Home KRYESORE Profesionist apo politikan…? Nga Sorina Koti

Profesionist apo politikan…? Nga Sorina Koti

Më shumë se kurrë është hapur debati për diplomat dhe profesionet e politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë. Më shumë se kurrë po kritikohen dhe po vihen në shënjestër për t’i diskredituar dhe për të nxjerrë në pah të vërtetat. Por pse pikërisht tani??? Sepse, ne u lodhëm nga gënjeshtrat dhe drejtimi i të paaftëve.

Nëse shohim ndër vite, gjithmonë ka pasur politikanë, të cilët nuk kanë pasur formimin profesional, moral dhe integritetin për të na përfaqësuar ose qeverisur. Gjithmonë ka pasur politikanë, që profesioni i tyre i vetëm ishte politika. E pra, ky fenomen nuk u shfaq pikërisht tani dhe ne po përballemi me këtë të vërtetë. Gjithmonë ka qenë dhe ky nuk është faji i atyre, që duan të merren me politikë, ky është faji i secilit prej nesh që e pranon këtë mentalitet, këtë model dhe e çon atë përpara.

Është faji i secilit prej nesh, që pranon të votojë persona pa arsim, pa moral dhe integritet; është faji i shoqërisë, që pranon të bëhet pjesë e vendimeve të një klase të caktuar politike. E vit pas viti, ne jemi dëshmitarë se si politika është kthyer në urrejtje për njerëzit. Të rinjtë, intelektualët, qytetarët e thjeshtë kanë neveri dhe nuk besojnë më në politika. Në këtë pikë kemi arritur… Kemi arritur në këtë pikë, sepse pjesa më e madhe e politikanëve dhe qeveritarëve kanë abuzuar me besimin tonë, kanë luajtur me intelektin tonë, kanë shkatërruar shpresën dhe besimin për të ardhmen.

Natyrisht, që është më e lehtë të bësh rolin e politikanit, sesa të profesionistit. Ndërsa, unë personalisht kam besuar të kundërtën; duhet të jesh fillimisht njeri i mirë, profesionist i zoti dhe më pas të jesh politikan i ndërgjegjshëm. Unë ende e besoj këtë dhe ka shumë që e besojnë këtë, por për fat të keq Shqipëria ka arritur në një pike, që intelektualët nuk duan të angazhohen politikisht, për shkak të presioneve dhe ambjentit të ndotur, që është krijuar nga politika.

Por, nuk është turp të merresh me politikë, të angazhohesh për t’i dhënë vendit tënd diçka nga vetja, nga formimi dhe besimi yt. Nuk është krim të merresh me politikë, madje unë do e konsideroja guxim. Madje guxim të tepruar, kur njerëz me formim dhe profesion duan të bëhen pjesë e strukturave politike, kur realisht e dimë sesa e vështirë është të bësh politikë në Shqipëri, kur krimi dhe politika janë bërë bashkë.

Shpresa do kthehet kur kryetarët e partive dhe sistemi zgjedhor, të promovojnë dhe të mbështesin profesionistët, që vijnë t’i japin politikës dhe jo ata, që profesion kanë vetëm politikën dhe veç marrin prej saj. Kur politikisht të mbështeten njerëz, që nuk janë të varur nga krimi dhe aferat korruptive; kur të mbështeten të rinj, të cilët janë të mire-arsimuar dhe me dëshirën për të ndryshuar njëherë e mirë punët e këtij vendi; kur të mbështeten njerëzit, që politikën e shohin si aksion dhe jo për përfitime personale dhe familjare.

E di, që mund t’u duket utopike kjo që kam shkruar, por për fat të mirë besoj në çdo fjalë të shkruar. Besoj se Shqipëria ka shumë njërëz të pastër, të drejtë dhe punëtorë, të cilët janë aset shumë i madh për këtë vend, që po rrudhet përditë.

E nëse nuk duam, që edhe fëmijët tanë të mendojnë si ne në të ardhmen, duhet të fillojmë të reagojmë. Reagimi është kompleks dhe në shumë forma, mjafton të reagojmë… Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për t’u marrë me politikë, por duke parë ku ka arritur Shqipëria deri tani është mirë, që politikani të jetë profesionist dhe jo llogje-bërës…

Share: