Home KRYESORE Ekonomisti i lartë nga Çamëria i shkolluar në Itali, vuajti 31 vjet...

Ekonomisti i lartë nga Çamëria i shkolluar në Itali, vuajti 31 vjet e 4 muaj burgim komunist

Nga Kastriot Dervishi

Në listën e çamëve që kanë vuajtur më shumë në regjimin internacionalist dhe antikombëtar të Enver Hoxhës, është ekonomisti i lartë Idriz Hallunit (1916-1990), nga Filati. U dënua tre herë. U shkollua për t’u shërbyer vendit të vet, por nuk mundi dot. Një histori tragjike dhe një dashuri e prerë e dy të rinjve që nuk u takuan dot pas mbarimit të luftës. Halluni në moshë të re, në bazë të marrëveshjes që kishte bërë qeveria e Mbretit Zog me atë greke, u shkollua në Shqipëri, duke qëndruar në konviktin e çamëve në Sarandë. Atje mbante mend emrat e Tahir Demit, Muharrem Demit, Gani Demit, Njazi Demit, etj. Në vitin 1931 mbaruan filloren dhe po qeveria e Zogut i çoi në Normalen e Gjirokastrës, semimaturën e cilës e përfundoi në vitin 1935. Zhvendoset në gjimnazin e Shkodrës, duke e përfunduar në qershor 1939. Menjëherë, me ndihmën e Eqrem Çabejt, iu dha një ndihmë për të vazhduar studimet e larta në Torino të Italisë për shkenca ekonomike. Deri në vitin 1943 çdo gjë ka shkruar normalisht. Banonte në shtëpinë e një vajze nga Torino që njohu atje, së cilës i pat dhënë fjalën se do martohej me të. Kthehet në Shqipëri në vitin 1944. Në vitet 1945-1953 punon me ndërprerje në punë të ndryshme të dorës së dytë.

-Periudha e vuajtjes së burgimit:

1953-1959, 6 vjet, 8 muaj, 4 ditë

1961-1986, 24 vjet e 8 muaj

-Mosha në fillim të dënimit: 37 vjeç

-Mosha në mbarim të dënimit: 70 vjeç

Dënimi i parë

Organet e Sigurimit të Shtetit e kishin futur në kategorinë e kundërshtarëve të regjimit. Duke qenë intelektual, i shkolluar në perëndim, sigurisht ishte i padëshiruar për një regjim ku mbretëronte injoranca dhe krimi. Arrestohet më 21.3.1953, kur punonte si llogaritar në shkollën tregtare “Nako Spiru” në Tiranë për llogari të Repartit nr.2001 (zbulimi politik) të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Akuzohej për “veprimtari armike kundra popullit dhe shtetit në favor të anglo-amerikanëve”, agjitacion e propagandë, se disa herë kishte dashur të arratisej, se pas vdekjes së Stalinit kishte folur për ndryshimin e situatës, etj. Përveç akuzave ishte shprehur se partizanet ishin imorale, etj. I pyetur nga hetuesi, nuk mohonte faktin e arratisjes, sepse donte të martohej me të dashurën italiane, të bashkohej me vëllanë, etj. Haptas thoshte se nuk i pëlqen regjimi komunist në Shqipëri dhe se ishte gati edhe të vritej në kufi, pa u dorëzuar. Përshkruhej si element i pakënaqur që bënte agjitacion dhe synonte të arratisej. Gjykata e deklaroi fajtor në bazë të neneve 64 e 73 të Kodit Penal dhe e dënoi me vendimin e datës 17.7.1953 e dënoi me 10 vjet burgim . U lirua në 25.11.1959.

Dënimi i dytë

Pas daljes nga burgu, Idriz Halluni sigurisht do bënte një jetë të rëndomtë, gjithnjë i privuar dhe i ndjekur nga regjimi. Në valën e masave shtrënguese të thella ndaj çamëve, ai synoi të realizojë arratisjen, jo si herën e parë kur vetëm e kishte menduar atë. Ishte përpjekur të qëndronte në Tiranë ku kishte nënën 80 vjeçe në ngarkim, por ishte e pamundur. Duke qenë i pashpresë, me elementë të tjerë antikomunistë, të gjithë ish të dënuar politikë, bisedon për arratisje në zonën e Dibrës, një terren mjaft i vështirë për t’u kaluar. Më 13.5.1961 Idriz Halluni, Shaban Doçi, Skënder Taka, Sebastian Gjeka dhe Isa Mena i afrohen kufirit. Në malin e Korabit ndahen në dy grupe. Isa Mena dhe Idriz Halluni u drejtuan nga e djathta ndërsa tre të tjerët nga e majta. U orvatën disa herë të kalojnë kufirin në postën e Ploshtanit, por për shkak të mjegullës nuk mundën ta realizojnë arratisjen. Isa Mena u vra ndërsa të tjerët nga u kapën. I pyetur nga hetuesi, Halluni deklaron se deshi të arratisej sepse nuk kishte shpresë rregullimi gjendjeje, as për punë krahu. Halluni shpresonte ende të martohej me italianen në Torino, madje e dinte se ajo po e priste. Të dy i kishin dhënë fjalën njëri-tjetrit. Italiania punonte në bankën “Kredito” në Torino. Çështja e tyre u trajtua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me veprim në Durrës. Me vendimin nr.119, datë 22.8.1961, gjykata i deklaroi fajtorë në bazë të nenit 64 të Kodit Penal dhe dha dënimet: Idriz Halluni me 20 vjet burg, Skënder Taka me 17 vjet burg, Sebastian Gjeka dhe Shaban Doçi me nga 15 vjet burg. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.189, datë 13.10.1961. Të dënuarit detyroheshin të paguanin edhe avokatët. Nëna e Idriz Hallunit i bënte kërkesë gjykatës për uljen e dënimit. Nuk do ta shihte më birin e saj, sepse vdiq në vitin 1966 në Durrës .

Ridënimi ose dënimi i tretë

Në kohën e zbulimit të “grupeve armiqësore”, kur duhej që lufta e klasave të ishte në nivelin e duhur, Idriz Halluni u arrestua duke vuajtur dënimin në kampin nr.309 të dënuarve në Ballsh. Regjistrohen 3 kallëzimet nga të dënuar të tjerë, si dhe 2 nga ish të dënuar. U arrestua më 18.9.1975. Idrizi menjëherë deklaron edhe në përballje me dëshmitarët se nuk i pranonte akuzat e tyre. Akuzohej se kishte thënë se SHBA ka rritur nivelin më të lartë ekonomik, se diplomacia amerikane punonte për të mirën e popujve, etj. Bie në sy fakti se hetuesia kërkonte ta aktualizonte goditjen me ngjarje si zhvillimi i plenumit të 4-rt, procesin e Beqir Ballukut, etj. Çështja u trajtua nga Gjykata Popullore e Rrethit të Fierit. Në deklarimet me shkrim përpara gjykatës, i konsideronte akuzat “përralla e legjenda për naivët”. Duke arsyetuar mbi shkaqet pse po dënohej quante gabim mësimin e gjuhës së huaj për dy të dënuari, (të cilët mbase kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit), mospranimin nga ana e tij për të dalë dëshmitar. Kërkonte vetëm deklarimin e pafajshëm. Me vendimi nr.375, datë 9.12.1975 gjykata e deklaroi fajtor në bazë të nenit 73 të Kodit Penal dhe e dënoi me 10 vjet burgim. U la në fuqi me vendimin nr.392, datë 29.12.1975. U lirua nga burgu më 18.1.1986, për të përfunduar në azilin e pleqve në Kavajë ku edhe vdiq./55news.al

Share: