Me një shqipe të shkëlqyer, të cilën e ka mësuar nga dy pedagoget ruse që kishin jetuar në Shqipëri në vitet ’50, Gertruda Intrei dhe Irina Horonina, studiuesi bjellorus Aleksandër Novik rrëfen ekskluzivisht për “Shqiptarja.com” një nga zbulimet më të mëdha në Rusi të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në më shumë se dhjetë shekuj arkeologji, faktet e ekzistencës së një alfabeti shqip mungojnë. Mbishkrimet e zbuluara më së shumti janë ose në alfabetin latin, ose grek, dhe ka vetëm ndonjë gjurmë të pastudiuar ende të alfabeteve të vdekura të shqipes…
Por ja, në vitin 2015, arkeologu rus Dmitry Zenyuk ka zbuluar në fshatin Margaritovo në zonën e Uzovit, Rusi, mbishkrime në gjuhën shqipe të shkruara në tulla. Në fillim, kur arkeologët zbuluan objektet me mbishkrimet shqipe, i krahasuan me Alfabetin e Elbasanit dhe u mendua se ishte një alfabet që shqiptarët e Ukrainës e kishin marrë me vete.
Për fat të keq, historia e vajtjes së një numri të madh shqiptarësh në territorin e Perandorisë Ruse, për studiuesit shqiptarë është pothuajse e panjohur. Për shumë vite, kjo histori ka qenë e panjohur, jo vetëm për shoqërinë ruse, por edhe për shkencëtarë dhe specialistë në fusha të ndryshme të disiplinave humanitare.
Zbulimi i 200 tullave ku janë ruajtur shkronja e fjalë shqipe ka tronditur tashmë opnionin shkencor, ndërkohë që sot në muzetë ruse numërohen rreth 300 copë të ngjashme. Fakti që për dy shekuj mërgimi në Rusi dhe tre shekujt të tjerë në Bullgari shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur identitetin, traditat dhe gjuhën shqipe, nuk ka befasuar vetëm studiuesin e njohur Aleksandër Novik, por edhe albanologë të tjerë të huaj.
Nëpërmjet kësaj interviste Aleksandër Novik zbulon një faqe të panjohur të trashëgimisë shqiptare, një monument që ruhet përtej këtij vendi dhe larg syrit të studiuesve shqiptarë apo vëmendjes së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…
Dhe me sa duket këtë vit, pas përpjekjeve për reformimin e Akademisë, trashëgimia e shqiptarëve të Ukrainës po merr vëmendjen e merituar. Aleksandër Novik u nderua pak ditë më parë në Tiranë me Çmimin Kombëtar të Akademisë së Shkencave për vitin 2017, për studimet e tij për shqiptarët e Ukrainës.
Për “Shqiptarja.com”, Aleksandër Novik ka rrëfyer se në Rusi ccështja e studimit të diasporës shqiptare është shumë e rëndësishme. Sipas Novik gjatë shekullit të 20-të në Rusi janë bërë zbulime dhe analiza shkencore me nivel të lartë për të folurën shqipe në vendbanimet e jugut të Ukrainës, në rajonet e Odesas she Zaporozhies, ku nisi edhe periudha e themelimit të kolonisë së parë të “Karakurtit” që i takon fillimit të shekullit të 19-të, më saktë vitit 1811./Nje Komb