Home KRYESORE Video/Bankat në shenjestër! Tre bankomate grabiten me tritol brenda muajit

Video/Bankat në shenjestër! Tre bankomate grabiten me tritol brenda muajit

Bankat duket se janë vënë në shënjestër të grabitësve këtë fillimviti. Mëngjesin e sotëm u raportua sulmi ndaj një bankomati në qytetin e Vorës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës, ndërsa autorët kanë arritur të largohen edhe pse komisariati është 50 metra larg bankomatit.

Ndonëse policia e Tiranës e cilësoi një tentativë grabitje dhe deklaroi zyrtarisht se nuk ishin marrë para në bankomatin e një banke të nivelit të dytë në Vorë, pamjet e News 24 tregojnë se bankomati është shkatërruar plotësisht dhe arka është bosh. Zakonisht bankomatet mbajnë një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra.

Bankomati është i vendosur në një pallat që është në rikonstruksion dhe kjo gjë me sa duket ka ndihmuar autorët pasi nuk ka pasur objekte me lëvizje tek godina.

Kjo është grabitja e tretë që ndodh në bankomat brenda muajit Janar dhe skema është e ngjashme.

Më datë 4 janar është grabitur bankomati i një banke të nivelit të dytë në Urën Vajgurore. Autorët njësoj si në Vorë kanë përdorur lëndë plasëse për të hapur bankomatin. Ata janë larguar pa lënë gjurmë dhe deri më tani nuk ka të ndaluar.

Më date 8 janar, grabitësit mësynë një bankomat në Bulevardin Blu në Kamëz. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orëve të para të mëngjesit, ku persona të paidentifikuar kanë tentuan ta hapnin me mjete të forta. Në momentin e ngjarjes ka rënë sistemi i alarmit. Kështu paratë kanë shpëtuar, por autorët janë larguar dhe ende nuk janë identifikuar nga policia. /Opinion.al

Share: