Home KRYESORE Atentati mafioz në Shkodër, çfarë thanë në polici familjarët e Ferracakut

Atentati mafioz në Shkodër, çfarë thanë në polici familjarët e Ferracakut

Mbi 40 persona janë shoqëruar në komisariatin e Shkodrës për tu marrë në pyetje për ekzekutimin e Fatos Ferracakut, por ende nuk ka asnjë të dyshuar. Po kështu nuk ka ende një pistë se pse u qëllua mbi 40 vjeçarin, baba i 4 fëmijëve. Familjarët e Fatos Ferracakut kanë deklaruar në policinë e Shkodrës se “nuk kanë konflikte me askënd”. Nga marrja në pyetje e dëshmitarëve grupi hetimor ka arritur të sigurojë të dhënat të pakta për të rënë në gjurmët e autorëve.

ABC News ka mësuar se atentatorët ishin dy persona me skafanda në kokë dhe udhëtonin me një motoçikletë ngjyrë të zezë e llojit T Max. Njëri prej tyre ka zbritur nga motori dhe ka qëlluar me armë nga një distancë rreth 2 metra larg Ferracakut.

Ky i fundit po bisedonte me kunatin e tij Fatmir Mehaj, të dy tregtarë peshku. 40 vjeçari është qëlluar me armë zjarri disa herë në kokë dhe në tentativë për të ndaluar autorët mbeti i plagosur në këmbë kunati i viktimës. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Çdo gjë ndodhi shumë shpejt dhe vrasësit u larguan në drejtim të zonës së Bypassit të Shkodrës ku edhe dogjën motorin. Për motoçikletën nuk ka të dhëna pasi nuk rezulton e regjistruar në sistem.

Nuk dihet ende nëse vrasja e Fatos Ferracakut është kryer nga të njëjtit persona që ekzekutuan kushëririn e tij Arjan Ferracaku më 1 shtator të këtij viti. Atentati ndaj biznesmenit mbetet ende enigmë. Të dy si Arjan ashtu dhe Fatos Ferracaku, nuk kanë qenë persona me percedente penalë.

Një ditë pas vrasjes në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës shkoi edhe Drejtori për Rendin dhe Sigurinë publike Gjovalin Loka dhe një Prokuror i Krimeve të Rënda./Opinion.al

Share: