Home KRYESORE Debati, “Ateizmi përballë Fesë”

Debati, “Ateizmi përballë Fesë”

Një debat publik, filozofik, social dhe kulturor që paraqet raportet e ateizmit me fenë, u zhvillua në emisionin “Tetë a Tetë”, në A1 Report ,në lidhje me temën “Ateizmi përballë Fesë”.

Akademikë dhe profesorë të ftuar si, Adrian Ndreca editor në “Hylli i Dritës”, Dhimitër Qosja, pedagog, Akademia Teologjike Ortodokse, Zyri Bajrami, profesor i Shkencave  të Natyrës, dhe Artan Trebicka, profesor i Shkencave të Natyrës, trajtuan çështje të tilla në lidhje me temën:

Si janë raportet e ateizmit me fenë dhe se si ato bashkëjetojnë me njëra-tjetrën? A na duhet Feja nga pikëpamja shoqërore dhe individuale? Shkenca kërkon të arsyetosh, feja kërkon thjeshtë të besosh dhe të bindesh? E saktë, ezaruese kjo pyetje apo e mangët? Deklaratë e një Ateisti që thotë: Tek unë Zoti nuk ekziston dhe nuk është i nevojshëm për mirëqenien time, a vlen edhe për shoqërinë ky përkufizim? Të kuptuarit e botës dhe luftërat kulturore shkenca esencialisht empirike dhe feja esencialisht dogmatike.  Përkufizim i drejtë? Rënia e praktikimit të besimit në Kisha dhe Xhamia është  domosdoshmërish tregues i forcimit të Ateizmit, si i shikojnë palët raportet e Fesë, sekularizimit dhe të mirës publike?

Gjithashtu në emision u trajtua edhe fakti që ka patur një stepje të ateistëve për ta deklaruar bindjen e tyre për shkak edhe të faturës që kanë paguar për shkak të sistemit të shkuar ateist në Shqipëri.

Intervista e plotë:

Gazetari Artur Nura i drejtohet editorit të ‘Hylli i Dritës”, z. Adrian Ndreca. A na duhet Feja? Shkenca kërkon të arsyetosh, feja kërkon thjeshtë të besosh dhe të bindesh? E  saktë, ezauruese kjo pyetje apo e mangët? Këtyre dy pyetjeve, si mund t’i përgjigjeni sot në studio?

Ardian Ndreca– Besimi fetar vazhdon dhe luan edhe sot një rol tepër të rëndësishëm. Feja po hyn edhe një herë në sferën publike si diҫka që e pasqyron sferën publike. Besoj se ideologjitë e mëparshme komuniste kanë kundërshtuar pa të drejtë fenë duke  kundërshtuar njëkohësisht lirinë e individit për të besuar. Çdokush ka nevojë të besojë, prandaj është i pavend fakti i ndërhyrjes së diktaturave edhe në  çështjet e brendshme të individit, siç është besimi. E cilësoj si absurde që shteti të kërkojë të kontrollojë sferën intime siҫ është dialogu me Zotin. Ne jemi një rast unik në historinë e njerëzimit, ku kushtetuta e 1976 e shpalli Zotin të paligjshëm. Në fakt, në vitin 1967 pa u bazuar në ligj u shkatërruan  institucionet e Kultit dhe vetëm rreth 9 vite me vonë u konfirmua ky vullnet politik i regjimit nëpërmjet Kushtetutës…

Artur Nura: Po ju  zoti Bajrami, si i përgjigjeni këtyre dy pyetjeve? A na duhet feja në shoqërinë sot?

Zyri Bajrami: Nga 7 miliard banorë që ka bota, 16% prej tyre janë  jo-fetarë ateistë dhe vijnë të tretët pas kristianëve dhe myslimanëve.

Pyetjes se sa është e rëndësishme feja në jetën private? Profesor Bajrami  lexon statistikat e një sondazhi sipas të cilit pjesa më e zhvilluar ekonomikisht e botës nuk mendon se shoqërisë i duhet Zoti apo institucionet e besimit. Shqipëria zë vendin e 14 duke thënë se feja nuk është e rëndësishme. Ky sondazh është bërë në vitin 2009.

Artur Nura: Pra, sipas jush, a na duhet feja në shoqëri ?

Bajrami: Ata që kanë nivel të lartë ekonomik, kanë besim të ulët fetar. Ndërsa ata që  kanë nivel të ulët ekonomik, kanë besim të lartë fetar. Prirja e zhvillimit  është kjo, besimi fetar sapo vjen ia lëshon vendin një prirje individuale dhe jo institucionale. Nuk ka prirje me institucionin, që institucioni të veprojë mbi njeriun dhe ai të besojë.

Ndreca: Po kjo s’do të thotë se rëndësia e fesë është në raport të drejtë me zhvillimin ekonomik. Nuk jam dakord, sepse Amerika që është shumë e zhvilluar dhe ku  besimi fetar luan një rol të rëndësishëm nuk përfshihet në vendet e sondazhuara  dhe sigurisht roli i Fesë atje është shumë dinamik. Plus dhe raportet e individëve që besojnë dhe nuk besojnë… Te përcaktojë ekonomia nevojën e Fesë,  apo ekzistencën e Zotit, kjo është thjeshtë e gabuar… Dhimitër Qosja: Nga çfarë u tha shtroj pyetjen a na duhet më ateizmi për ta përqasur më shumë edhe me ambientin tonë ku jemi këtu në  Shqipëri, por jo vetëm, sepse i vuajmë dhe i ndjejmë ende pasojat

Artur Nura: Nga sistemi, jo bindja e individit?

Qosja: Edhe sistemet ndërtohen mbi disa bindje dhe janë individët ata qeë i krijojnë dhe i zhvillojnë dhe mund të heqim dorë kur shohin se mund të dështojnë me të gjitha mënyrat. Sidoqoftë në kohën që ne jemi, shohim që ka një pre-dispozicion të njerëzve ndaj fesë. Shekulli që lamë pas ishte një shekull, i cili u përpoq që ta zhdukte fenë, ndërsa duket se ky shekull ka një ri-ngritje të njerëzve ndaj besimit fetar një përqasje të re ndaj saj. Është e vërtetuar roli qe ka feja si tek personi, ashtu edhe në shoqëri. Shifrat që citoi profesor Zyri nuk na surprizojnë. Pavarësisht se njerëzit kanë probleme në mënyrën e përqasjes së fesë, ata të cilët deklarohen ateistë nuk janë më shumë se 5 % e botës.

Ne shohim figura të rëndësishme, si Presidenti për shembull tek shfaqin lutje dhe besim ndaj Zotit. Rasti i Amerikës është akoma me domethënës. Shkenca dhe Feja nuk duhen parë si të  kundërta me njëra-tjetrën përkundrazi shohim që shkencëtarët më të famshëm gjatë historisë së njerëzimit kanë qenë po aq të bindur në shkencë si edhe ne fe…

Artur Nura: A është feja një shkencë?

Qosja: Sot, konsiderohet feja si shkencë, teologjia më saktë. Ashtu siҫ kemi dhe shkenca të ndryshme që janë quajtur natyrisht si sociologjia, psikologjia. Madje dhe universitetet më të famshëm të botës kanë në thelb të tyre teologjinë kur janë krijuar dhe këtu mund të përmenden ato me famë si i Harvardit dhe Oksfordit.

Gazetari Artur Nura i drejtohet profesorit të Shkencave të Natyrës, Artan Trebicka me pyetjen: Nëse na duhet feja kohët e sotme?

Artan Trebicka: Unë kam pikëpamjet e mia, unë jam ateist. Feja ose është ose nuk është, sepse i bie që ne, jo-njerëzorët e fusim fenë në shoqëri për nevojat tona dhe në këtë rast feja nuk do ishte thirrje hyjnore, por një krijim me autoritet njeriun.  Shoqëria duhet të jetë e lirë. Sa për besimin jam i mendimit se ajo nuk duhet të ketë prova për të qëndruar, në të kundërt nuk do të ishte besim nëse do kishte nevojë për prova. Roli i fesë në shoqëri varet nga mënyrat se si ajo përdoret. Unë mendoj se feja e kufizon njeriun, ajo është institucion  ndërmjetësues, ҫka do të thotë se për të besuar në Zot është e nevojshme feja. Mendoj se fenë e krijon njeriu për të plotësuar nevojat e tij.

Artur Nura: Mund të konsiderohet feja thjeshtësisht si dogmë?!

Artan Trebicka: Shkenca është tërësisht logjike dhe bazohet në prova, kurse feja është një dogmë. Pra, ose e beson ose nuk e beson. Gabimi që bëjnë  vetë fetarët është se kërkojnë të gjejnë provën e Zotit. Atëherë, çfarë kuptimi ka feja kur ti kërkon të gjesh provën e Zotit? Atëherë, hiq fjalën besim.  Besimi është çështje shoqërore, sepse ne jemi produkt i asaj që jetojmë, nëse jemi edukuar dhe rritur në një ambient që na mëson të jemi besimtar atëherë ne  do jemi besimtarë. Nëse Zoti ekziston, Ai është për të gjithë. Po si ka mundësi  që mua nuk më ka berë besimtar?

Share: