Home I pakategorizuar GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË PULLAT SHQIPTARE

GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË PULLAT SHQIPTARE

Nga Leonora Laçi

Vitit jubile të 550- vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeut po i afrohet fundi dhe s’mund të mungonte kjo vepër mjaft e rëndësishme për të përmbyllur siç duhet nëntorin e pavarësisë dhe vitin kalendarik.

Librat e koleksionistit Hysen S.Dizdari janë të një tjetër karakteri nga ajo çfarë ne jemi mësuar të shohim, është pra një këndveshtrim ndryshe.
Pullat postare në pamje të parë duken si diçka që nuk bien në sy, por janë idenifikuese për të njohur historinë e një shteti, pullat mbajnë në to personalitete të rendësishme kombëtare. Koleksionimi i tyre është puna më e vështirë, dhe autori me pasion i ka mbledhur ata, për të na paraqitur në një libër të vetëm rrugëtimin e këtyre pullave që kanë mbi to figurën e heroit tonë kombëtar.

Autori i qendron besnik Shtëpisë Botuese AGStudio, si në rastin e botimit të librit kushtuar Shenjtereshës Nënës Tereze dhe në librin për Gjergj Kastrioti-Skenderbeut.

Botimi për Gjergj Kastriotin përfshin një hark kohorë të gjatë nga 1913-2017, pra si i vetmi libër i botuar për Skënderbeun në 105 vjet nga data e emetimit të pullës së parë shqiptare nga qeveria e patriotit Ismail Qemali dhe trajton të plotë koleksionin e pullës shqiptare për Skënderbeun nga viti 1913 deri në vitin 2017.
Ky libër hapet me pullën e parë ku paraqitet portreti i Skënderbeut, emetuar më datën 1 dhjetor 1913, dhe pasohet me emisionet të tjera kushtuar figurës madhore kombëtare të Skenderbeut.

Ky libër-album bënë periodizim të ndikuar nga ngjarje të ndryshme historike në të cilat ka kaluar shteti shqiptar, aty shpalosen vlerat kulturore, historike, artistike, dhe kombëtare të realizuara me mjeshtri të larte artistike nga piktorët e skulptorët me të njohur të vendit tonë dhe të huaj.

Libri ndahet në tre pjesë; Pjesa e parë; përfshin emisionet e pullave të emetuara nga viti-1913-1944. Pjesa e dytë; përfshin emisionet e pullave të emetuara nga viti-1945-1990. Pjesa e tretë; përfshin emisionet e pullave të emetuara nga viti-1991-2017.

Botimi është në dy gjuhë, në shqip dhe në anglisht. Përmes larmisë së informacionit dhe të ekspozimit të historisë pullave postare, ky libër nxit interesin e koleksionistëve shqiptar dhe të huaj.

Autori H.Dizdari për hirë të punës së tij ka marrë vlerësim në maj të 2018 me motivacionin: “Mirënjohje për punën hulumtuese dhe botimin e rrallë të “Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Pullat Shqiptare”, dhe për prezantimin dinjitoz me nota të larta atdhedashurie, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Ditënetët e Librit”, në Vitin kushtuar Heroit tonë kombëtar.” Kjo mirënjohje iu dha nga Presidenti i Klik Ekspo Group z.Luan Muhametaj, me drejtore festivalit znj.Elona Agolli.

Të dy librat e autorit; “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu në Pullat Shqiptare”dhe “Nënë Tereza në Pullat Shqiptare” janë pjesë e Panairit të Librit që po mbahet aktualisht në Pallatin e Kongreseve, i cili do të mbahet i hapur deri më 19 nëntor.

Share: