Home KRYESORE “JA PËRSE SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËVE U DUHET NJË QEVERI TRANZITORE”

“JA PËRSE SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËVE U DUHET NJË QEVERI TRANZITORE”

Nga Dr. Enriko Ceko

Sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë piqet mendimi që Shqipëria mund t’a kalojë këtë situatë tepër të rrezikshme vetëm nëpërmjet një qeverie tranzitore. Përse? Sepse praktikisht, në të gjithë aspektet e jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, mjedisore, të fushës së drejtësisë, nga të doni ta merrni ju, Shqipëria renditet në fund të listës në Evropë. Është vendi ku cilësia e jetës është në nivelet më të ulëta. Shqiptarët janë të fundit në Evropë në të tëra fushat. Të ardhurat e shqiptarëve janë më të ulëtat në Evropë. Paga mesatare e shqiptarëve është 335 euro, në një kohë që kryeministri i Shqipërisë e ka pagën gjashtë herë më të lartë se sa paga mesatare e popullit, dhe kjo kur kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit e kanë pagën rreth dy herë më të lartë se sa paga mesatare e qytetarëve të vendeve të tyre.

Po kështu, me paratë e buxhetit të shtetit bëjnë qef mbi 100.000 persona, që tallen me paratë, të cilat duhet të jenë të qytetarëve dhe kjo sepse buxheti i shtetit, kur krijohet, nëse krijohet me dy pare mend në kokë krijohet që ato para t’i vlejnë e shërbejnë qytetarëve. Janë gati 4.5 miliardë dollarë çdo vit, që ju merren qytetarëve nëpërmjet taksave dhe futen në xhepat e 120.000 personave, ose edhe diçka më shumë. Vetëm në Kryeministri punojnë mbi 1400 persona, që kanë rroga të majme, nga të cilët 250 janë personel që punon vetëm për kryeministrin. Sikur 250 çështje të kishin zgjidhur këta persona nëse do merreshin vetëm me një çështje sejcili prej tyre, do i kishin zgjidhur 250 çështje që shqetësojnë qytetarët e këtij vendi. Sepse një njeri, nëse merret çdo ditë me një çështje, për katër a pesë vite do e kishte qullosur ndonjë gjë, por në fakt në Shqipëri gjërat po shkojnë përherë e më keq.

Nëse shikojmë të ardhurat e qytetarëve, pjesa më e madhe e tyre rreth 50 – 60% shkojnë për të ushqime, në një kohë që në Evropë 4 – 20% e pagës apo e të ardhurave shkon për ushqime. Ky është përmirësimi i cilësisë së jetës në Evropë. Në Britaninë e Madhe vetëm 4% të pagës shkon për ushqime, Gjermania e ka 7% dhe Bullgaria e Rumania e shpenzojnë 18 – 20% të pagës për ushqime, në një kohë kur këto dy vendet e fundit përpara rreth 30 viteve kanë qenë njësoj si Shqipëria, dhe rreth 40% e pagës në këto vende shkon për bileta teatri e kinemaje e për pushime, etj.

Nëse shikojmë shëndetsinë, qytetarët e Shqipërisë kanë një fatkeqësi shumë të madhe sepse nëse i del një problem shëndetsor, 90% e shpenzimeve të problemit shëndetsor që ata kanë i paguajnë nga xhepi i tyre dhe vetëm 10% paguhet nga skema e shërbimeve shëndetsore, në një kohë që në Evropë është e kundërta, 90% e shpenzimeve për problemet shëndetsore të qytetarëve paguhen nga skemat e sigurimeve shëndetsore dhe vetëm 10% paguhen nga vetë qytetarët. Dhe ç’farë është ky 10%?

Është vetëm kur ndonjërit i shkrep në kokë të bëjë ndonjë operacion plastik dhe është mëse normale se këto lloj shpenzimesh nuk mund të paguhen nga skema e sigurimeve shëndetsore publike, pra nuk mund të paguhen nga buxheti i shtetit.

Nëse marrin arsimin. Gjendja e arsimit në Shqipëri është në një situatë ndër më të këqijat, që mund të bëhet. Universiteti i Tiranës renditet diku i 4000-jti në botë dhe është e papranueshme që një universitet publik të renditet i 4000-jti në botë. Të paktën të ishte i 200-ti, aq sa afërsisht ka edhe shtete. Të paktën të ishte i fundit nga universitetet publike të çdo shteti por jo i 4000-ti. Kjo tregon cilësinë e arsimit publik në Shqipëri. Por nuk është çështja thjesht dhe vetëm te universitetet sepse çështja fillon që nga çerdhja. Nga ana tjetër, shpenzimet e qytetarëve shqiptarë për arsimin janë shumë herë më të larta krahasuar me shpenzimet që bëjnë qytetarët e vendeve të tjera evropiane, si Gjermania, Italia etj, për të mos thënë se në një pjesë të mirë të këtyre vendeve, arsimi është falas apo funksionon në një masë të gjerë edhe sistemi i bursave nëpërmjet të cilave përfitojnë pjesa më e madhe e shkollarëve. Dhe kjo, sepse një vend që ka arsim të mirë ka një garanci shumë të madhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe për rritje ekonomike.

Edhe nëse marrin në analizë gjendjen në sektorë të tjerë, për shembull mjedisin, drejtësinë, ligjet etj, kjo është gjendja.
Po kush e ka sjellë këtë situatë? E kanë sjellë këta që kanë drejtuar Shqopërinë këto 30 vitet e fundit. Dhe ç’farë kanë bërë këta? Këta thjesht kanë bërë një plan që të qendrojnë gjithmonë në pushtet. Si e kanë realizuar këtë plan? Këta kanë ndryshuar disa herë kushtetutën dhe paralelisht me kushtetutën kanë ndryshur disa herë edhe kodin zgjedhor. Arsyeja se përse forcat politike aktuale, si në pushtet, ashtu dhe në opozitë, nuk duan që të ndryshojnë kodin zgjedhor, por duan që të shkojnë në zgjedhjet e 30 qershorit me këtë kod zgjedhor aktual, është se ato duan që të legjitimojnë qendrimin e tyre si në pushtet aahtu dhe në opozitë.

Ne qoftë se Partia Socialiste i bën zgjedhjet e 30 qershorit me këtë kod zgjedhor, mund të vazhdojë të qendrojë në pushtet dhe pjesa tjetër do qendrojë në opozitë. Ç’farë do ndryshojë për Shqipërinë? Asgjë. As një gjë nuk ka për të ndryshuar. Edhe nëqoftë se do merren vesh me Partinë Demokratike për të bërë rrokadë, ç’farë ka për të ndryshuar? Asgjë. Cila është alternativa që na ofrojnë këto forca politike ne pas zgjedhjeve? Askush nuk e di. Cili është drejtimi që këto forca politike po i ofrojnë vendit? Nuk ka asnjë drejtim.

Jemi shumë larg objektivit ku duam të shkojmë. Personalisht unë nuk mendoj se ne duhet që të shkojmë në Evropë. Ne duhet që të rregullojmë në radhë të parë Shqipërinë. Ne duhet të rregullojmë Shqipërinë. Evropa atje është. Pastaj, pasi të kemi rregulluar Shqipërinë, duhet të shikojmë shqiptarët në vendet përreth. Të shikojmë shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët në Çamëri, shqiptarët në Malin e Zi. Mbasi të rregullojmë Shqipërinë Natyrale duhet që të rregullojmë marrëdheniet me Ballkanin, sepse i kemi shkatërruar marrëdheniet me Ballkanin nga këta që na kanë qeverisur, me këta që kanë ndryshur kodin zgjedhor dhe kushtetutën. Mbasi të shikojmë Ballkanin, ne duhet të shikojmë Mesdheun, sepse në Mesdhe janë katër fuqi të mëdha ekonomike, janë ish perandoritë më të fuqishme të botës: Franca, Italia, Spanja dhe Turqia. Janë vende mesdhetare dhe janë në toplistën e vendeve më të fuqishme në botë. Ç’na duhet ne Evropa kur ne nuk i kemi në rregull marrëdhëniet me Mesdheun.

Dhe mbasi të shikojmë Mesdheun kemi Britaninë e Madhe. Përse doli Britania e Madhe nga Evropa? Sot që po flasim ne këtu në sheshin e teatrit, po ju flas me shifrat më të fundit, Britania e Madhe është shteti që është shpallur për disa vite me radhë vendi me kushtet më të mira për të bërë biznes, vetëm ditët e fundit numri i të punësuarve në Britani arriti në nivelin më të lartë të 30 viteve të fundit, nivel që nuk e ka patur as edhe nën drejtimin e kryeministrit Toni Blair. Nëse flasim përsëri për sukseset e Britanisë së Madhe, borxhi publik ka arritur në nivelin më të ulët të 20 viteve të fundit. Si i arriti Britania e Madhe këto? I ka arritur me politika konservatore dhe nuk i ka arritur me politika liberale apo neoliberale, ashtu siç pretendon klasa politike shqiptare me liberalizëm e neoliberalizëm. I arriti duke vënë në fokus familjen, traditën, atdheun, historinë dhe ekonominë dhe këto politika duhet që të ndjekim edhe ne. Dhe më tej, ne duhet që të hedhim vështrimin nga Shtetet e Bashkuara tëAmerikës, sepse ato janë aleatët tanë. Këta janë ata që e kanë ndihmuar gjithmonë Shipërinë.

Për sa më lart, këto forca politike në pushtet nuk mund dhe nuk duhet që të qendrojnë më gjatë në pushtet sepse nuk janë legjitime. E vetmja mënyrë për të drejtuar Shqipërinë drejt zgjedhjeve të reja, të lira, të barabarta dhe me standard është, e theksoj, zgjedhje të lira, të barabarta dhe me standard, këtë mund ta bëjë vetëm një qeveri tranzitore, e drejtuar nga një kryeministër akademik dhe me një kabinet me anëtarë që nuk janë partiakë, por që në krye të interesave të vendosin interesat kombëtare, të vendosin atdheun, familjen, traditën, vendi tonë, identitetin tonë kombëtar.

Më thoni ju. Kush mund të më thotë nga ju këtu për këto forca politike. Ç’farë kanë bërë ato për atdheun? Ç’farë kanë bërë ato për kombin? Asnjë gjë. I vetmi objektiv i tyre ka qenë interesi i tyre personal. Të gjithë ata që janë marrë me politikë në Shqipëri janë milionerë e miliarderë dhe jo në lekë, por në euro, dollarë e stërlina, që kanë disa vila e disa makina super të shtrenjta, në një kohë që kryeministrat e vendeve Evropiane shkojnë në punë me biçikletë.

Parlamenti aktual shqiptar, si pozita, si opozita, nuk ka rëndësi, janë njerëz që nuk i ka zgjedhur populli. Janë në parlament me listën e kryetarit të partisë. Janë njerëz jo legjitimë. Nuk janë ata përfaqësues të popullit shqiptar. Mua nuk më intereson aspak e djegin apo nuk e djegim mandatin. Ata nuk janë përfaqësues të shqiptarëve.
Kjo është arsyeja se përse duhet një qeveri tranzitore që të bëjë një kushtutë të re dhe moderne dhe të bëjë një kod të ri zgjedhor. Nëse bëhet një kod i ri zgjedhor, që garanton liri, barazi dhe standarde, atëhere krijohen mundësitë që populli të zgjedhë intelektualët dhe njerëzit e pa korruptur, të ndërgjegjshëm , të përgjegjshëm dhe me edukatë, për të drejtuar, sepse këta janë njerëzit që i duhen Shqipërisë, pasi ata që drejtojnë Shqipërinë aktualisht janë të korruptuar, janë të pashkollë, janë të paedukatë, janë të papërgjegjshëm, janë të pandërgjegjshëm, janë të pa trainuar. Kjo është arsyej se përse duhet qeveri tranzitore, dhe unë jam i bindur se nga dita në ditë, të gjithë shqiptarët po vijë te kjo pikëpamje.

Te pikëpamja që vendit i duhet një qeveri tranzitore, dhe, unë, në fund, dua t’a mbyll me atë që e nisi parafolsja Zj. Elona Caslli, e cila, n’a rikujtoi fjalët e regjisorit tonë Edmond Budina, i cili ka thënë para disa ditësh se “pranvera do vijë”. Unë po them se pranvera do vijë edhe me një lule, sepse zakonisht pranvera nuk vjen me një lule, por kjo pranverë do vijë edhe me një lule dhe kjo lule që do sjellë pranverën në Shqipëri është Teatri Kombëtar.

Ju faleminderit. Fjala e mbajtur te protesta per Teatrin Kombetar

Share: