Home KRYESORE Ekonomia shqiptare drejt vitit 2019. Nga Dr. Enriko Ceko

Ekonomia shqiptare drejt vitit 2019. Nga Dr. Enriko Ceko

Siç edhe e kemi bërë traditë në çdo fillim viti unë përgatis një artikull për ecurinë e ekonomisë shqiptare, artikull që prej disa vitesh botohet me dashamirësi të plotë nga Revista Elektronike “Përqasje”.

Për vitin 2019 parashikimi bazohet në tre raportet e publikuara së fundmi nga Banka Botërore, revista prestigjioze The Economist dhe Universiteti i Harvardit si dhe në gjendjen e ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Konkretisht, Banka Botërore në datën 9 Janar 2019 ka publikuar një raport për ekonominë botërore dhe të vendeve të rajonit tonë, në të cilin deklarohet se shifrat për rritjen ekonomike të ekonomisë të deklaruara nga qeveria shqiptare janë më të larta se sa ato që llogarit Banka Botërore. Banka Botërore, edhe në raporte të mëparshme ka deklaruar gjithashtu se për shkak të qasjes qeverisëse ndaj buxhetit të shtetit, rritja ekonomike në tre – katër vitet e ardhëshme do vijë në rënie dhe një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare është duke kaluar dhe do kalojë edhe përgjatë vitit 2019 nga një shtresë me të ardhura më të larta në një shtresë me të ardhura më të ulëta me një prirje drejt varfërisë së plotë.

Në datën 10 Janar 2019 është publikuar një raport i revistës ekonomike shumë prestigjioze, The Economist, e cila ka një njësi që quhet Njësia e Inteligjiencës, The Intelligent Unit, që deklaron se qeverisja shqiptare ka dështuar në angazhimet e marra dhe se regjimi vazhdon të mbetet në brezin e regjimeve hibride, që njërën këmbë e kanë në diktaturë, duke sugjeruar se këto regjime nuk janë të përshtatshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në të ardhmen.

Në studimin e fundit të Universitetit të Harvardit, për gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në botë për vitin 2018, theksohet se në vendet e pazhvilluara dhe në zhvillim me regjime hibride, ekzekutivi ka bërë përpjekje që të kontrollojë të tëra pushtetet, vende në të cilat futet edhe Shqipëria, një prirje kjo për kontroll jo vetëm të të gjitha pushteteve, por edhe të ekonomisë në përgjithësi, duke sjellë frenim të rritjes ekonomike dhe të iniciativës së lirë.

Si rezultat, të tëra gjasat janë që ekonomia shqiptare është duke hyrë në një fazë ngadalësimi, që mund të zgjasë me vite, nëse nuk ndërhyhet me masa të forta të natyrës konservatore, pasi fryma neoliberale, tregoi se nuk ishte e aftë të shfrytëzonte “momentumin” e krijuar pas krizës financiare – bankare të periudhës 2008 – 2012, ngadalësim i ekonomisë, që vjen edhe për shkak se ka një rënie të investimeve në përgjithësi dhe atyre të huaja në veçanti. Përfundimi i dy projekteve të mëdha energjetike, gazjellësit TAP dhe Kaskada e Devollit është vështirë të kompensohen në periudhën afatshkurtër me projekte të tjera të kësaj natyre dhe kësaj madhësie.

Kjo prirje ekonomike vështirëson qasjen ndaj reduktimit të varfërisë dhe pengon rritjen e punësimit, por ajo që është më kryesorja kjo vështirëson edhe manaxhimin e buxhetit të shtetit.

Nga një këndvështrim tjetër, sektori publik dhe ai privat në Shqipëria bëjnë shumë pak shpenzime për kërkim dhe zhvillim në krahasim me vendet e tjera europiane. Sipas EUROSTAT, në vitet 2017 – 2018, mesatarja e investimeve për kërkim dhe zhvillim në BE ishte 2.07% e PBB-së në vendet e BE-së, ndërsa në Shqipëri shpenzimet për këtë zë ishin vetëm 0.03% e PBB-së, afro më pak se 500 milionë lekë, gjë që ndikon edhe për eurinë për vitin 2019 dhe në vazhdim.

Një diferencë shumë të madhe ka midis ekonomisë shqiptare dhe asaj evropiane në lidhje me inovimin teknologjik dhe aftësinë sipërmarrëse. Këta dy faktorë prodhimi, ndër më të rëndësishmit, në ditët tona, krahas tokës, punës dhe kapitalit, nuk shfrytëzohen pothuajse aspak dhe kjo ndikon në sjelljen e operatorëve në treg, duke frenuar start-up et, business angels, shtimin e numrit të SME-ve dhe rritjen e tyre, etj. Kjo më tej ndikon në reduktimin e mundësive për punësim dhe zgjerim veprimtarish ekonomike në sektorët e ndryshëm të ekonomisë shqiptare, duke ndikuar negativisht edhe në aftësinë konkurruese të saj në rajon dhe më gjerë.

Gjithashtu, problematike paraqitet gjendja me rimbursimin e TVSH-së, që përbën pengesë për sektorin privat. Konkretisht, deri në fund të muajit shtator 2018, detyrimet e prapambetura ishin rreth 80 mln euro dhe më tej kjo shifër ka shkuar në rreth 130 milionë euro dhe kjo kryesisht në sektorin e energjetikës, agroindustrisë dhe subjekteve fason. Nëse vazhdohet kështu edhe për vitin 2019 shumë biznese do përballen me vështirësi edhe më të mëdha.

Luhatjet e shumta në kursin e këmbimit, kryesisht luhatjet e monedhës euro në tregun vendas, ka sjellë vështirësi, risqe dhe pasiguri në bizneset që e kanë mbështetur veprimtarinë e tyre me partnerët e huaj dhe kjo mesa duket do ketë një ndikmim të mëtejshëm edhe përgjatë vitit 2019. Kjo sjell një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet sepse të ardhurat e ndërmarrjeve janë në euro, ndërsa shpenzimet në lekë.

Problematik ka qenë për dy – tre vitet e fundit kriminalizimi i ekonomisë, kryesisht zgjerimi i veprimtarisë së prodhimit, përpunimit, tregtimit dhe kalimit ilegal të kufirit të substancave narkotike, veprimtari që lidhet ngushtë edhe me luhatjet në kursin e këmbimit, kryesisht për monedhën euro.

Në lidhje me riskun në përgjithësi sipas agjencive që vlerësojnë riskun, Shqipëria nuk ka bërë përmirësime dhe mbetet një vend me risk të ndjeshëm për sipërmarrësit, ku risku i kreditit mbetet ende i lartë. Kjo bën që Shqipëria të klasifikohet në grupin e vendeve me faktorë problematikë.

Kjo gjendje risku duket edhe në deklaratat e Bankës së Shqipërisë, sipas së cilës, ritmet e rënies së investimeve duken edhe nga rënia e importit të makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, rënia e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte në tremujorin e tretë të vitit 2018 dhe prirja rënëse e gjendjes financiare të bizneseve në përgjithësi, që mesa duket do vazhdojë edhe për vitin 2019.

Problematike për Shqipërinë mbetet çmimi i energjisë. Çmimi i energjisë elektrike si për qytetarët, ashtu dhe për bizneset mbetet shumë i lartë krahasuar me vendet e tjera dhe kjo gjë është e vërtetë edhe për çmimin e hidrokarbureve. Në raport me të ardhurat për frymë, Shqipëria rezulton që ka karburantin më të shtrenjtë në Europë. Shqiptarëve u duhen mesatarisht 10.3% të të ardhurave ditore për të blerë një litër benzinë, duke e renditur në këtë mënyrë në shtetin europian që ka karburantin më të shtrenjtë në Europë, në raport me të ardhurat për frymë. Por, krahas shtrenjtësisë, ajo që lë për të dëshiruar është dhe cilësia e saj. Për vitin 2019 kërkohet një qasje tjetër ndaj akcizës për hidrokarburet, me synim uljen e çmimit të tyre në tregun vendas.

Në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2018, subjektet që operojnë në sektorin e tregtisë deklarojnë se ecuria e tyre ka pësuar rënie mesatarisht 9 – 10%, duke shtuar edhe më shumë presionin e rënies së konsumit, shtimit të konkurrencës dhe rritjes së barrës fiskale. Edhe përfshirja në TVSH e bizneseve me xhiro mbi 2 milionë lekë rezulton me kosto shtesë, duke ndikuar për keq edhe në punësim, gjë që mendohet se do vazhdojë edhe për vitin 2019.

Sa më lart, një qasje më realiste ndaj buxhetit të shtetit, me shtesë në shpenzimet për bujqësinë, arsimin dhe shëndetsinë, do ndikonte pozitivisht në ecurinë e sektorit privat, ndërsa lehtësimi i barrës fiskale në përgjithësi, por në sektorin e hidrokarbureve, manaxhimit të mbetjeve urbane dhe produkteve ushqimore në veçanti, do ndikonte edhe më shumë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Paralelisht me këto, përmirësimi i nivelit, gamës dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara nga administrata publike për qytetarët dhe sektorin privat, respektimi i ligjit, qartësimi i çështjeve të pronësisë, pakësimi i shpenzimeve të administratës publike, synimi për aplikimin e standardeve të manaxhimit të cilësisë, etj, do përgatisnin kushtet për një mjedis më të përshtatshëm ekonomik për operatorët në treg.

Share: