Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera KLSH: Dëmi nga administrata 2015-2017 kap shifrën e 957 milionë eurove

KLSH: Dëmi nga administrata 2015-2017 kap shifrën e 957 milionë eurove

Administrata shtetërore, në 9 muaj, nga shkeljet dhe abuzimet i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën e 957 milionë eurove.

Shifra e lartë e dëmit u publikua nga raporti i auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën janar-shtator 2018.

Kontrollet janë kryer në 9-mujorin e këtij viti, por, sipas KLSH-së, shkeljet i përkasin veprimtarisë ekonomike për periudhën 2015-2017.

Raporti evidenton se shkeljet më të larta janë kryer në sektorin e të ardhurave dhe të shpenzimeve, të cilat kapin një dëm prej 917 milionë eurove.

Dëmi më i lartë ekonomik është shkaktuar nga abuzimet në shitjen e pronës shtetërore, dhënies me qira dhe koncesionet.

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se për të gjitha shkeljet e gjetura kallëzoi në Prokurori 98 drejtues të lartë dhe të mesëm të administratës.

Abuzimet dhe shkeljet e administratës kapin shifrën rekord të dëmit ekonomik të shkaktuar, i cili, sipas KLSH-së, arrin në vlerën e 957,3 milionë euro. Referuar Kontrollit të Lartë të Shtetit, është konstatuar se nga parregullsitë dhe shkeljet financiare dëmi llogaritet në 39,7 milionë euro. Nga shkeljet me shpenzimet dhe të ardhurat dëmi llogaritet 957 milionë euro.

“Parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 4,993,758 mijë lekë ose 39,7 milionë euro.

Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 115,349,578 mijë lekë, afërsisht 917,6 milionë euro nga e cila: 44,144,180 mijë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 351,1 milionë euro; 71,205,398 mijë lekë afërsisht 566,5 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 120,343,336 mijë lekë ose afërsisht 957,3 milionë euro.

Këto shkelje financiare përgjithësisht i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2015-2017, përcaktuar për çdo subjekt të audituar në programet e auditimit”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

v.l/ Dita

Share: