Home Approccio Italo Albanese Ekspozita “L’eterno femminino”: Përfaqësimi i gruas shqiptare nga shekulli i Njëzetë deri...

Ekspozita “L’eterno femminino”: Përfaqësimi i gruas shqiptare nga shekulli i Njëzetë deri më sot” në rezidencën e Italisë në Tiranë

Nga data 4 shkurt deri më 30 prill 2019, Rezidenca e Italisë në Tiranë mirëpret ekspozitën “L’Eterno Femminino” Përfaqësimi i gruas shqiptare nga shekulli i Njëzetë deri më sot”.

Kuruar nga Artan Shabani, ekspozita sjell një përzgjedhje veprash të artistëve dhe artisteve shqiptare – nga shekulli i njëzetë deri në ditët e sotme – që kanë portretizuar figurën femërore.

Ekspozita “L’eterno femminino” (Femërorja e përjetshme) bën bashkë artistë të brezave të ndryshëm, nga periudha e Nëntëqintës shqiptare, etapa e vetë-izolimit, deri tek shprehjet bashkohore të ditëve tona (2019). Imazhi i gruas është një vijimësi e krejt artit pamor, krijuar prej të dy gjinive të artistëve. Gruaja, mbetet ndër subjektet më të trajtuara në rolet e saj në shoqëri dhe me domethëniet e tyre simbolike.

Ekspozita është pjesë e projektit më të gjerë që Ambasada Italiane në Tiranë po ndërmerr për të promovuar barazinë gjinore dhe luftën kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe dhunës ndaj grave – problem që prek edhe popullatën shqiptare. Në këtë kuadër, gjatë gjithë periudhës në të cilën do të qëndrojë e hapur ekspozita, në Rezidencën e Italisë do të mbahen takime të hapura me studiues,

artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të trajtuar në aspektin historik, social dhe artistik rolin e  gruas në shoqërinë shqiptare.

“Pas ekspozitës me artistë që kanë kryer studimet në Itali, kësaj here menduam të propozojmë një temë e cila do të mundësonte hulumtimin më në brendësi të një elementi thelbësor të shoqërisë shqiptare, siç është figura femërore,” tha Ambasadori italian, Alberto Cutillo.

“Pas Kryesimit të OSBE-së, këtë vit Italia është anëtare e Këshillit të të drejtëve të njeriut të Kombeve të Bashkuara, për dyvjeçarin 2019-2021, e ndër përparësitë tona është edhe mbrojtja e të drejtave të grave. Kjo përparësi artikulohet në fuqizimin e të drejtave të grave dhe të vajzave, në luftën ndaj çdo forme të dhunës ndaj tyre, në angazhimin për zhdukjen e praktikave ende në përdorim në disa prej Vendeve të botës, si gjymtimi i organeve gjenitale, martesat e detyruara. Prandaj menduam se njohja më në brendësi e temës së gruas mund të përbënte jo vetëm një kontribut artistik por edhe një mundësi reflektimi për gjendjen e gruas në botë e, veçanërisht në Shqipëri”, thekson ambasadori.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun çdo të enjte, duke filluar nga data 7 shkurt, nga ora 15.30 deri në orën 17.30, vetëm duke prenotuar një vizitë në adresën [email protected].

Share: