Home KRYESORE Ҫiҫikovët shqiptarë! Nga Mimoza Koka

Ҫiҫikovët shqiptarë! Nga Mimoza Koka

Para disa kohësh lexova artikullin “Arkiva e shtetit në shërbim të mafies, për të grabitur pronat”, ku flitet për një vendim të datës 25 Janar 2019-të, në të cilin thuhet se i jep mundësinë mafias të depozitojë në arkiv dokumente false që ato të shërbejnë më vonë si provë nga gjykata për pronësinë e tokës. Është detyrë e organeve kompetente të saktësojnë nëse kjo është e vërtetë.

Mora shkas nga ky artikull për të sjellë në vëmendje romanin e Gogolit,“Shpirtra të Vdekur”, të shkrimtarit të famshëm rus Nikolai Gogol (1809-1852). “Shpirtra të Vdekur”, botuar në vitin 1842, është konsideruar si kryevepra e tij dhe një nga romanet më të mirë të shekullit të 19-të.

Figura qëndrore e romanit është ajo e Ҫiҫikovit. Është periudha e sistemit të bujkrobërisë në Rusi. Degradimi i marrëdhënieve ekonomike të këtij sistemi shprehet në mënyrë të përkryer në fabulën e këtij romani. Në Rusinë e kësaj periudhe regjistrimi i popullsisë kryhej tepër rrallë.

Ndërkohë ҫifligarët i paguanin taksë shtetit edhe për fshatarët që kishin vdekur, sepse për arsye të mos regjistrimit ata figuronin të gjallë.

Ҫiҫikovi, një njeri i rëndomtë, kishte një dëshirë të zjarrtë të ndryshonte statusin e tij në shoqëri, dhe të barazohej me ҫifligarët. Për këtë ai duhej të kishte në zotërim një numër të caktuar fshatarësh. Ata mund t’i vinte peng për të marrë një hua të madhe. Kështu, ai blen fshatarët e vdekur nga ҫifligarët e gubernës NN, duke i regjistruar si pronë të tij. Mënyra se si ai e realizon këtë gjë, tregon për kalbëzimin total të sistemit. Ai nuk ndalet para asgjëje.

Në këtë sipërmarrje, përfshihen në pazare të ulëta ҫifligarët, gjykatësit, administrata, gubernatori, bujkrobërit etj,

Kjo fabul, të cilën autori e mori nga Pushkin-i, është realizuar në mënyrë të përkryer artistikisht, dhe e bën këtë roman, një nga më të suksesshmit jo vetëm për letërsine ruse, por dhe botërore. Autori është shprehur se e kishte përshkruar të tërë Rusinë këtu. Romani është përkthyer mjeshtërisht nga Dhimitër Pasko.

Gogoli ka një aftësi vëzhguese të mrekullueshme, dhe kjo duket në përshkrimin që u bën ҫifligarëve. Dhimitër Pasko, i ka evidentuar saktë këto përshkrime. Manillovi, një sylesh që ëndërron ditën për diell, pa e ҫarë kokën se si shkojnë punët e ҫifligut dhe të shtëpisë; Nozdriovi kokëshkretë, gënjeshtar dhe mbret i gënjeshtrave; Sobiakeviҫi, grykës, shtypës, dhe batakҫi i regjur; Koroboҫka skllave e bestytnive që mbledh e mbledh para në qeset e saj të linjta.

Pavarësisht veҫantive, ata kanë diҫka të përbashkët: etjen e pashuar për para. Kjo shpërfaqet kur ata futen në pazar me Ҫiҫikovin, dhe etja për para nuk i ndal që të shesin dhe fshatarët e vdekur. Por, aftësia e madhe e vëzhgimit e Gogolit duket veҫanërisht kur bën pershkrimin fizik të Ҫiҫikovit, që përkon plotësisht me punën e mbrapshtë që ai po kryen. Konkretisht, as i trashë dhe as i hollë, me faqe të fryra dhe mjekër të kërcyer, një njeri plot besim dhe i kënaqur nga vetja. Aq shumë është rrënjosur në psikikën sociale figura e Ҫiҫikovit, saqë sa herë bëhet fjalë për një aferë korruptive thuhet si në rastin e Ҫiҫikovit.

E solla në vëmëndje këtë libër dhe këtë personazh, për të kujtuar skotën e Ҫiҫikovëve shqiptarë të kohërave moderne. Afera me një firmë fantazmë qe nuk ekziston, noterime të mbivendosura për toka që nuk ekzistojnë, përfshirja e të vdekurve në listat e votimeve, përdorimi i arshivave për të marrë toka që nuk u përkasin, tregojnë që skota e Ҫiҫikovëve ekziston, dhe shoqëria shqiptare duhet të luftojë që ata të pakësohen gjithnjë e më shumë.

Share: