Home Approccio Italo Albanese Negociatat në qershor? Ambasadori: Nëse do vija bast shanset janë 50 me...

Negociatat në qershor? Ambasadori: Nëse do vija bast shanset janë 50 me 50

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të vendit të tij për Shqipërinë. Ai tha se negociatat e Shqipërisë me BE-në duhet të ishin hapur më herët. Por përpos qendrimit zyrtar, Cutillo u pyet nga gazetari Blendi Fevziu për opinionin personal nëse ka shanse të hapen negociatat në qershorin e këtij viti. Ai u shpreh se “është pyetje e vështirë por nëse do vija bast, shanset janë 50 me 50”.

Fevziu: Për mendimin tuaj në qershor Shqipëria do të marrë një Po apo një JO?

-Eshtë pyetje e vështirë. Loja është e hapur. Shqipëria i ka të gjitha instrumentet për të treguar se tashmë është e pjekur dhe të impenjohet për të marrë një PO, por nuk është e thënë.

Nëse do të vija bast, është 50/50.

Më herët, gjatë intervistës në “Opinion”, Cutillo do të shprehej se asnjë vend nuk është i përkryer dhe se Shqipëria duhet të ecë në rrugën e reformave e sidomos me reformën në drejtësi.

Fevizu: z.Ambasador, cila është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Itali-Shqipëri?

-Sigurisht, çështja më e rëndësishme është futja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian që edhe për ne ka vërtet prioritet.

Fevziu:Që duket ende e largët.

-Duket pak larg, por rëndësi ka që tashmë ka nisur dhe nisja nënkupton hapjen e negociatave. Italia është e bindur që këto negociata duhet të ishin hapur edhe më parë. Shpresojmë që ky të jetë viti i duhur.

Fevziu: Cila është përgjigja e Italisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

-E përsëris, ne jemi të bindur se reformat që Shqipëria ka ndërmarrë dhe duhet të ndërmarrë, mund të bëheshin edhe gjatë negociatave. Madje negociatat shërbejnë si instrument për reformat. Shqipërisë i kërkohet të bëjë reforma para se të nisë hapja negociatat dhe kjo është e tepërt.

Fevziu: Pse Italia, madje edhe disa vende si Franca apo Hollanda, kanë opnione të ndryshme për Shqipërinë?

-Bashkimi Evropian përbëhet nga 28, 27 shtete dhe secili prej tyre ka prioritetet e veta, secili ka ndjeshmëritë e tij. Për ne që jemi kaq pranë Shqipërisë, duket qartë prioriteti, ndërkohë që vendet më të largëta nuk e konsiderojnë kaq të rëndësishme.

Fevziu: Flitet për probleme lokale evropiane apo në të gjithë panoramën Evropiane?

-Mendoj se janë të dyja. Në këtë fazë janë politike, përderisa janë dhe zgjedhjet evropiane në maj, mendoj se politika e brendshme përbën problemin më të madh.

Fevziu:Cilët janë problemet apo detyrat që Shqipëria nuk i ka bërë ende?

-Le të themi që asnjë nuk është i përkryer. Nëse edhe vendet anëtare do t’i nënshtroheshin të njëjtit provim që duhet të kalojë Shqipëria, nuk di sa prej tyre do ta merrnin këtë provim.

/Ri-De
Opinion.al

Share: