Home KRYESORE “Këtu as një shiringë nuk gjen” Gripi mbush spitalet

“Këtu as një shiringë nuk gjen” Gripi mbush spitalet

Numri i personave të paraqitur me simptoma gripale pranë Spitalit Rajonal të Durrësit ka ardhur në rritje gjatë ditëve të fundit.

Sipas mjekëve, ky është një fluks i shtuar për shkak të gripit stinor që qarkullon në të gjithë territorin e vendit, ndërsa nuk kanë munguar edhe rastet me komplikacione, me të prekurit që janë shtruar në spital për mjekim më të specializuar.

Ndërkohë, vet pacientët dhe familjarët e tyre pretendojnë për një trajtim me më shumë medikamente pranë këtij spitali, për të mos qenë nevoja t’u drejtohen farmacive jashtë tij.

“Po, ka pasur raste të rënda, të cilat ne i kemi trajtuar në urgjencë, i kemi stabilizuar dhe pastaj janë hospitalizuar. Kryesisht janë pacientë me komplikacione të rrugëve të frymëmarrjes”, tha Gjergj Qerimi, mjek pranë Spitalit të Durrësit.

“Shumë problem është Spitali i Durrësit. Një shiringë nuk kanë, një ilaç, një vigon duhet t’i blesh të gjitha jashtë. Është fatkeqësi e madhe. Nëse ke parà i blen; nëse jo, asgjë!”, tha një qytetare.

Sikur të mos mjaftonte fluksi i madh i pacientëve, në Spitalin e Vlorës mungon edhe energjia elektrike.

“Kam probleme me mushkëritë dhe nuk po më japin rrugëzgjidhje. Vij këtu dhe nuk ka drita”, thotë një qytetare nga Vlora.

“Gjendjet virale janë shtuar, vazhdojnë me temperaturë 39-40 gradë. Ka një fluks dhe vizitat mund të arrijnë edhe 100 në ditë”, shprehet Servet Bejkollari, mjek pranë Urgjencës së Vlorës.

Ndërsa në Urgjencën e Fierit, numri i vizitave kap një shifër rekord.

“200 raste për 24 orë, pjesa më e madhe e të cilëve janë me temperaturë. Ajo që kërkojmë është të sensibilizojmë njerëzit që të shkojnë te mjeku i familjes”, tha Blendi Dhespollari, mjek pranë Urgjencës së Fierit.

Situatë më normale duket se paraqitet në qytetin e Shkodrës.

“Praktikisht jemi në një situatë normale për kohën. Nuk jemi si një vit më parë, jemi në një fazë më të ulët. Por, numri mund të rritet papritur pasi është sezoni i pikut të gripit dhe nuk mund të parashikohet”, tha Astrit Lahi, mjek pranë Ugjencës së Shkodrës.

360grade.al

Share: