Home KRYESORE Unë do ngrihem në protestë, kur një nga protestuesit të vdes…!

Unë do ngrihem në protestë, kur një nga protestuesit të vdes…!

Sa prej jush i kanë ndjekur protestat e banorëve të Astirit këto ditë? Sa prej jush e kanë parë të udhës për t’ju bashkuar kësaj proteste?

Banorët e Astirt prej 16 ditësh kanë dal në protesta kundër shembjes së ndërtesave/objekteve që do të preken nga zbatimi i projektit të ‘Unazës së Madhe’. Këta qytetarë janë në ditën e 16 të protestës, pavarësisht ‘censurimit’ që shumë media kanë zgjedhur të bëjnë me këtë ngjarjë duke devijuar ose duke mos e mbuluar atë tërësisht.

Duhet të qartësohet se ata nuk janë kundër projektit. Janë pro saj, vetëm me një kusht: Të dëmshpërblehen 100 %.

Qytetarët kanë nevojë për përgjigje.

Ata kërkojnë ngultazi një takim me kryetarin e bashkisë, por deri më tani nuk ka asgjë zyrtare nga institucionet përkatëse duke mos njoftuar paraprakisht se sa persona do preken nga ky projekt, e çfarë kostosh ka. Pra, ka disa pikëpyetje dhe do ishte e qenësishme që të kishte një sqarim nga autoritetet. Fadromat për prishjen e objekteve kanë mbërritur në vendngjarje, por ende nuk ka asnjë veprim se cila do jetë rruga ligjore për dëmshpërblimet.

Protestuesit mund të kenë ‘grabitur’ vëmendjen dhe reagimet e të gjithëvë ne, por çuditërisht nuk ka rezultuar efikase për kryebashkiakun e Tiranës, i cili në total, në daljet e tij publike e ka cekur vetëm 2 herë këtë çështje, pa pasur argumente.

E vetmja mburojë e tij (siç ndodh rëndomtë me aktorët politikë) janë cilësimet: shpellarë, banditë, nazistë. I etiketon banditë 10-vjeçarët, të cilët flen me makthe në vend të ëndërrave, dhe zgjohen rrugëve duke mbajtur pankarta në duar e duke thërritur me të madhe: ‘Shtëpinë do ta mbroj me gjak’.

Këto 16 ditë nuk kemi parë protesta banditësh, siç shprehet Veliaj.

Kryebashkiaku sulmon ngaqë nuk është i gatshëm t’u përgjigjet banorëve. Ndihet i frikësuar, sepse si çdo politikan tjetër është mësuar t’i shoh shqiptarët në protesta vetëm nën mantelin e militantit, pa sy dhe vesh, konformist deri në atë pikë edhe kur në lojë futen të drejtat e tyre vitale.

I godet me epitetin ‘shpellarë!

Fatkeqësisht, politika jonë po bën një punë kolosale për t’i transformuar trupat dhe mendjet e njoma në – shpellar, duke ua ekzekutuar mendimet dhe të drejtat që pa lindur.

Qytetarët kërkojnë përgjigje; Ata nuk kanë nevojë të sodisin në televizion ‘bukurinë’ dhe arrogancën e politikanëve.

Ndër të tjera, deklarojnë se “nëse banesat do prishen pa aprovimin e banorëve, do ketë viktima”.

Këta qytetarë kanë nevojë për mbështeje. Për mbështetjen time. Por unë do ngrihem në protestë, kur një banorë i pafajshëm të vdes.

L.M/News365.al

Share: