Home KRYESORE Përplasja Qeveri-Presidencë/ Meta kthen në Kuvend ligjin për kadastrën

Përplasja Qeveri-Presidencë/ Meta kthen në Kuvend ligjin për kadastrën

Presidenti Meta ka kthyer për rishikim ligjin për Kadastrën, i cilësuar nga qeveria Rama si ligji që do t’i jepte fund problemit të pronës dhe legalizimit duke shkrirë zyrat e hipotekës, legalizimeve dhe kthimit të pronave në një institucion të vetëm, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Por, duket se ky projekt do të shtyhet në kohë pasi Presidenti Meta ka dekretuar kthimin mbrapsht në Parlament të ligjit duke renditur edhe 5 argumente për ta rishikuar atë.

“Në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 11055, datë 15.01.2019, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti” thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën” me Kushtetutën, dhe në përfundim të shqyrtimit çmon se disa nene të veçanta të këtij ligji, bien në kundërshtim me legjislacionin bazë të së drejtës civile në Republikën e Shqipërisë; cënojnë parimin e sigurisë juridike; krijojnë tension kushtetues; si dhe nuk janë në harmoni me jurisprudencën kushtetuese.

“Së pari, nenet 6 pika 1, 13 pika 6, 22 pika 2, të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, bien ndesh me legjislacionin bazë të së drejtës civile në Republikën e Shqipërisë. Së dyti, ligji nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, me mangësitë që paraqet cënon parimin e sigurisë juridike në qarkullimin civil të pasurive të paluajtshme si dhe standardin kushtetues të të drejtave të fituara. Së treti, neni 37/b i ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, cënon parimin e sigurisë juridike në lidhje me të drejtën e pronës dhe bie ndesh me jurisprudencën kushtetuese. Së katërti, parashikimet jo të plota të pikës 2 të nenit 28, të ligjit nr. 111/2018, krijojnë rrezik për cënimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale që administrohen në regjistrin publik dixhital të pasurive të paluajtshme. Së pesti, parashikimet e ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën” që referojnë në një tjetër ligj, i cili aktualisht është në statusin e projektligjit dhe ende i pamiratuar nga Kuvendi cënojnë haptazi parimin kushtetues të shtetit të së drejtës”, -shkruan Meta.

Share: