Home KRYESORE KOMPLEKSI I EDIPIT (2) ose: TRE NJERËZ DHE...

KOMPLEKSI I EDIPIT (2) ose: TRE NJERËZ DHE KUKULLA

Nga SOTIR ATHANASI

Në breg sërish nxinte varka e pranë saj edhe varkëtari plak. Në behar,  pushuesit, ndonëse rrallë, bënin edhe ndonjë xhiro me të. Kurse tani, në këtë stinë, dukej e pakuptimtë shfaqja e saj. Veçse më i keqkuptuar qe fakti se njerëzit nuk guxonin të kërkonin atë t’i shpinte te trageti edhe pse qe logjik një shërbim i tillë. Gjithsesi dy njerëz vraponin në drejtim të saj. Ose më mirë, dikush po ndiqte dikë. Dhe, nga mënyra e ngarendjes, kuptohej se njëri ishte i ndjekuri dhe tjetri ishte ndjekësi. Aspak një dyshe. Madje qenë dy kundërshtarë. Ikanaku herë pas here kthente kryet prapa sikur po e ndiqte ariu në pyll e jo një njeri në rërë. Në qoftë se i pari qe vala, i dyti ishte era e kjo frynte në drejtim të duhur edhe pse varka s’qe me pëlhurë lundrimi. Mosha e të dyve qe e njëjtë: në prag të pleqërisë. E, mbase e tillë edhe armiqësia midis njëri-tjetrit.

Ikanaku do të shkëputej në çastin që ndjekësi do të pengohej në një kukull e do të binte. Marioneta qe një kokonë, që nën dritën e shtyllës, dukej edhe më bukuroshe, e cila e bëri ndjekësin të humbasë ca sekonda të vlefshme dhe t’i ndërmendet diçka tronditëse në një anë,
po edhe si një ogur i mirë në anën tjetër. Se qe dhurata e tij, bërë të birit, njëzet e pesë vite më parë, kur fëmija ishte vetëm pesë vjeç. Një gjë e tillë s’mund të merrej për një ngjashmëri. Aq më pak si përkesë rastësore. Por mbase enigma ka për mbulesë lëkurën e qepës. Po ku qe ajo? Se ai drejt varkës po shkonte, e cila nxinte më tepër në muzg.
Zemra nisi t’i rrahë me forcë dhe kjo parandiente se qe patjetër në prag të një befasimi. Edhe pse ai një ish i burgosur qe dhe po ndiqte ish-inkuizitorin e tij. Prandaj e futi në xhep të xhaketës së vjetër atë kukull, gjysma e së cilës varej jashtë saj, mbushi të dyja duart me rërë dhe u nis më me ngut të kapte ikanakun. Kur mbërriti duke gulçuar shqiptoi: njëzet e pesë. Kjo shifër përkonte plotësisht me vitet e tij të burgut. Ndaj lëvizi kryet majtas në një gjest sa besëtyt aq edhe qesha-rak, mbetur nga meditimet në vitet e vetmisë në burg. Varkëtari plak në një pozicion ushtarak e me dorë në cepin e djathtë të kasketës e nderoi të ndjekurin si të qe eprori i tij. Ky u hodh menjëherë mbi varkë dhe i kërkoi me forcë plakut lopatat. Paniku e kishte përfshirë të tërin, kurse tjetri, ende s’e kuptonte, po vazhdonte nderimet e temenatë,sikur ishin në sallat ku këto përbënin alfën e gjërave dhe jo sikur bëhej fjalë për kokën e aspak për ‘kapelën’. Prandaj, duke iu marrë fryma, ardhësi me një ton prej padroni e assesi prej bashkëpunëtori, iu çorr plakut:
– Lopatat, djalosh! Ç’pret?
Ky, me bindjen e një ushtari dhe me shkathtësinë e një djali njëzete-pesëvjeçar, u kërrus nën varkë, ku edhe i kishte fshehur lopatat dhe u ngrit me njërën nga ato në duar. S’kishte kohë ta çonte kasketën që mbeti në rërë se u përkul dhe, sa hap e mbyll sytë, ndjekësi mbërriti.
Gjurmuesi pa e bërë të gjatë luajti, kinse, njeriun që po e linte frymë-marrja, që në të vërtetë qe tejet e shpejtuar dhe me një nishan aspak të nevojshëm, ia hodhi grushtin me rërë surratit inkuizitorit të tij, i cili qe gati të nisej edhe me një lopatë.
Plaku kërceu ta ndihmonte eprorin. Ky qe çuar në këmbë dhe, ashtu, marramendës, u nda të mbahej tek ai dhe i vuri dorën te flokët.
Varka, nga lëkundja, bëri që dora e ikanakut ta tërhiqte plakun nga leshrat, të cilat ishin false, pra parukë, dhe t’i zbulohej fytyra e një të riu, tridhjetëvjeçar. Ky ishte agjenti i sigurimit të shtetit dhe hetuesi “Ortep”.Ikanaku qe shefi i tij, Petro. Emrat e tyre ishin antonimi ose kundërvënës. Shefi Petro ulëriu me sa kishte në kokë.
– Ortep! Qëlloje! Është babai yt që ka dalë nga burgu dhe vjen të na vrasë. Apo harrove se ti e ke denoncuar?
Ortepi e kishte nxjerrë tashmë, revolen e cila, prej kohësh fishekun e mbante në gojë. Se deri tani, me dhjetëra qenë rastet e tentimit, sidomos nga të rinjtë për të rrëmbyer varkën, gryka e armës, me ftohtësinë e saj i kishte sprapsur ata paqësisht. Ortepi i hodhi sytë ndjekësit që po i merrej fryma dhe vështrimi i tij s’iu duk aspak kërcënues. Përkundrazi. Ai njohu babanë e tij, si në fëmijëri. Vetëm nga ai kundrim ledhatues që i bënte nënës së tij. Ndaj vendosi të mos i fliste atëherë. Interesimi i tyre për të kërkuar arsyen në doktorë e nevrikoste dhe shpesh e egërsonte atë. Tani i dukej i çuditshëm ky vështrim. Se nëna nuk ishte më. Pra, ajo dritësi, tejet atërore s’linte shteg për të besuar se tjetri kish ardhur për hakmarrje. Jo. Përkun-drazi. Babai quhej Ilir dhe, që në krye të herës, e kishte gati grushtin tjetër me rërë. Sekonda i ndau kur i biri s’qe akoma djali i tij Ortep, por një plak me kasketë. Dhe që t’i jepte të kuptonte të birit se sigurimsi epror Petro gënjente, ia hodhi atij në fytyrë grushtin tjetër me rërë për ta riverbuar e asnjanësuar plotësisht edhe nga helmi i gojës. Se revolen e tij, në momentin kur inkuizitori Petro kërkonte ta përdorte, ia kapi dhe ia flaku tutje. Se nuk donte ta vriste. Donte t’i bështynte në gojë.
Petro s’kishte aspak guxim të zbriste nga varka, ndaj përkulej të merrte ujë me grushte dhe të hiqte rërën.
– Sytë edhe mund t’i lash, por krimet dhe zemrën ti nuk do të mundesh kurrë ta pastrosh, o pusht e bir pushti i fëlliqur!
– Qëlloje, ç’pret! – i ulëriu kumbari Petro Ortepit.
– Po, – tha i ati. Le të më qëllojë, por më parë le të lexojë se ç’i shkruan motrës së vet ajo femër e ndershme,që unë e kisha grua dhe im bir-nënë. Se që të dy e adhuronim, secili sipas ligjësive që na i ka caktuar Fuqiploti: Mua me të drejtën e burrit. Tim biri me privilegjin e fëmijës që pi qumështin nga gjoksi i saj.
Pas këtyre fjalëve, i ati i Ortepit, sërish me atë gjestin besëtyt të lëvizjes së kokës me të cilën sikur donte ta shpotiste tjetrin, nxori nga kraharori letrën dhe ia tregoi të birit.
Ortepi, nën dritën e zbehtë të shtyllës, tejet larg, lexoi:

                   Motër e dashur!

          Kumbari Petro, kërkon nderin tim.

          Por unë, s’e tradhtoj tim shoq

          që e dua si jetën. Tani që mora vesh

          arrestimin e tij, po pres damarët se….

          s’kam rrugë tjetër. Ai do të më përdorë.

                                            Lamtumirë!

                                          Motra jote: Lira!

Ortepi ende s’e kishte mbaruar së lexuari letrën kur ndjeu se shefi i tij, Petro, ashtu siç e kishte udhëzuar në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, se duhet të shfrytëzohen mjetet rrethanore për të dalë nga kurthi, kish gjetur rastin të heqë lopatën nga vendi i mbërthyer.
Veçse Ortepi, vërtet ishte nxënës i tij, por shquhej për tinzëri e po ende edhe për nuhatës se ishte nga natyra frikacak, prandaj dhe e ndjeu se shefi, tashmë gruari, Petro, ishte bërë gati ta godiste ashtu ‘kuturimthi’ të atin e tij. Prandaj, pa i kthyer kryet nga ai, gjithashtu kuturimthi, drejtoi armën dhe me një mllef të dyfishtë, e zbrazi mbi të.
Nuk u dëgjua krismë, por një zhurmë e mbytur sepse arma, tytën e kishte të gjatë që e heshtte rrapëllimën.
Tjetri lëshoi një klithmë të fortë dhimbjeje si për të zëvendësuar zhurmën e munguar të plumbit që ia kishte përshkuar aq lehtësisht kraharorin. Se plaga qe vdekjeprurëse. Prandaj trupi iu drodh dhe ai,
përmes gulçimeve, ndonëse mbahej ende në këmbë, mundi të thotë me vështirësi, por dhe i ‘kënaqur’për ngjashmërinë:

– Tinëzar,  si dhe unë. Më vrave bir!
Ortepit i ra letra e së ëmës nga dora.
Befasimi kishte ardhur me shpejtësinë e fishekut të dalë nga arma grykëgjatë. E, mbase edhe me atë të rrufesë në qiellin e kthjellët. Dhe, si të mos mjaftonte e gjithë kjo, sigurimsi Petro, përpara se të këputej e të plandosej mbi varkë përmes gulçimave, përsëriti zëëmbël:

– Ortep. . . , bir! Mëso të vërtetën. Unë jam babai yt!
Zëri doli tejet i dhimbshëm. I tillë ai mbërriti edhe në veshët e djalit.
Më tingëllues e i kthjellët se ajo predhë e hedhur tinëzisht e ‘kuturu’ që tejshpoi sigurimsin Petro. Madje ai zë kish brenda tij klithmën që del nga njeriu në çastin e mbramë të jetës së tij. Ai zë ishte zëri i babait biologjik, ndonëse jo ligjor.
Pas kësaj tek Ortepi u mbart dhimbja. Krejt e ndryshme nga ajo e ‘babait biologjik’. Ishte dhimbja e një plage pa gjak. Por ndofta me vrer.
E ky, për nga hidhtësia, ia kalonte helmit të disa gjarpërinjve njëherësh. Dhe mund të dukej se nga një fole e tillë doli ndonëse ishte një zë prindëror. Po. Mirë e lexuat. Se këtu duhet kërkuar shkaku që iu helmua i gjithë kurmi. Atij i qe rrushkulluar edhe goja, gjithashtu. Ndaj u drodh i tëri dhe i ra arma nga dora.
Oh! Po ajo s’ishte një thirresë dosido, miqtë e mi! Natyrisht.
As kumt i thjeshtë ai s’qe. Vërtet predha çau hapësirën me shpejtësi, por sapo u ndesh me trupin e njeriut, atë çast, sipas ca ligjeve shkencore, të cilat ende s’i dimë,
mund të ketë përcjellë, ‘mbi sipërfaqen valore’ një ‘kundrakumt’

(le ta quajmë kështu)

e mbase një ‘kundratingull’

(le ta emërtojmë në këtë mënyrë, po ashtu).
Se ky duhet të përcjellë mallkimin. Stadin më të lartë të pezmit,dhimbjes, dëshpërimit. Dhe dihet se përherë e vazhdimisht, ofshama ka brenda saj, lutjen. Drejtimi është qiellor dhe kërcënon me… gjëmë.
Ndryshe nga pendimi që është tokësor. Ky do vendin e tij të shfaqjes, ashtu si kohën e tij, ai do. Dhe sigurimsi Petro parapëlqeu t’i lërë lamtumirën kësaj bote i penduar, por jo edhe i hidhëruar. 2Prandaj në atë zë instinktivisht qenë ngjeshur me nota që: në mos përgjëruese, lutëse ato ishin. Dhe nga djali, natyrisht, ato nota diç kërkonin. Si përkthesa e një kënge vaji. A si rekuiem për një prind ku:

njohja me ‘të, të njëjtën ditë ka,

ashtu siç, ndarja me ‘të, të njëjtin çast mb
Sepse, te sigurimsi Petro kishte ardhur fqinji i tij i munguar, ‘shpirti’. Dhe ky, siç edhe kemi hamendësuar dikur, kish mbërritur në çastin e fundit të jetës së tij, përpara se të dalë.
Gjithsesi Ortepi, kryet majtas hepoi.
Në rërë, në një palëvizshmëri statuje, qe kallkanosur

‘prindi I tij ligjor’.
Ai, që për shkak të tij kishte bërë njëzet e pesë vjet burg. Dhe ja:
ky kumt i shemrit të tij, në mos e llogariste jashtë kësaj bote,si leshte-rikun që nxjerr errësira në bregdet dhe ne e shohim kur hapet dita,me vdekje ai e kish dënuar atë.
Kjo lexohej në sytë e tij. Egërsimi i tyre qe i frikshëm. Atë vështrim mund ta qetësonte vetëm shpagimi. Por kundër kujt? Një sekondë ishte ajo në këtë kthim koke të Ortepit. Kaq mjaftoi që diç tjetër të përfytyronte në atë hapësirë tejet të shkurtër kohore. E kjo lidhej me fëmijërinë e tij të largët: njëzetepesëvjeçare. Atëherë, kur i ati i tij ligjor i hidhte ca vështrime të ëmbla nënës së tij përpara se ta puthte atë. Po ende edhe kur me vrull, si të donte ta përpinte e ndrynte në dhomën e gjumit për të bërë dashuri. Zakoni i Ortepit për të shikuar nga brima e çelësit, atë çast iu duk neveritës. Një sekondë iu desh të rikujtojë këtë skenë nga prindi i tij ligjor. Ishte kjo shëmbëlltyrë që e ndante birin nga i ati. Çunakun nga burri.
Sekonda tjetër atë e hodhi menjëherë në varkë: te prindi i tij i dytë, jo ligjor. Pra te ati biologjik. Dhe e gjeti ende me frymë. Ai kishte rënë me fytyrë nga qielli. E ky qe i errët e pa yje si natë tradhtie.
– Baba – thirri Ortepi i përlotur. Dhe duke iu marrë goja u ngut të thoshte: të vrava me dorën time!
Tjetri vuri pak buzën në gaz. Me gjasë ky gjest mund të shprehte falënderimin që i biri e quajti me emrin e vërtetë baba. Se pas këtij mirëkuptimi, heshtazi, ai mezi shqiptoi edhe vetëm dy fjalë:

– “Gs-bu-am . . ., bir!
Një fjalë, një dhe e vetme (bir) se s’kish jetë për më shumë.
Ndoshta do të dëshironte që bashkë me pendimin të shprehte edhe kënaqësinë që i biri – Ortepi – e pranoi për baba. Qe mbase një përputhje ADN-je që solli këtë harmonizim. Se një ndërkthjelltësi ajo qe. Ky faktor ndërveprues bëri që sigurimsi Petro, tanimë i vrarë, të kthejë pak kryet mënjanë dhe të largohet përfundimisht nga kjo botë i kënaqur… Ai kishte dëgjuar me gjallje: fjalën bukurtingëlluese: B a b a!
Ortepi në këtë sekondë të tretë ia uli qepallat e syve për të kujtuar vitet e shkuara. Interesimin e tij të vazhdueshëm në shtëpinë e fëmijës. Por edhe më pas në stadet e tjera. Sidomos në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dhe nuk i kish shkuar kurrë ndër mend pse e bënte ai këtë. Edhe atëherë kur ia kishte shkallëzuar emrin. Në fillim vogëlush. Pastaj – djalë dhe në vazhdim: biri im.
Të gjitha këto Ortepi i kishte parë në natyrshmërinë e gjuhës së kumbarit. Se duhet të pranojmë që, nën këtë petk, ai i vishte ato epitete. E pse të mos themi: ato dhele prindërore?
Përfundimisht: sigurimsi Petro kishte qenë babai i tij i njëmendtë. Si, qysh? Në ç’mënyrë?…
Në këtë sekondë të katërt, tek rrekej të zhbironte të fshehtën, dëgjoi zhurmën e mbytur të armës së tij grykëgjatë. Ktheu nxitimthi kryet dhe pa me tmerr se babai i tij ligjor u këput e ra përmbys mbi rërë. Ortepi u hodh nga varka dhe u ndal pranë tij. E anasolli dhe pa me lemeri gjëmën. Armën ai e kishte zbrazur në gojë dhe ajo i qe mbushur me gjak. Në gjoks ishte kukulla njëzetepesëvjeçare që, të gjakosur, ia dha Ortepit. Themi kështu ngaqë s’duam të pranojmë atë flakje me neveri. Se plaku çuditërisht tejet i pashkëputshëm kësaj bote, mbante ndër dhëmbë shpirtin që diç t’i shprehte Ortepit, por pa i folur atij në një përpjekje mbinjerëzore.
Sytë i kishte ende të hapur. Vështrimin shpotitës.
Ortepi pa ditur se çfarë t’i thotë, shqiptoi:

– Pse . . ., baba?!?

Dhe mori si përgjigje, një pështymë gjaku.
Pas kësaj mbylli sytë. Po. Absolutisht, po. Mbylli sytë. Këtë e bëri vetë përpara se të jepte shpirt. Dhe ky përfundim fliste për një karakter skajshëm krenar për të këmbyer qoftë edhe dy fjalë lamtumire me atë që ai e kishte njohur për djalë pesë vitet e para të jetës së tij bashkëshortore. Dhe që, njëzet e pesë vjet të tjerë në burg e kishte si njeriun e vetëm në këtë botë që mezi priste ta takonte. Dhe tani ndihej si në bregun tjetër të një deti edhe pse s’ishte më larg se disa centrimetra të atij që e quante djalë: Ortepit.
Ky përjashtim nga rregulli tejçonte skajshëm largësinë si në dy pole të kundërta, njëherazi.
Se shpirti te ky njeri i kishte rezistuar burgut dhe s’doli.
Fyerja e shkëputi nga trupi brenda katër sekondave.
Ortepit i mbeti në dorë ajo kukull e gjakosur e cila vetëm pak minuta më parë i kishte rënë teksa ndiqte ca të rinj që kërkonin ta rrëmbenin varkën për të shkuar në traget.
Ishte kjo shpërfillje që babait të tij ligjor t’i lindte shpresa se diku aty pranë e mbase tutje asaj errësire do të qe i biri. Ndaj ai gjithsesi u ngazëllye përpara se të provonte shpresëshuarjen dhe të bëhej njësh me të.
Tutje, nga Hotel “Adriatiku”, ish-tenori, çuditërisht tanimë, me një kitarë, kish marrë me mallëngjim këngën arbëreshe: “Moj e bukura More”. Dhimbjen nga braktisja e vendit e bartte vala e detit që e përcillte në drejtim të anijeve në port ngarkuar me ikanakë.
Kjo braktisje masive e vendlindjes do të emërohej:
EKSODI I MADH për të bërë xhiron e BOTËS. “Moj e bukura More” Qe përsëritja e një EKSODI të pesë shekujve më parë. Atëherë kur vdiq Skënderbeu, ky ‘Kalorës i Krishterimit’. Populli i tij, për t’i shpëtuar ndëshkimit të barbarëve otomanë, drejtohet nga miqtë perëndimorë. Qe radha e tyre t’u jepnin truall për të ngritur fshatrat-kampe e vendbanimet e domosdoshme. “Moj e bukura More, Si të lashë e më s’të pashë? / Si të lashë, si të lashë? / Atje kam unë zotin At, /Atje kam unë zonjën Mëmë, /Atje kam dhe tim vëlla /gjithë mbuluar, të gjithë mbuluar,/ të gjithë mbuluar nën dhe. /Ah, e bukura More!
Oh! Çdo largim e sidomos ai i detyruari, shoqërohet me keqardhje, dhimbje, lot e trishtim. Por ai i braktisjes së Atdheut është më i rëndi. E ky nuk mund të vijë kurrë pa një acarim. Aq më pak pezm. Kurrsesi pa trazim të brendshëm. Këtu nis vuajtja shpirtërore. Tatëpjeta e saj fillesën aty e ka.
Moj e bukura More…!
Ti këndon e shpirti të qan. Se e beson që fjalët e tua nëpër natë përpihen nga dallgët. Po ku i dihet, o bard i gjithë shqiptarëve? Këtë çast, mijëra nëna të atyre djemve e vajzave e po aq të tjerëve, që kanë mbetur si të lënë e të papërfillur, nuk bëjnë të njëjtën gjë? Jo me kitarë e mbase as me çifteli. Aq më pak me këngë.Po me lot, me vaje e madje me kujë.Se iku ajka e kombit, Zot I madh e I gjithpushtetshëm, a më dëgjon përpara se të më dalin mënd nga koka?
Aq sa edhe malet u drodhën nga kjo gjëmë që i ndodhi kësaj bashkësie. Se kishte hipur në ato anije lundruese, që do ta shpinin drejt së panjohurës, e gjithë rinia. Qe një hemorragji tejet e përvajshme. Moj… (oh) e bu(oh)kura… More!


Që të çlirohet ky vend nga këto ankthe do të duhet mbase një kometë të kalojë në galaktikë dhe t’i përthithë si avuj.
Ajo me emrin Hallej, do dhe gjysmë shekulli të përvijojë qiellin mbi planet. Duro dhe ti “Moj e bukura More”! Duro si edhe ne… që mbetëm pa Atdhe!

————————-
SOTIR ATHANASI
Athinë, Shkurt,  2013!

Share: