Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Pse hesht Rektori i Universitetit të Tiranës, pse heshtin dekanët e universiteteve?!

Pse hesht Rektori i Universitetit të Tiranës, pse heshtin dekanët e universiteteve?!

Nga Denis Dyrnjaja

Të vetmit që heshtin prej ditësh janë rektorët dhe dekanët e universiteteve sikur kjo që po ndodh ka lidhje me minierat, jo me situatën në Universitetet dhe institucionet që ata drejtojnë ose më saktë mbi të cilët vegjetojnë. Janë ata që kanë lejuar që arsimi të shkojë në këtë gjendje degraduese, janë ata që kanë lejuar fiktivitetin në universitete, korrupsionin, nepotizmin, janë ata që kanë mykur universitetin. Si shpjegohet që në pikën më të nxehtë kur studentët janë në rrugë dhe protestojnë prej ditësh rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni hesht?!

Asnjë deklaratë, asnjë qëndrim. Kjo do të thotë se universiteti është jetim. Ç’është kjo heshtje skuthe?! Ç’është ky rektor që nuk mban nje qëndrim për kërkesat e studentëve, qoftë kundër ose pro tyre, mban njeriu një qëndrim.

Është detyrim ligjor në rradhë të parë dhe më pas edhe detyrim publik e së fundi moral sepse je në krye të një institucioni ku të janë ngritur njerëzit në protestë. Por në disa raste heshtja flet edhe më shumë, heshtja është prelud i asaj që duhet të ndodhë. Duhen pastruar universitetet nga lart. Universiteti është kalbur nga koka dhe andej edhe qelbet prandaj, studentët sot janë në rrugë.

Sepse krah tyre dhe për te mbrojtur interesat e tyre jo sot, por dje, sot e gjithmonë duhet të jenë drejtuesit e universiteteve por nuk kanë qenë dhe nuk janë sepse janë ca aparatçikë të lodhur. Janë ca burokratë e karrieristë klasikë të cilët kanë ndalur orën e shkencës prej vitesh duke e shndërruar universitetin në kioskë që jep diploma me para e për qoka në shërbim të partive politike për të siguruar fitoren në garën e ardhshme në krye të Universitetit.

Turp, Turp për ju që e konsideroni veten profesorë dhe drejtues të universitetit. Që i trembeni edhe hijes suaj dhe skeni minimumin e kurajos publike për detyrën dhe statusin që keni e paguheni.

Një apel kam për studentët.!! Kërkoni dorëheqjen e të gjithë rektorëve dhe dekanëve. Ata nuk kanë përfaqësuar dhe nuk përfaqësojnë interesat tuaja. Ata madje i kanë shkatërruar interesat tuaja. Kërkoni largim të menjëhershëm të tyre. Bëni zgjedhje e zgjidhni në krye të universiteteve njerëz që mbrojnë interesat tuaja dhe të Universitetit. Krijoni kushte për zgjedhje të drejta që të zgjidhni njerëzit e duhur nëse kanë ngelur të tillë.

Ndryshe çdo tentativë për të gjetur zgjidhje do kompromentohet sepse me ju dhe kundër jush, qoftë dhe me mosveprim, janë ata që duhet të gjenin zgjidhje, drejtuesit e Universitetit!

Share: