Home KRYESORE Mos dekretimi/ Tre dilema rreth përplasjes Meta – Rama

Mos dekretimi/ Tre dilema rreth përplasjes Meta – Rama

Vëndimi i Ilir Metës për të mos dekretuar propozimin e Ramës si Ministër të Brendshëm, Sandër Lleshin, ka hapur disa dilema të një polemike sa konstitucionale po aq edhe politike. Pyetjesh që shtrohen rëndom janë: A ka të drejtë kryeministri të emerojë pa asnjë pengese çdo ministër që do? A mund të komandohet zv.ministri? A mund të shkarkohet presidenti?

Lapsi.al i ka marrë me rradhë ato duke u munduar ti zbardhë për publikun…

Kujt i jep të drejtë kushtetuta?

Këtu palët ndahen në dysh. Ilir Meta pretendon se nuk është noter që të firmosë çdo anëtar kabineti që i vjen mbi tavolinë. Madje që gjatë fushatës elektorale, kur ishte ende president i zgjedhur, por që nuk kishte marrë ende detyrën, ai e deklaroi publikisht se nuk do të dekretonte njerëz të korruptuar apo të lidhur me krimin.
Por ndryshe mendojnë ata që e shpjegojnë kushtetutën duke i dhënë Presidentit vetëm rolin ceremonial të firmosësit. Në të gjitha republikat parlamentare si Shqipëria, vullneti është i kryeministrit dhe ky vullnet verikohet nga Parlamenti, ndërsa presidenti ka vetëm 7 ditë kohë për të kryer veprimin solemn të dekreteve të shkarkimit dhe emërimit të ministrave. Pra sipas këtij interpretimi afati 7 ditor i nenit 98 të kushtetutës është detyrues për kreun e shtetit që i kufizon dhe kohën kur ai duhet të firmosë dekretin. Ja ç’thotë neni që është vënë në qendër të polemikave:

Neni 98

1.Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenga 7 ditësh
2.Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Se cili ka të drejtë në këto interpretime, mund ta vendosë vetëm Gjykata Kushtetuese. Por falë reformës në Drejtësi, ajo dalngadal po mbush vitin jashtë funksionit.

Çdo të bëjë Rama pas refuzimit?

Vetë Rama nuk ka thënë asnjë fjalë pas vendimit të Metës, por mediat pranë tij kanë hedhur idenë e komandimit të Lleshit si një zv.ministër i fortë, që në fakt do të drejtojë ministrinë e Brendëshme. Por kjo nuk duket e realizueshme për një arsye të thjeshtë. Kryeministri mund ta emëroje me vendim qeverie Sander Lleshin zv.ministër, por delegimin e kompetencave të ministrit nuk e ka kryeministri, por vetëm ministri. Sandër Lleshi mund të ketë kompetenca ministri vetëm nëse ato ja delegon ministri Xhafa, i cili do të vazhdojë të jetë formalisht ministër deri sa presidenti të dekretojë zëvendësin e tij (madje edhe nëse votohet nga parlamenti shkarkimi).

A mundet shumica të shkarkojë Metën?

Pas refuzimit të dekretimit, ashtu siç ndodhi edhe gjatë polemikës së Nishanit (kur u tha se nuk do të dekretonte Fatmir Xhafën) po ngrihen zëra se Presidenti ka shkelur kushtetën dhe parlamenti duhet të kërkojë shkarkimin e tij. Shkelja e kushtetutës sipas mbështetësve të PS qëndron në faktin (pika 1) se presidenti është i obliguar të dekretojë një propozim të kryeministrit për ministër.

Por në nenin 90 të Kushtetutës Presidenti i Republikës shkarkohet nga Kuvendi kur ka kryer një krim të rëndë, kur çmendet ose ka shkelur rëndë Kushtetutën. Dhe këtu plani duket i parealizueshëm se nga këto të treja vetëm shkelja e kushtetutës mund të diskutohet, por atë duhet ta sanksionojë Gjykata Kushtetuese që është jashtë funksionit. Plus që politikisht Ramës i duhet një shumicë shumë më e madhe se e tija (93 deputetë) për të nisur procedurën e gjatë të shkarkimit të presidentit. Pra kjo tezë duhet të jetë vetëm propagandë kërcënuese.

©Lapsi.al

 

Share: