Home KRYESORE E pabesueshme/ Ndodhi, tifozi profetik pa në ëndërr ku do luhet finalja

E pabesueshme/ Ndodhi, tifozi profetik pa në ëndërr ku do luhet finalja

Kur në fillimin e nëntorit një tifoz i River Plate, i cili quhet tobipailos17 në Twitter, ka rrëfyer ëndrrën që kishte parë për “Superclasico”-n, shumë duhet të jenë tallur me të.

Sigurisht do të kenë menduar se djaloshi (që e përshkruan veten si “i sëmurë me River”) do të kishte ngrënë rëndë para se të flinte gjumë.

Nga ana tjetër, mesazhi i tij ishte shumë absurd për të qenë i vërtetë.

Mund të pranohet se “Millonarios” ishin në avantazh në skenarin e tij, por parashikimi se finalja e madhe do të luhej në “Bernabeu” dukej një çmenduri e vërtetë.

Gjithsesi, duket se ëndrra e tifozit argjentinas ka qenë profetike, sepse finalja e kthimit e Kupës Libertadores do të luhet pikërisht në stadiumin e Real Madrid.

Dhe tani gjithë bota ka shkuar në profilin e tij në Twitter për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një punim në photoshop të realizuar shumë mirë.

Përgjigjja është jo, tobipailos17 e ka postuar mesazhin 3 nëntorin e kaluar (para ndeshjes së parë) dhe tani është kthyer në një legjendë.

“Kam ëndërruar se po luanim Super Finalen dhe se po fitonim 1-0 me gol të Pity Martinez.

Por stadiumi nuk ishte as “Bombonera”, as “Monumental”. Ishte SANTIAGO BERNABEU”.

Magji? Vizion i së ardhmes? Ku i dihet, por ndërkohë gazetat argjentinase nuk e kanë humbur rastin dhe përdoruesi i Twitter është kthyer në një personalitet.

Dikush, siç mund të pritej, ka filluar t’i kërkojë të parashikojë edhe numrat e lotarisë, por tani që është realizuar gjysma e parashikimit, mungon gjysma tjetër.

Duke parë aftësitë parashikuese të djaloshit, trajneri i Boca-s, Schelotto, mund të përgatisë një mbulim të veçantë për Martinez, lojtari që duhet të shënojë golin e avantazhit, sipas ëndrrës të tifozit të River.

Fraza kyçe është “po fitonim”. Boca mund të kalojë në disavantazh, por nuk dihet se në cilën minutë është ndalur ëndrra paralajmëruese!

Share: