Home KRYESORE Më duket se shpika një neologjizëm: “Shpirtostat”

Më duket se shpika një neologjizëm: “Shpirtostat”

Nga Adela Kolea

Me ç’elasticitet të çuditshëm po ndryshon “mimika e fytyrës” së shoqërisë shqiptare së fundmi:

Po t’i bësh një fotografi shoqërisë shqiptare aktualisht, vëren se me një mix sensacionesh negative e pozitive që bashkëjetojnë me prepotencë brenda saj, sot shqiptarin e sheh të nervozuar, të acaruar e në protestë e nesër, alegri e aheng, të gëzuar e euforik…🤔

Më duket se shpika një neologjizëm: “Shpirtostat”,
d.m.th edhe aq neologjizëm nuk është fundja, pasi si “animostato” e përdorin në zhargon edhe italianët.
E përdoret pra, si term, në kuptimin që ashtu siç ndikon një termostat për të mbajtur konstante një temperaturë diku, në një ambjent të përcaktuar, edhe “shpirtostati” ndikon për të mbajtur ekuilibër në gjendjen emotive dhe atë të humorit të një personi apo më gjerë, të një kolektiviteti, të një shoqërie.

E po mendoja për shoqërinë shqiptare:
me sa natyrshmëri e elasticitet, ajo kalon nga një gjendje emotive, në të kundërtën e saj brenda pak orësh!
Sot protestë e nesër aheng, festime, muzikë, qofte tymi e ballokume, aq sa për ta konsideruar si “normalitet” këtë modus vivendi.
Si të komanduar me telekomandë:
Shtyp një buton e nervozohemi, ulërasim e shajmë.
Shtyp butonin tjetër e ndërrojmë “muzikë” e humor apo gjendje shpirtërore. Fillojmë të kërcejmë e argëtohemi.

Nga një anë fundja, them se meritë është edhe kjo mënyrë kaq e lehtë “modelimi” si me plastelinë e një gjendjeje humori apo emotive në nivel social.
Të paktën nuk ke të bësh me një shoqëri depresive, megjithëse këtu i kam ca rezerva e dyshime.
Nuk e di sesi e quajnë antropologët e psikologët këtë sjellje sociale, gjithsesi meriton vëmendje një analizë profesionale e tyre nën këtë aspekt… 🤔

Share: