Home KRYESORE Vrasja e adoleshentes, apeli i fortë i Dom Gjergjit: Mos vrisni dy...

Vrasja e adoleshentes, apeli i fortë i Dom Gjergjit: Mos vrisni dy herë!

Arqipeshkvi i Mirditës Don Gjergj Meta, nëpërmjet një mesazhi, ka reaguar pas lajmit se 17 vjeçares që u vra në Laprakë dje i kishte vdekur e ëma, ndërsa babai e kishte braktisur.

Dom Gjergj Meta shkruan se informacioni vërtet është një e drejtë, por me të nuk duhet të abuzohet nga mediat sepse në fakt dy prindërit e vajzës jo vetëm që janë gjallë por janë dhe bashkë, pra nuk janë divorcuar.

‘Kur gënjehet apo sajohet për një klik më shumë. Pse? Tragjedia e vajzës së vrarë mbrëmë na ka prekur të gjithëve. Vetëm 17 vjeç dhe me shumë dëshirë për të jetuar si të gjitha bashkëmoshatarët e saj. Informacioni është një e drejtë, por… mos ia vdisni nënën se e ka gjallë e as të atin mos e bëni me faj duke gënjyer se është larguar’, ka shkruar ndër të tjera Arqipeshkvi i Mirditës, zonë prej së cilës vinte dhe vajza.

Gjithashtu Dom Gjergj Meta shprehet se ata janë një familje normale e Shqipërisë dhe Mirditës që janë larguar nga Kurbneshi për një jetë më të mirë në Tiranë, ashtu si mijëra familje që nuk shohin një të ardhme aty, duke theksuar dhe se prindërit e Briselda Gjikolës, janë bashkë.

‘Janë një familje normale e Shqipërisë dhe Mirditës tonë që janë larguar nga Kurbneshi për një jetë më të mirë në Tiranë ashtu si mijëra familje që nuk shohin një të ardhme aty. Iliri dhe Drita janë prindërit e vajzës së vrarë dhe janë bashkë. Verifikoni përpara se të shkruani të dashur gazetarë. Mos vrisni dy herë. Respektoni familjen dhe dhimbjen e tyre. Mos ushqeni thashethemin e kureshtarëve epshorë vetëm për pak klikime duke thënë gjëra të pavërteta’, përfundon ai në mesazhin e tij.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme, ndaj dy të rinjve, Briselda Gjikola e Erjon Benga është qëlluar me armë zjarri, sapo ata janë çuar nga kafja për të shkuar në drejtim të makinës së tyre.

Si pasojë e një plumbi në kokë, 17 vjeçarja ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital, ndërsa i dashuri i saj, 23 vjeçari Erjon Benga, pavarësisht se ka marrë dy plumba, një në qafë dhe një në shpatullë ka mundur të mbijetojë.

Share: