Home KRYESORE Studentë! Nuk jeni vetëm. Nga Dr. Enriko Ceko

Studentë! Nuk jeni vetëm. Nga Dr. Enriko Ceko

Unë shkurt do flas sot. Do flas si një nga qytetarët që duan që të mos prishet teatri. Por gjithashtu unë jam një prind që i kam të dy fëmijët në një universitet publik dhe ju kuptoj shumë mirë sepse problemet që keni ju i kanë edhe fëmëijët e mij.

Gjithashtu dal sot këtu përpara jush edhe si një pedagog që kontribuoj në një institucion të arsimit të lartë privat. T’a keni të qartë se problemet e arsimit të lartë nuk janë vetëm në sektorin publik të arsimit të lartë, por janë dhe probleme të sektorit privat të arsimit të lartë, kështu që unë i bëj thirrje të gjithë studentëve të Shqipërisë të bashkohen.

Shqiptarë! Këta studentë nuk janë jetimë. Të dashur studentë: Keni prindër, keni vëllezër, keni motra. Na keni ne. Ju mbështesim sepse duke ju mbështetur ju ne mbështesim lirinë e këtij vendi, liri që ende nuk është arritur.

Reforma në arsimin e lartë ka dështuar jo vetwm në aspektin institucional, por edhe në aspektin e cilësisë të arsimit që merrni dhe në aspektin e diplomës me të cilën ju nuk jeni në gjendje të gjeni punë. Bizneset e vogla dhe të mesme sot kanë një problem shumë të madh.

Edhe kur kanë vende pune të hapura, ata nuk arrijnë që të gjejnë personin e aftë, që vjen nga arsimi i lartë, për këto vende pune. Dhe kjo sepse edhe nëse arsimi i lartë në Shqipëri mund t’u japë disa njohuri, nuk ju jep aftësitë që u duhen punëmarrësve dhe ky është një problem shumë i madh, kështu këtu që nuk shtrohet thjeshtë çështja se duhet të reformohet arsimi i lartë, duhet reformuar i tërë sistemi, sepse këtu shtrohet çështja e punësimit, çështja e rritjes ekonomike, është çështja e zhvillimit.

Imagjinoni, fermerë që nuk dinë se ku të gjejnë një agronom, një zooteknik, një veteriner. Biznese të vogla dhe të mesme që e kanë shumë të vështirë që të gjejnë një ekonomist shumë të mirë që sapo ka dalë nga bankat e shkollës.

Rreth 60% e të rinjve në të gjithë Shqipërinë, por kryesisht në zonën verilindore, janë të papunë dhe e kanë shumë të vështirë që të gjejnë punë sapo përfundojnë studimet e larta. Një komb në të cilin rinia nuk gjen punë është drejt shkatërrimit. Nuk është e rastit që rreth 79% e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria. Nuk është e rastit që rreth 23.000 të rinj që kryejnë studimet jashtë shtetit nuk duan të kthehen në Shqipëri.

Por kjo çështja e sistemit dhe e reformës në arsim ecën paralel me reformën në fusha të tjera. Ka dështuar reforma në arsim, por ajo nuk mund të ecë përpara pasi ka dështuar edhe reforma në sistemin e drejtësisë. Mos harroni një gjë. Reforma në sistemin e drejtësisë është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reforma në sistemin e drejtësisë është mbështetur nga Aleanca e Atlantikut dhe këta, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë bërë maksimumin që reforma në sistemin e drejtësisë të dështojë. Kështu kanë bërë edhe me reformën në arsim.

Mos harroni! Ne jemi këtu kundër ligjit për shkatërrimin e teatrit. Është një ligj special. Ligj favorizues për një subjekt privat. Mos harroni. Edhe ligji për arsimin e lartë është një ligj special, është ligj favorizues dhe kjo ju penalizon ju të rinj, prandaj ju bëj thirrje të jeni të bashkuar.

Të dashur studentë. Mos harroni disa gjëra:

1. Ju nuk jeni në protesë. Ju jeni në revoltë dhe ka një diferencë të madhe protesta me revoltën.

2. Revolta juaj nuk është revoltë partiake. Mos pranoni asnjë parti politike që të vijë atje dhe të marrë në dorë revoltën tuaj.

3. Revolta juaj është revoltë politike. Ka një debat shumë të madh në këtë çështje nëse revolta është apo jo politike, dhe, ky debat bëhet për t’ju prishur punë. Është revoltë politike sepse ju kërkoni që të ndryshojë ligji. E pra.

Kur kërkoni që të ndryshojë ligji, ligjin e ndryshon Parlamenti. Nuk e ndryshon Ministria. Ministra ka vetëm urdhëresa e rregullore. VKM-të i ka Këshilli i Ministrave. Prandaj kjo është një revoltë politike.

Djem dhe vajza që do merrni në dorë fatet e Shqipërisë: Mos u tërhiqni përballë rrugaçëve.

Share: