Home KRYESORE Atentati në Shkodër, dyshohet se Feracaku kryente vrasje me pagesë

Atentati në Shkodër, dyshohet se Feracaku kryente vrasje me pagesë

Disa pista hetimi pas ngjarjes së rëndë që tronditi dje Shkodren, ku një person mbeti i vrarë me armë zjarri dhe një tjetër u plagos. Policia ka dyshime se viktima Ferracaku, kryente vrasje me pagesë, raporton Panorama.

Viktima është Fatos Ferracaku, 40 vjeç, kushëri i afërt me Arjan Ferracakun, biznesmenin 31-vjeçar të vrarë më 1 shtator 2018 po në Shkodër, teksa kalëronte. I plagosur mbeti Fatmir Mehaj, 48 vjeç, i cili mësohet se është kunati i viktimës (vëllai i bashkëshortes).

Mehaj, në tentativë që të mbronte kunatin e tij nga plumbat, i ka dalë para e për pasojë ka marrë dy plumba.

Dy kunetërit merreshin me tregtinë e peshkut dhe vinin çdo ditë për të shitur te merkata e Rusit.

Ata kanë qenë duke pirë kafe në një lokal te merkata e Rusit, kur papritur, dy persona me një motoçikletë dhe skafandra në kokë janë afruar dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre.

Ngjarja, sipas Policisë, ndodhi rreth orës 11:15.

Sipas dëshmitarëve, njëri prej autorëve ka zbritur nga motoçikleta dhe është afruar te tavolina e shënjestrës. Në një distancë të afërt, ai ka nxjerrë një armë pistoletë. Në këtë moment, 48-vjeçari Mehaj ka tentuar t’i dalë para Ferracakut për ta mbrojtur atë. Por autori ka shtënë plot tetë herë dhe viktima, baba i katër fëmijëve, ka marrë plumb në kokë, gjoks dhe këmbë.

Ai është dërguar i gjallë në Spitalin e Shkodrës, por disa minuta më pas ka ndërruar jetë. Ndërsa Fatmir Mehaj ka marrë dy plumba në këmbë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut. Dy autorët dyshohet se janë profesionistë dhe vrasës me pagesë.

Ata kanë vepruar me saktësi dhe janë larguar duke djegur më tej motoçikletën në periferi të Shkodrës, në lagjen “Guerrile”, lagje në të cilën jeton edhe familja e të “fortëve” Lici. Për këtë shkak, Policia shoqëroi njërin nga djemtë e kësaj familjeje, por më pas, siç mësohet, ai është lënë i lirë.

Zona ku ndodhi vrasja e djeshme ka pasur lëvizje të madhe qytetarësh sepse aty ndodhet merkata dhe shumë dyqane të tjera. Tregtarët e tjerë që qëlluan afër, por edhe kalimtarët e rastit, janë shokuar dhe kanë nxituar të largohen nga frika e një breshërie të mundshme. Por autori ka qëlluar me pistoletë duke e pasur të qartë objektivin e tij, 40-vjeçarin Fatos Ferracaku.

v.l/ Dita

Share: