjo zhvendosje është dëm kolektiv.

Ndoshta ka ardhur koha që të kuptojmë se gjendemi krejt të vetëm përballë Lirisë sonë që aktualisht kërkon ndihmë.

Të kuptojmë se vështrimi që hedhim rreth e përqark me shpresën se dikush do të vijë një ditë ta shpëtojë lirinë tonë, është i pashpresë. Askush nuk do të vijë. Nuk do të ketë prehër për këtë përgjegjësi.

Liria jonë fillon dhe mbaron brenda nesh dhe rrjedhimisht jemi ne që vendosim ta shpëtojmë, apo ta vrasim atë.

Share: